Nën kujdestarinë e Kancelares gjermane, Annegret Kramp-Karrenbauer po përpiqet të dalë nga hija e mentores së saj dhe të humbasë nofkën që i ka mbetur, “mini-Merkel”. Ajo thotë se kërkon t’u rikthejë votuesve ndjesinë se ata i përkasin një atdheu gjerman.
“Një epokë ka mbërritur në fundin e saj. Duhet të gjejmë mënyrën për t’i bërë njerëzit të ndihen në shtëpinë e tyre”, u shpreh këtë javë zonja Kramp-Karrenbauer ndërsa bëri njoftimin se do të kandidojë për të zëvendësuar zonjën Angela Merkel në postin e kryetares së Partisë Kristian Demokrate në pushtet (CDU).
Zonja Merkel njoftoi javën e kaluar se do të largohej nga posti i kryetares së partisë në muajin dhjetor, duke i dhënë fund kështu një periudhe prej dy dekadash, gjatë së cilës ajo e zhvendosi partinë më të fuqishme gjermane nga e djathta drejt qendrës së spektrit politik. Vendimi i saj erdhi pas dy zgjedhjeve lokale në të cilat CDU-ja dhe aleatët e saj të qendrës, së bashku me social-demokratët me prirje të majta, pësuan humbjet më të mëdha elektorale të dekadave të fundit, duke ua lënë terrenin të gjelbërve dhe partisë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Komentet e zonjës Kramp-Karrenbauer u bënë ndërsa po bëhej i ditur një anketim që sugjeron se shumica e gjermanëve ndjehen si të huaj në vendin e tyre, kryesisht për shkak të emigracionit. Sipas studimit të kryer nga Universiteti i Leipzigut, një nga tre gjermanë mendon se vendi është “pushtuar nga të huajt në përmasa të rrezikshme”.
Fluksi i 1.6 milionë refugjatëve dhe emigrantëve që nga viti 2014 shikohet si një faktor dëmtues për mandatin e katërt në detyrë të zonjës Merkel. Ajo planifikon të vazhdojë deri në vitin 2021, kur përfundon mandati i Kancelares, por po shtohen dyshimet nëse ajo do të mundet të qëndrojë deri atëherë.
Shumë vëzhgues nuk mendojnë se koalicioni i saj qeveritar do t’i mbetojë shenjave në rritje se social-demokratët mund të dalin vitin e ardhshëm nga koalicioni i dobësuar qeveritar.
Një anketim i botuar këtë javë nga gazeta “Bild” pasqyron një padurim në rritje me vendimin e zonjës Merkel për të qëndruar në postin e Kancelares, me 62% të të pyeturve që janë shprehur se ajo duhet t’i hapë rrugën një pasardhësi dhe të largohet deri në fund të këtij viti.
Zonja Kramp-Karrenbauer është përgatitur nga vetë zonja Merkel, e cila e tërhoqi nga detyra e ministres së parë të rajonit Saarland, në kufi me Francën dhe Luksemburgun, për ta bërë sekretare të përgjithshme të CDU-së, pozicion për të cilin pati disa rivalë kryesorë. Një mijë delegatë të CDU-së do të zgjedhin kreun e tyre të ri gjatë një kongresi të partisë muajin e ardhshëm në Hamburg.
Zonja Kramp-Karrenbauer konsiderohet si më liberalja ndër pretendentët dhe më e përshtatshmja për centrizmin e zonjës Merkel. Pranimi i saj i rëndësisë së “ndjesisë së përkatësisë” po shikohet si një afrim me aktivistët më konservatorë të partisë, të cilët kanë qenë të irrituar me marshimin e zonjës Merkel drejt qendrës dhe joshjen e votuesve social demokratë.
Një besimtare e devotshme katolike, zonjës Kramp-Karrenbauer do t’i duhet të flirtojë me të gjitha grupimet e partisë, për të fituar përballë rrezikut të saj më të madh – Friedrich Merz, një politikan ish-biznesmen dhe rival i vjetër i zonjës Merkel.
62-vjeçari Merz braktisi politikën aktive në vitin 2009, për të ndjekur një karrierë joshëse në biznes dhe financë, pasi humbi përballë zonjës Merkel. Ai ka qenë i preferuari i konservatorëve, të cilët e mbajnë mend për argumentat se emigrantët duhet të asimilohen dhe të adoptojnë kulturën gjermane. Ai perceptohet si i paparashikueshëm dhe është quajtur nga shtypi gjerman “një çorientues konservator”.
Megjithë natyrën e tij luftarake, zoti Merz pati refuzuar për vite me radhë idenë e një rikthimi në ballin e politikës. Njoftimi i tij javën e kaluar se do të kandidojë për kreun e partisë, ishte i papritur për zonjën Merkel, siç pranojnë ndihmësit e saj. Kjo lëvizje ka ndryshuar tashmë edhe garën me rezultat të parashikueshëm që do të zhvillohej mes pretendentes kryesore, zonjës Kramp-Karrenbauer, dhe ministrit të shëndetësisë Jens Spahn, i cili nuk shikohet si një pretendent real.
Sipas gazetës së biznesit “Handelsblatt”, zoti Merz do ta ndryshonte CDU-në, duke e shndërruar “në partinë e shtetit ligjor, në vend të fotografive selfie me azilkërkues – në partinë e besimtarëve që shkojnë rregullisht në kishë, në partinë e afaristëve, dhe mbi të gjitha, në partinë e burrave”. Shumica e komentuesve gjermanë pranojnë se nëse zgjidhet zoti Merz, do të jetë e pamundur për zonjën Merkel të qëndrojë në detyrën e Kancelares deri në përfundim të mandatit.
Zoti Merz ka avantazhin e fillimit më herët të garës për zëvendësimin e zonjës Merkel, por ai ka zhgënjyer një pjesë të së djathtës duke lavdëruar planet për reformimin e Bashkimit Evropian, të mbështetura nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për një integrim të mëtejshëm të BE-së. Zoti Merz gjithashtu është shprehur se Gjermania duhet të bëjë më shumë për të mbajtur BE-në të bashkuar.
“Duhet t’u themi njerëzve në këtë vend se gjermanët duhet të kontribuojnë më shumë se të tjerët për suksesin e Bashkimit Evropian”, u shpreh zoti Merz gjatë një aktiviteti javën e kaluar. “Duhet të bëjmë më shumë se ç’po bëjmë aktualisht, pasi nëse Evropa dështon – dhe ky është një opsion i qartë; askush nuk mundet ta mohojë; Evropa gjendet në buzë të humbëtirës në këtë moment – nëse Evropa dështon, gjermanët do të jenë ata që do të vuajnë më së shumti”, tha ai.