Kryetari i opozitës, Lulzim Basha deklaroi dje se votimi për zgjedhjen e kryeprokurorit është i pavlefshëm dhe se e vetmja hapësirë që Kushtetuta dikton për zgjedhjen e kryeprokurorit është ajo e emërimit të tij me 3/5 e votave në Parlament. “Dua ta nis këtë komunikim përmes medias me të gjithë qytetarët shqiptarë që na ndjekin në një konstatim të qartë dhe të thjeshtë. Dje është konsumuar një puç kushtetues dhe vendi është futur në një spirale anormaliteti. Dje, Edi Rama ka shkelur dhe ka dhunuar Kushtetutën në mënyrë flagrante, qëllimi ka qenë kapja politike e Prokurorit të Përgjithshëm. Qëllimi i vërtetë është që përmes kapjes dhe emërimit të një kryeprokurori nën kontrollin politik të Edi Ramës, të mbyllen sa më parë dosjet e krimit që implikojnë bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe vetë Edi Ramën. Unë dua të përshëndes dhe të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët që iu përgjigjen thirrjes së opozitës. Protesta e djeshme dhe protestat që do të vijojnë janë një reagim i qytetarëve kundër puçit kushtetues të qeverisë. Shqiptarët e dinë se, Kushtetuta nuk i përket asnjë partie; është e të gjithë qytetarëve dhe të gjithë e kanë për detyrë ta mbrojnë atë. Kur Kushtetuta dhunohet, dhunohet çdo njeri pavarësisht prej bindjeve politike, pavarësisht prej statusit të tij apo të saj në shoqëri. Protesta e djeshme dhe protestat që do të vazhdojnë janë shprehje të revoltës qytetare kundër mashtrimit nga Edi Rama me Reformën në Drejtësi. Qytetarët kanë besuar tek Reforma në Drejtësi, kanë besuar tek vetingu, tek pastrimi i sistemit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të kapur politikisht, por në fakt dje është provuar katërcipërisht se Edi Rama është i vendosur në rrugën e tij antireformë. Parlamenti nuk është ai që patë dje me një shumicë të marrë peng nga krimi dhe paratë e drogës. Parlamenti është Kushtetuta, janë ligjet, nuk janë as karriget, as kartonat e deputetëve dhe aq më pak kartonat e vjedhur dhe të trafikuar, siç e patë dhe siç e pa gjithë bota dje, nga Taulant Balla dhe ushtarët e tjerë të Edi Ramës në sallën e Parlamentit. Ajo çfarë është e rëndë nuk është sjellja e opozitës në Parlament, por është sjellja e Edi Ramës me Kushtetutën, nuk janë tymueset, por është thyerja dhe dhunimi i Kushtetutës. Ka vetëm një shkatërrim, ka vetëm një dhunim është shkatërrimi dhe dhunimi i Kushtetutës nga Edi Rama; kjo do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe për demokracinë në vend. Shqipëria nuk mund të ketë dy standarde kur vjen fjala tek shteti ligjor dhe tek demokracia, ka vetëm një standard, standardi perëndimor, standardi euroatlantik, standardi europian, standardi amerikan. Në çdo vend të botës, nëse do të zbulohej se ministri i Brendshëm është koka e trafikut dhe se Policia ka funksionuar si organizatë kriminale në mbështetje të trafikut, qeveria do të ishte rrëzuar. Në Amerikë, në Gjermani, në Bruksel nuk tolerohet një situatë si në Shqipëri, atje qeveritë bien për shumë më pak. Në çdo vend perëndimor, Saimir Tahiri duhet të ishte në burg dhe Kryeministri duhet të ishte në hetim. Dua të theksoj edhe një herë faktet, Kushtetuta nuk lejon asnjë hapësirë tjetër përveçse zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 3/5 e votave të Kuvendit. Kjo është Kushtetuta. Kushtetuta kishte caktuar prillin e këtij viti si afatin e fundit për zgjedhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pra 8 muaj më parë duhej të ishte zgjedhur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, 8 muaj para mbarimit të mandatit të Kryeprokurorit. Për këtë arsye, Kushtetuta nuk lejoi asnjë periudhë kalimtare apo të përkohshme. E gjithë procedura e ndjekur nga Rama nuk është thjesht dhe vetëm antikushtetuese, por është e sajuar aty për aty, nuk është e shkruar në asnjë ligj, në asnjë rregullore, asnjë dokument, thjesht Komisioni i Ligjeve uzurpoi të gjitha kompetencat e një institucioni tjetër kushtetues të pavarur nga Parlamenti që është Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe prodhoi farsën, prodhoi puçin antikushtetues. Kushtetuta ndalon gjithashtu që Kryeprokuror apo dhe prokuror i thjeshtë të zgjidhet dikush që nuk e ka kaluar vetingun. Kryeprokurori u zgjodh me më pak se me votat e gjysmës së Kuvendit, duke bërë këtë rastin e vetëm në historinë e Shqipërisë, ku Kryeprokurori zgjidhet më më pak se 50% të votave dhe votimi është nul dhe i pavlefshëm, sepse është kryer në shkelje flagrante të rregullores. Ky është një detaj, sepse natyrisht më e rënda është thyerja dhe dhunimi i Kushtetutës. Natyrisht të gjitha këto fakte, jo opinione, por fakte të çojnë në të njëjtin përfundim: Prokurori i Përgjithshëm është një emërim politik i Edi Ramës, në fakt Kryeprokurori sot është Edi Rama. Arsyeja dhe misioni është mbrojtja e vetvetes, pra misioni i Kryeprokurorit të kapur politikisht është të mbrojë Ramën”, është shprehur Basha.