Ish-kryeministri Sali Berisha dënon ashpër votën e Shqipërisë kundër SHBA në OKB, duke e cilësuar atë si një akt të tuprshëm dhe anti kombëtar. Përmes një interviste për Tv “Klan”, Berisha e ka cilësuar si një akt fondamental të klikës në pushtet, votën kundër të Shqipërisë në OKB ndaj njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Berisha e cilësoi votën e djeshme në OKB si votë turpi në historinë e Shqipërisë dhe kthim në politikën e vjetër antiamerikane. “Jeruzalemi de facto është kryeqyteti i Izraelit dhe jam i bindur se do jetë i tillë, për sa kohë do të ekzistojë shteti i Izraelit. Ndaj dhe kjo që bëri Edi Rama ishte një akt ekstrem pabesie ndaj një vendi që ne i detyrohemi”, shprehet Berisha. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse do të djegë apo jo mandatin e deputetit, Berisha tha se “jam duke e shqyrtuar këtë problem, nuk kam marrë vendim. Unë po ndjek, ka një debat dhe forcat politike do të diskutojnë dhe po diskutojnë për qëndrimet që do të mbajnë ndaj Parlamentit. Unë e kam dhënë mendimin tim. Nuk janë aspak të detyruara ta marrin për bazë, por nuk jam tërhequr nga mendimi im. Të gjitha ata që njohin alfën e kushtetutave të vendeve të lira”.
-Zoti Berisha votën e Shqipërisë në OKB kundër rezolutës së Shteteve të Bashkuara për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit ju e keni quajtur një akt të rëndë antikombëtar. Përse ky qëndrim?
Sepse unë kam bindjen më të thellë se ky ishte një akt madhor fondamental antikombëtar i klikës në pushtet. Shqipëria mund të ishte vendi i fundit në botë që të votonte për dënimin e SHBA. Shqipëria nuk bëri dot atë që bëri Kroacia, Bosnje-Hercegovina paçka se shqiptarët në historinë e tyre të lirisë kanë patur në çdo moment SHBA-të me një rol përcaktues për lirinë e tyre. Për çdo shqiptar që ndjehet si i tillë, Jeruzalemi i shqiptarëve është Kosova dhe në këtë kontekst ishte fuqia udhëheqëse politike dhe fuqia ajrore e SHBA që çliruan Kosovën, një vend me 95% myslimanë shqiptarë. Pa këtë determinizëm Kosova do të ishte sot nën pushtimin serb ose do të ishte ndarë, copëtuar dhe spastruar, ose do të ishte një pjesë apo provincë e Serbisë. Por s’është vetëm kaq. Ata, të cilët e kanë të shtrenjtë interesin kombëtar dhe kombin nuk mund të harrojnë kurrë vitet ‘20 të shekullit të shkuar. Rreth para 100 vitesh, fuqitë e mëdha europiane vendosën të shpërbëjnë dhe copëtojnë dhe Shqipërinë londineze, dhe ishte SHBA dhe presidenti i tyre Ëilson që hodhi poshtë planin e copëtimit të mëtejshëm të Shqipërisë. Përndryshe sot, shqiptarët do të flisnin në Tiranë shqipen që flasin shqiptarët në Plavë, në Pazarin e Ri, që flasin shqiptarët në Rekë, në Nish apo në Kuç të Malit të Zi. Me një fjalë, ndërhyrjet e SHBA për ekzistencën e kombit shqiptar kanë qenë vendimtare. Nga ana tjetër se e shoh që është një qëndrim mirëfilltas kundër SHBA, sepse Presidenti Trump s’po bën asgjë tjetër veçse po zbaton një ligj të Kongresit amerikan të marrë pothuajse në unison të plotë në vitin 1995, i cili urdhëron ekzekutivin amerikan të transferojë në Jeruzalem ambasadën dhe të njohë për kryeqytet Jeruzalemin. Presidenti Trump e premtoi gjatë fushatës dhe e bëri realitet në këtë kohë. Vota e djeshme, një votë turpi në historinë tonë, një rikthim atavist i Edi Ramës dhe Sul Bushatit, sepse në fakt dje në OKB kanë votuar kriminelët Kristaq Rama dhe Sul Bushati, kanë votuar pra, bllokmenët. Ky ishte pra, një kthim në politikën e vjetër antiamerikane të klikës komuniste, të klikës hoxhiste. Nuk mund ta bënte kurrë. Në fund të fundit realiteti është ky: nga vitet 1967 deri në ditët e sotme, këto vende që votuan kundër s’kanë mundur të ndryshojnë qoftë dhe një milimetër, të zbatojnë rezolutën e OKB të vitin 1967 dhe realiteti është se Jeruzalemi de fakto është kryeqyteti i Izraelit dhe jam i bindur se do të jetë i tillë për sa kohë të ekzistojë shteti i Izraelit. Ndaj dhe kjo që bëri Edi Rama ishte një akt ekstrem pabesie ndaj një vendi që ne i detyrohemi. E them dhe një herë se, po të qe për ata që votuan dje, që sot janë miq, por s’duhet të harrojmë se dikur po të qe për ta ne nuk ekzistonim. Na ndanë ata dhe më ‘20-tën, na copëtuan, vendosën që të mos ketë shqiptar si komb në Europë.
-Le të kthehemi në aktualitetin politik. Seanca e të hënës gjatë votimit të kryeprokurores së përkohshme ishte ndër më të tensionuarat që ka njohur Parlamenti shqiptar. Dhe po ashtu u ndaluat nga Garda që të flisnit në podium. Në prononcimin tuaj për mediat ju u shprehët se, Parlamenti ka vdekur dhe sugjeruat djegien e mandateve, por çka është parë këto ditë, ky propozim nuk ka mbështetjen e Grupit parlamentar të PD dhe kryetarit Basha. Nëse Parlamenti ka vdekur, atëherë a nuk mendoni se prania juaj aty vetëm sa e legjitimon atë? Ju do ta digjni mandatin tuaj personal apo do t’i bindeni vullnetit të grupit?
Së pari, në Parlament, për të gjithë ata të cilët njohin alfën e lirisë, të gjithë ata që njohin alfën e Kushtetutave të vendeve të lira, në Parlament faktikisht u ekzekutua liria e fjalës dhe kjo, absolutisht pse iu bë një ish-presidenti apo ish-kryeministri, por sepse kjo ndodhi në mënyrën më të paimagjinueshme. Unë kërkova fjalën për procedurë. Kryetari i Parlamentit shënoi kërkesën time dhe më dha fjalën. Pasi mbaroi parafolësi u ngrita të marr fjalën në përputhje të plotë me procedurën, Edi Rama, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, kjo është disa herë më e rëndë se zgjedhja e prokurorit, sepse aty vërtet është shkelur një nen për zgjedhjen e prokurorit, por këtu është shkelur themeli i Kushtetutës. Edi Rama, i tmerruar, si një skizofren dhe mjekohet me kokainë jo me haloperdol, mirëpo mjekimi me kokainë nuk ia zhduk atij zërat e brendshëm dhe atij kushedi çfarë i thanë zërat, që Sali Berisha kushedi po del të të qëllojë ty, gjë të cilën kurrë nuk e kisha ndërmend. Unë kisha ndërmend të flisja tre minuta që më takonin konform rregullores. Dhe ai, jashtë çdo kompetence, urdhëron, ia bën me shenjë komandantit të rojeve të dalin e të më bllokojnë rrugën për në platformë. Nuk ndodh kjo në asnjë vend të botës. Nuk mund të ndodhë as në diktatura, nuk ndodh kjo as në demokraci. Kjo ndodh vetëm në një vend që qeveriset nga një skizofren, i cili nuk mjekohet dhe pastaj kryen akte të tilla. Pra, për mua që në këtë moment Parlamenti nuk është më Parlament, Parlamenti ka marrë fund. Ata që mund të mendojnë se unë jam fyer në sedër, në mënyrë absolute jo. Garda ka dalë herë të tjera dhe do të dalë sa herë të mos zbatohet rregullorja, dhe kjo është normale. Mund t’u them qytetarëve që ka patur raste që ata dilnin kur flisja unë dhe ju thoja “ikni, se nuk bie rrufeja aty ku s’duhet”. Pra, Garda del, por të dalë në këtë mënyrë, të mos lejojë deputetin të dalë në platformë për të folur sepse të sëmurit psikikë i thonë zërat se ky tani do të qëllojë, kjo është gjë totalisht e papranueshme. Në këtë kontekst ai ekzekutoi Parlamentin.
Çështja tjetër, zgjedhja e tij kryeprokuror. Ai u zgjodh kryeprokuror pasi opozita ofroi … Opozita, as nuk kishte dëshirë të zgjatej mandati i Llallës, as nuk kishte dëshirë të akuzohej se po lë vendin bosh të prokurorit. Opozita kishte dëshirë të zgjidhte një prokuror me vetting ashtu siç e përcakton Kushtetuta me 3/5 e votave. Por, Edi Rama për t’u zgjedhur vetë prokuror përdori 69 mandate dhe këtë e bëri duke shkelmuar për së dyti Kushtetutën me një qëllim të vetëm, të mbyllë dosjen e tij. Faktikisht, sa për Saimir Tahirin, Tahiri Ramës i çoi edhe kërcënime me jetë ditën e parë fare ndaj dhe betohej Saimiri për kokën e djalit, pikërisht se i kishte kërcënuar djalin dhe Tahirin vetë. Po kur Tahiri nxori dosje të tjera, faktikisht nuk është më dosja e Tahirit kryesorja, është dosja e Ramës kryesorja që e shtyn atë të bëhet kryeprokuror i vendit.
-Ju do ta digjni mandatin tuaj personal apo do t’i bindeni vullnetit të grupit?
Nuk kam marrë vendim akoma. Por unë po ndjek debatin normal që po zhvillohet mes forcave politike, të cilat po diskutojnë për qëndrimet që do të mbajnë ndaj Parlamentit. Unë e kam dhënë mendimin tim, nuk janë aspak të detyruara ta marrin për bazë. Por unë nuk kam thënë aspak se jam tërhequr nga mendimi. Unë jam duke e shqyrtuar këtë problem, por për mua Parlamenti ka vdekur, e ekzekutoi, e asgjësoi Edi Rama. Kjo është e vërteta. U thellua më tej me përjashtimin e shtatë deputetëve. Pasi përgjakën një deputete nga banditët me uniformë, pasi qëlluan me grusht deputeten tjetër banditë me imunitet dhe përjashtuan dje shtatë deputetë duke treguar se Parlamenti nuk është gjë tjetër veçse një klub trafikantësh, i cili nuk ekziston më si institucion i pluralizmit.