Kancelarja gjermane Angela Merkel ka folur për mungesën e konsensusit mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mbi vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një konferencë për shtyp nga Këshilli Evropian, Merkel u shpreh se ky vendim i BE-së do të shkaktojë zhgënjim mes dy vendeve me statusin kandidat nga Ballkani Perëndimor, duke shtuar se mirëkupton qëndrimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili i mëshon nevojshmërisë për reformimin e sistemit të zgjerimit të Unionit.
“Janë disa vende që kanë rezerva për hapjen e negociatave. Ne kemi diskutuar për këtë, problemi është se cili do të jetë efekti nëse hapen negociatat. Patjetër që do të zhgënjehen si kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Unë fola me Zaev, por e mbështes në një pikë Macron sa i përket procesit ë zgjerimit që duhet reformuar.
Kemi rënë dakord për disa gjëra që duhen bërë ne vërtetë dëshirojmë që të ndodhë hapja e negociatave. Maqedonia e Veriut ka bërë shumë sa i përket hapjes së negociatave. Ndryshimi i emrit ka qenë një progres i madh, por edhe Shqipëria ka bërë progres, por nuk na ka bërë ende që të marrim një vendim unanim, ka pasur ndasi sa i përket një vendimi të përbashkët.“- tha Merkel.
Ndërsa e pyetur veçmas për Shqipërinë, kancelarja vuri në dukje se ecuria e vendit, nuk ka qenë e mjaftueshme për të dhënë “dritën e gjelbër” të nisjes së bisedimeve.
“Në Gjermani ka rezerva sa i përket Shqipërisë, bëhet fjalë për hapjen e negociatave të Shqipërisë , ata patjetër që duhet të përballen me disa kushte që ne kemi vendosur, në Shqipëri vazhdon të ketë probleme, përfshirë edhe emigrimin, megjithëse Shqipëria ka bërë maksimumin sa i përket kësaj çështje.
Në fakt kur bëjmë premtime, patjetër që duhet t’i mbajmë dhe nuk duhet t’u kthejmë shpinën vendeve ndërkohë që bëjmë premtime. Në fakt janë disa faza sa i përket anëtarësimit në BE”, u shpreh Merkel.