Kurbin, vjehrri vret me levë nusen e djalit

Një sherr në familje, përfundoi me vrasjen e nuses së djalit nga vjehrri në fshatin Zhejë të Kurbinit. Noc Tota 76-vjeç mëngjesin e kësaj të mërkure qëlloi me levë hekuri, nusen e djalit të tij, Vera Totën, 42 vjeçe nënë e dy fëmijëve. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e banesës, pas grindjes së të moshuarit me nusen e djalit. Policia u njoftua nga bashkëshorti i Verës, Arben Tota, i cili e gjeti gruan të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. Ky i fundit sapo ishte kthyer nga puna, në një kompani të sigurisë fizike.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, por edhe e trupit të gruas është vënë re se 42-vjeçarja ka pasur një plagë në kokë. Nga ekzaminimi paraprak dyshohet se vdekja e gruas mund të ketë ardhur nga kjo goditje. Pas ngjarjes, Ndoc Tota u largua nga banesa, por më pas u dorëzua në polici, ku dhe pranoi autorësinë e krimit.

Exit mobile version