Kush janë enveristët e punëve të brendshme

Nga Kastriot Dervishi
Në ngjarjet e vitit 1991, kanë ngelur jo fort e njohura revoltat e oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët ishin edhe më të indoktrinuar se ata të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Ata të armës së Sigurimit, Enver Hoxha i quante “punëtorë të specializuar partie”, në vijën e parë të luftë me “armikun e klasës”. Ata nuk përshtateshin fare me ndryshimet e reja në vend dhe as kuptonin çfarë po ndodhte. Rrallë ndodh në botë që p.sh. një shërbim sekret si Sigurimi të ishte kaq jashtë loje e në nivele të larta mediokriteti, konsekuencë logjike e ardhur nga përzgjedhja politike e këtij kontingjenti. Më poshtë po përcjell telegramin e Degës së Punëve të Brendshme Lushnje në mbrojtje të figurës së diktatorit. Mënyra ultimative e tekstit si dhe gjuha mediokre, janë vizatimi më i mirë për këtë kategori enveristësh që vetëm ushtarakë nuk mund të ishin. Në një prej pikave japin edhe porosi si duhen dhënë intervistat në “Zërin e Amerikës” (në vëmendje të z.Elez Biberaj). Ishin kaq të marrë sa edhe kur erdhi z.Biberaj për vizitë në Shqipëri pak javë më vonë, u trajtua “armik” si subjekt i Degës së Parë të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit. Nuk ndryshonin këta në asnjë mënyrë konceptet e mikut dhe armikut.

***
Telegram
Këshillit Presidencial të RPSSH
Ministrisë së Mbrojtjes Popullore
Ministrisë së Punëve të Brendshme
Gjithë degëve të punëve të brendshme
Kolektivi i Degës së Punëve të Brendshme Lushnje, me ndjenjë të lartë e detyrë të shenjtë mbrojtjen e atdheut dhe veprës të komandantit tonë legjendar Enver Hoxha, u mblodh sot për t’u betuar edhe njëherë se do të jetë besnik deri në vdekje i detyrave që i ka ngarkuar populli e atdheu.
Të indinjuar nga veprimet vandaliste të forcave destruktive, kërkojmë:
1-Programet e partive politike të krijuara në vendin tonë, të ballafaqohen me veprimet e deklarimet konkretet të tyre dhe për ato që bien në kundërshtim me programet e miratuara të nxirret jashtë ligjit.
2-Urgjentisht të zbulohen organizatorët e sulmit kundër monumentit të Enver Hoxhës dhe t’i bëhen të njohura sa më shpejt mbarë opinionit publik shqiptar dhe nëse kjo veprimtari është e përgatitur dhe e drejtuar nga jashtë.
3-Të ndalohet dhënia e emisioneve me anë të telefonit nga të gjitha partitë politike “Zërit të Amerikës”. Ndaj atyre që do të veprojnë në kundërshtim me këtë kërkesë, të ndalohen me forcë nga organet e pushtetit.

4-Të merren masa për marrjen në përgjegjësi penale për veprimtari në dëm të interesave të atdheut ndaj Lisien Bashkurtit, Napolon Roshit dhe Azem Hajdarit.
5-Duke qenë të bindur sa më lart, shprehim kërkesat e ligjshme të efektivit tonë, i lutemi radio-televizionit shqiptar dhe radio Kukësit, Gjirokastrës, Korçës e Shkodrës të komunikojnë pa asnjë koment këtë telegram.
Për të gjitha problemet kërkojmë përgjigje nga Këshilli Presidencial deri më datë 25.2.1991.
Nga kolektivi i DPB Lushnje
Lushnje, 23.2.1991

Exit mobile version