Maskat grabisin 100 milionë lekë në një banesë në Memaliaj

Persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur rreth 100 milionë lekë në një banesë në Memaliaj. Mësohet se në banesën e shtetasit Anesti K. janë vjedhur një shumë e madhe parash nga persona të panjohur për policinë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 22:00, por vetëm dje Policia e Tepelenës ka dhënë informacione. Sipas burimeve, autorët kanë arritur të hyjnë në banesë përmes derës kryesore dhe më pas kanë marrë rreth 55 milionë lekë të vjetra dhe 35 mijë euro, në total 100 mln lekë.
Bëhet e ditur se grabitësit kanë qenë të maskuar dhe të armatosur. Nuk dihet nëse ata janë përleshur me të zotin e shtëpisë, por pasi kanë marrë paratë, grabitësit janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Policia tha se ka nisur hetimet, por deri tani nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë.
Ndërkohë, të shtunën u grabit banesa e një kambisti në Maliq të Korçës. Nga hetimet paraprake dyshohet se grabitësit kanë arritur të marrin rreth 3 milionë lekë. Zonja e shtëpisë është ndeshur me grabitësit në oborr, kur i ka kapur duke nxjerr plaçkat jashtë. “Kur u ktheva në shtëpi, pashë në oborr tre persona. Ata ishin të maskuar dhe të armatosur. Policë s’kishte. Hajdutët i pashë me televizor në dorë. Ishin të rinj. Njërit prej tyre i ra arma nga dora. Po nuk vuri dorë shteti, do të vë vetë, se është hera e dytë që më vjedhin shtëpinë”, tha bashkëshortja e kambistit.
Ndërsa, kambisti Vilson Mara, kërkoi ndihmën e policisë, duke telefonuar nr.129, por numri dilte i padisponueshëm. Sipas tij, edhe disa orë pas grabitjes, ky numër vijonte të ishte i padisponueshëm. Të kërcënuar në të drejtën e tyre të pronës dhe jetës, bashkëshortët Mara i bënë apel policisë që të zbardhë ngjarjen dhe të kapë autorët. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar katër ditë nga grabitja, policia ende nuk ka arritur të zbulojë autorët.

Exit mobile version