Mynyr Koni, Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, ndërsa e cilëson si në shkelje të ligjit kërkesën e 4 dekanëve për shkarkimin e tij. “Më vjen keq, nëse ka individë që mendojnë në mënyrë të tillë, as e kam menduar dhe as e mendoj. Kërkesën time e kam pasur aspiratë të punës sime si akademik në UT dhe unë kam kërkuar dhe vlerësoj të gjithë stafin akademik dhe studentët që më kanë votuar. Do luftoj vazhdimit për të mbrojtur interesat e Universitetit. Nuk janë dekanët që kanë zgjedhur Rektorin, por është stafi akademik dhe studentët. Dekanët tregojnë se kërkojnë të shkelin ligjin dhe kjo është arsyeja pse kanë shkuar në këtë ekstremitet personal për të kërkuar shkarkimin e Rektorit. Është e drejta e tyre, por mua nuk më shqetëson fare pse dekanët e kanë bërë një veprim të tillë”, tha Koni në një intervistë për Oranews.
Koni thotë se u njoh me përmbajtjen e kërkesës së dekanëve drejtuar ministres për shkarkimin e tij vetëm sot në mesditë. “U njoha me kërkesën e katër kolegëve, dekanë të Universitetit të Tiranës, me përmbajtjen e kërkesës së drejtuar zonjës ministre. Kjo kërkesë e tyre nuk është gjë tjetër veç ajo që unë kam shprehur sot paradite në konferencë për shtyp, se veprime të realizuar nga Bordi dhe administratori janë në mbështetje të ish-strukturave drejtuese.
Konkretisht dekanët përkatës janë ish-rektori, ish-drejtori juridik, ish-zëvendës/rektori etj. Kërkesat e tyre janë intimiduese për publikun, por asgjë të vërtetë në të.
Siç është rasti i rekrutimit, ku mund të them shumë qartë se, dekani i Fakultetit të Drejtësisë ka më së tre muaj që pengon dhe nuk sjell kriteret për miratimin nga rektori i Universitetit, duke cënuar rëndë demokracinë dhe të drejtën që ligji i jep Departamentit dhe duke penguar procesin e rekrutimit që mendoj e bën në mënyrë të qëllimshme.
Dekani i Shkencave Sociale që paska bërë një kërkesë të tillë në grup, është ai që në vitin 2016 u regjistruan 25 studentë që ishin të 4000 dhe 5000 dhe falë strukturës së kujdesshme të administratës së sekretariatit të UT u eliminuan.
Dekani Kule, ish-rektori i cili mund të them që jo më larg, por dje ose pardje nga Fakulteti i tij kanë ardhur kërkesa për të firmosur kontratat e punës për punonjësit e ndihmës akademike. Është e qartë kërkesa dhe qëllimi i tyre dhe misioni i tyre në këtë situatë që tregon qartë se janë mbështetësit dhe suportuesit e Bordit dhe indirekt dhe të administratorit në bllokimin e institucionit të Rektoratit dhe Rektorit”, tha Koni.