Presidenti i zgjedhur, Donald Trump emëroi Gjeneralin James Mattis për postin e sekretarit të Mbrojtjes. Gjenerali në pension ka një karrierë të gjatë në ushtri dhe njihet edhe si studiues.
Njeriu i zgjedhur nga zoti Trump për sekretar të Mbrojtjes është Gjenerali në pension James Mattis. Ai ka shërbyer si komandant i Komandës Qendrore amerikane, e cila drejton operacionet në Lindjen e Mesme, si dhe si komandant i Forcave Supreme të NATO-s.
Përkushtimi ndaj misionit që ka treguar përballë forcave armike në Afganistan dhe Irak u bë shkaku që mori nofkën “qen i zemëruar” – një epitet që në gjuhën angleze reflekton reputacionin dhe respektin që ai gëzonte si një komandant që nuk njihte sprapsje, që nuk epej kollaj.
“Si ushtarak, si marins, ai ka vepruar gjithnjë me besnikëri ndaj kontigjentit të tij; ndaj ushtarëve që shërbenin me të. Kur e takova për herë të parë në Nangahar të Afganistanit, në një kohë që kishte plasur një betejë e ashpër më 2006, pashë që ishte një komandant me një fuqi të madhe frymëzuese. E di që unë gjeja frymëzim prej tij”, thotë Gjenerali John Nicholson.
Ekspertët vënë në dukje që ai është edhe ushtarak, edhe studiues.
“Ai konsiderohet si një ndër njerëzit me bagazhin më të madh të njohurive nga librat, si dhe nga eksperienca në terren në këtë brez gjeneralësh”, thotë Michael O’Hanlon i Institutit Brookings.
Analisti Michael O’Hanlon beson se eksperienca dhe përgatitja e tij e kanë bërë Gjeneralin Mattis më praktik se shumë komandantë të tjerë lidhur me vlerën dhe të metat e fuqisë ushtarake.
“Është gjë e mirë që një ushtarak me përvojën dhe kredibilitetin e Gjeneralit Mattis po këshillon Donald Trumpin, pasi zoti Trump do t’ia dëgjojë fjalën një njeriu të tillë dhe mendoj se do të jetë më i prirur të bindet nga argumentet për të mos përdorur forcën, nëse ia sugjeron dikush si Gjenerali Mattis”.
Para se të konfirmohet kandidatura e tij, Kongresi duhet të miratojë një përjashtim nga ligji që ndalon emërimin e gjeneralëve në postin e shefit të Pentagonit, pa mbushur shtatë vjet në pension nga karriera ushtarake. Mattis ka qenë në pension prej tre vjetësh.
Ligji synon të krijojë një shkëputje kohore mes shërbimit ushtarak dhe udhëheqjes civile të departamentit.
Kongresi e ka bërë më parë një përjashtim të tillë kur lejoi Gjeneralin e Luftës II Botërore, George Marshall të shërbente si sekretar i Mbrojtjes më 1950.