Biznesmeni Memli Begalla është qëlluar nga 5 metra largësi poshtë pallatit ku banonte nga persona ende të paidentifikuar. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët. Tre persona u shoqëruan në polici për të dhënë shpjegime mbi atentatin e një nate më parë ndaj biznesmenit Memli Begalla, por më pas u lanë të lirë. Nga dëshmitë e familjarëve u mësua se biznesmeni zbriti orës 20:30 nga banesa që ndodhet në katin e tretë të këtij pallati në zonën e ish-bllokut. Më pas, ai iu drejtua autoveturës tip “Renault” që kishte të parkuar në oborr, por në këtë moment u qëllua nga dy persona që i kishin zënë pritë.
Hetuesit morën pamjet e disa kamerave të sigurisë së zonës, me shpresën se mund të ndihmojnë në zbardhjen e atentatit si dhe dëshmitë e dy djemve të tij. Nga banorë të zonës njihej si person pa probleme. “Nuk e dija që kishte probleme. E pashë, nuk dëgjova të shtëna”, tha një dëshmitar.
Policia po heton nëse Begalla ka pasur probleme me ligjin apo konflikte në Zvicër, ku kishte qëndruar disa kohë. Madje në këtë periudhë, ai mësohet se kishte ndërruar edhe emrin nga Afrim në Memli Begalla.
Memli Begalla u ekzekutua mbrëmjen e të mërkurës në zonën e Bllokut nga persona ende të paidentifikuar. Burimet nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të së mërkurës, në rrugën “Nikolla Tupe” në sheshin mes pallateve në qendër të ish-Bllokut. Mësohet se 64-vjeçari ishte një biznesmen i njohur. Burimet thanë se, viktima është ndjekur nga disa persona që lëviznin me një automjet tip BMW të zezë me xhama të errët.
Viktima e ka kuptuar që po ndiqej dhe ka tentuar të futet në një parkim, ku kishte lënë automjetin e tij. Ai është arritur pranë një tuneli nga autorët, të cilët kanë qëlluar disa herë mbi të me një armë me silenciator. Të njëjta burime thanë se, Begalla banonte në atë zonë. Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policie.
Dyshimet e para janë se, biznesmeni mund të jetë vrarë për shkak të borxheve. Në të kaluarën e tij, numërohen të paktën dy ngjarje kriminale ku rezulton i përfshirë, falsifikimi i një shume monetare dhe rrëmbimi i të bijës në Itali.