Kur duhet të mbajë përgjegjësi eprori për paaftësinë e vartësve?

Nga Gjergji Nika

Në administratën shtetërore ka gjithmonë të paaftë, të cilën me paaftësinë dhe makutërinë e tyre janë pjesa më e rrezikshme e një shoqërie që kërkon të ndryshojë të emancipohet dhe t’u përgjigjet sfidave të së ardhmes.

Pikërisht kjo pjesë e administratës mbijeton gjithmonë, sepse nuk bëjnë asgjë, por duket se bëjnë gjithçka.
Në fakt gjithçka e bëjnë qëllimisht keq! Sikur të duan që eprorët e tyre të dështojnë…

Janë pikërisht ata, të cilët mendojnë se kanë lindur për të qenë përjetësisht në administratë; që besojnë se janë të domosdoshëm në ato poste ngaqë janë militantë të partisë në pushtet, ngaqë i kanë në poste shtetërore të gjithë familjen.

Pikërisht këta janë servilët, të paaftët, të vrazhdët me vartësit e qytetarët, të veshur me rroba firmato, që pijnë verëra të shtrenjta, por që fatkeqësisht janë të pakulturuar e aspak profesionistë…
Këta janë komodë kur drejtuesi i tyre është njëlloj si ata…

Pikërisht aty ndihen se luajnë në fushën e tyre dhe ndihen të pakërcënuar, madje shumë të fuqishëm… Sepse kanë nuhatje për të kuptuar e meaxhuar psikologjinë e të tjerëve dhe për të fituar para e pushtet…, duke i përkëdhelur sedrën eprorit…

Këta i shmangen çdo lloj ballafaqimi profesional, lere më ndonjë ballafaqimi kulturor e qytetar…
Gjithmonë të buzëqeshur në rreshtin e parë të aktiviteteve festive, turistike, drekave e darkave për t’u dukur socialë e bashkëpunues… Edhe për të përfituar…

Ndoshta kanë gjetur terren. Ndoshta i kanë hedhur trutë e gomarit drejtuesit të lartë të administratës dhe e përdorin dhe e keqpërdorin mirësinë e bonsensin, kur është i tillë…

Dhe…, drejtuesi merr pasojat për dështimet dhe paaftësinë e vartësve të tij.

Ata jo, ata aty do të jenë, përsëri butakë që do të mbijetojnë. Eprorët e tyre, ndoshta jo…

Pavarësisht se mund të kenë marrë kosto të mëdha nga paaftësia e vartësve të besuara, pavarësisht dëshirës së mirë, qytetarisë apo besimit që kanë treguar…

Exit mobile version