Puçi kushtetues ndalet vetëm me përballje popullore

“Fundi i narkoshtetit është i sigurt dhe i pashmangshëm”. Me këto fjalë, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha paralajmëroi dje fundin e pashmangshëm të qeverisë Rama dhe pushtetit të tij. Përmes një konference me gazetarët, Basha deklaroi se puçi kushtetues i Edi Ramës kundër Reformës në Drejtësi e ka futur vendin në një spirale anormaliteti. Kryeprokurori sot është Edi Rama. Basha theksoi se qëllimi i Ramës është që, përmes kapjes dhe emërimit të një kryeprokurori nën kontrollin e tij politik, të mbyllë dosjen “Tahiri” dhe dosjet e tjera të krimit që i rrezikojnë pushtetin. Nga ana tjetër, ai deklaroi se Edi Rama sabotoi KLP që të emërojë kryeprokuror pa vetting, pa 3/5, antikushtetues, të vonojë formimin e SPAK dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Kreu i PD theksoi se, problemi nuk janë tymueset në Parlament, por thyerja dhe dhunimi i Kushtetutës. Ndaj dhe ai, paralajmëroi se kjo do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin dhe për demokracinë në vend. Ndërsa theksoi se, në Shqipëri ka rënë shteti. Ai deklaroi se protestat, që do të vazhdojnë janë shprehje e revoltës qytetare kundër mashtrimit nga Edi Rama me Reformën në Drejtësi. “Kriza e rëndë politike nuk zgjidhet me peticione juridike në Gjykatë, por me përballje politike për Shqipërinë e standardit perëndimor. Puçi kushtetues nuk ndalet me peticion, por vetëm me përballje dhe vendosmëri popullore”, theksoi Basha.

– Zoti Basha, ju thoni se dje mazhoranca ka konsumuar një puç kushtetutes, a do ta godisni në Gjykatën Kushtetuese vendimmarrjen e Parlamentit?
Për pyetjen e parë, dua t’i sqaroj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Gjykata Kushtetuese, nuk është as zjarrfikës dhe as forcë paqeruajtëse. Gjykata Kushtetuese është një institucion juridik, i cili ka për detyrë të interpretojë paqartësitë në raport me zbatimin e Kushtetutës. Kushtetuta është qartë si drita e diellit. Askush nuk duhet ta mendojë, as të fshihet pas gishtit, se shpëtimi në krizën ku ndodhet vendi, ku institucionet janë zaptuar nga narkoshteti, ku kryeprokurori është emëruar politikisht në shkelje të Kushtetutës, do të vijë përmes proçedurave juridike apo apeleve dhe ankesave në Gjykatë Kushtetuese. Vetë Gjykata Kushtetuese është në presion, praktikisht e paralizuar si rezultat i ofensivës së narkoshtetit. Ndaj e vetmja zgjidhje për këtë krizë të rëndë politike, të shkaktuar nga një narkomazhorancë dhe nga një narkokryeministër, është një përballje politike, e cila nisi dje dhe do të vazhdojë deri në përfundimin, me fitoren e plotë të kushtetutshmërisë, të lirisë, demokracisë dhe aspiratave të qytetarëve shqiptarë, për një Shqipëri të standardit europian dhe jo një Shqipëri të standardit të narkoshtetit.

– Dje ish-kryeministri Berisha, ka hedhur idenë e djegies së mandateve, në shenjë proteste ndaj vendimit të mazhorancës. E mbështesni këtë ide?
Opozita i ka diskutuar në detaje të gjitha opsionet dhe të gjitha opsionet mbeten të hapura. Vendimet e opozitës do të jenë në përputhje me interesin më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

– Zoti Basha, ju e konsideruat votimin, nul, si një detaj, por që është edhe në shkelje të Rregullores së Kuvendit, a do ta quani legjitim, gjithsesi? Se duke mos u ankuar, duke mos ndjekur veprimet institucionale u jep argumenta edhe të tjerëve lidhur me qëndrimet e opozitës.
Më lejoni në rradhë të parë të them se, kjo nuk është një çështje burokracie, as peticionesh, por është një çështje e mprehtë politike. Shqipëria gjendet në një krizë të gjithanshme politike, ekonomike, kushtetuese, në një krizë të thellë besimi. Këtë e tregojnë shifrat e shqiptarëve që vazhdojnë të largohen nga vendi në mënyrë të frikshme, pavarësisht apeleve të vendeve anëtare të BE-së, për ta ndalur. Kjo nuk ndalet, për një arsye të thjeshtë, sepse në Shqipëri ka rënë shteti. Kur shteti ligjor ka rënë, kur narkoshteti ka pushtuar çdo hapësirë, detyra kryesore e opozitës është të ftojë qytetarët, duke vetëdijësuar qytetarët për këtë të vërtetë, t’i ftoj të bashkohen me të gjitha mjetet demokratike, për t’u përballur, për të rikthyer shtetin ligjor, për të rikthyer Kushtetutën. Kjo është arsyeja se përse ne kemi bërë thirrje dje dhe në javët e ardhshme, për bashkimin e qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike, por që bashkohen tek Kushtetuta. Sepse Kushtetuta nuk është e Partisë Demokratike, as e Partisë Socialiste, është e çdo qytetari dhe është themeli i bashkëjetesës demokratike. Në këtë kuptim nuk dua të jap asnjë iluzion asnjë shqiptari, as protestuesve, as atyre që do të vijnë nesër, se kjo krizë e thellë politike që Edi Rama e ka shkaktuar për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij, të kapur në flagrancë si bashkëpunëtorë të krimit të organizuar, mund të zgjidhet me peticione ligjore. Pa dyshim që një mandat i fituar në mënyrë antikushtetuese është nul dhe i pavlefshëm. I tillë është edhe mandati i fituar dje. Por, nuk është thjesht nul dhe i pavlefshëm. Askush të mos ketë asnjë iluzion. Kryeprokurori në Shqipëri që prej ditës së djeshme është vetë Edi Rama. Dhe arsyeja përse e ka bërë këtë, është thjesht ekzistenciale, jo thjeshtë për Saimir Tahirin dhe Vangjush Dakon, por për vetë atë. Dua t’i them çdo shqiptari, të reflektojmë se ku kemi qenë 5 muaj më parë. As Edi Rama dhe për fat të keq askush nuk e përmendte problemin e drogës, përkundrazi, na sulmonin dhe na akuzonin ne si opozitë. Këto janë faktet, siç e dini fare mirë. Në pak muaj e vërteta ka dalë në pah dhe nuk ka më kthim prapa në rrugën para nxjerrjes para drejtësisë të atyre që e katandisën Shqipërinë në një vend të drogës dhe të krimit. Beteja jonë është e gjatë, por fundi i saj është i pashmangshëm. Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Qazim Sejdini, Habilajt, Balilajt, Ahmetajt, Gjiknurët, herët a vonë do të përgjigjen përpara drejtësisë. Qeverisja e Edi Ramës politikisht, ka marrë fund. I vetmi mision është, të shpëtojë kokën e tij. Nuk do t’ia dalë dot, as paratë e drogës, as kriminelët nuk e shpëtojnë dot sikundër nuk e shpëton dot as një kryeprokuror i zgjedhur në mënyrë antikushtetuese. Herët a vonë, Edi Rama do të përgjigjet, jo vetëm për përgjegjësitë e tij politike, por edhe për përgjegjësitë e tij para drejtësisë, për aleancën me krimin dhe për kthimin e Shqipërisë në një vend hambar të drogës dhe krimit. Mburoja e përkohshme që ka votuar dje, është një mbrojtje e përkohshme. Mobilizimi i qytetarëve, i opozitës, do të mundësojnë që vendi të kthehet në shinat e kushtetuetshmërisë, normalitetit, demokracisë dhe Reformës së vërtetë në Drejtësi.

 

– Gjithashtu folët edhe për një valë protestash. Nëse ndodheni përballë situatës që kandidaturat për zgjedhjen e anëtarëve nga Kuvendi për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ju do të merrni pjesë në Kuvend me fillimin e sesionit të ri, për zgjedhjen e këtyre anëtarëve dhe më pas për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm?
Këshillit të Lartë të Prokurorisë i kanë futur një thikë. Kush e di se kur do të formohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë? Duhej të ishte formuar në prill. Kanë kaluar 8 muaj. Opozita nuk kishte asgjë në dorë të pengonte apo përshpejtonte KLP. Kjo është një alibi, një gënjeshtër, një mashtrim i Edi Ramës. Faktet tregojnë se Edi Rama ka investuar për mosformimit të KLP-së, përmes levave të tij në Shoqërinë Civile. E ishin ata që insistuan se njëri nga ata duhej të vinte nga Shoqëria Civile dhe ishte pikërisht, Shoqëria Civile që dilte në demostrata për Reformën në Drejtësi, sipas versionit të Ramës dhe jo sipas Venecia-s, që tani nuk na çon kandidatët. Se kur do të formohet KLP nuk është në dorën e opozitës. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është sabotuar, për të mos pasur një kryeprokuror me vetting dhe me 3/5 e Kuvendit, por për të pasur një kryeprokuror pa vetting, të emëruar nga Edi Rama, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe për të njëjtën arsye po sabotohet dhe po vonohet formimi i SPAK dhe Byrosë së Hetimit, të cilën opozita siç e dini, është i vetmi nga shtatë ligjet që e ka votuar dhe e ka mbështetur në Kuvend.

– Zoti Basha, ju e quani mazhorancën nul në bazë së asaj që thoni se eshtë zgjedhur me vota të vjedhura. Njëkohësisht sot po e quani zgjidhjen e Gjykatës Kushtetuese, si një iluzion që mund t’i jepet qytetarëve, sepse sipas jush nuk mund të marrë zgjidhje nëpërmjet dokumentave ligjorë. Ju keni deklaruar njëkohësisht se do të bëni opozitë institucionale, por tashmë po i ktheheni popullit për t’i kërkuar praktikisht ndihmë. A nuk do të thotë kjo që ju nuk po njihni institucionet dhe nuk ka asnjë mënyrë që kjo të nisë dhe të çohet deri në fund si opsion ligjor që ekziston?
Dua të përsëris atë që thashë, por ta bëj pak më të qartë, për ju dhe për njerëzit. Dje, Edi Rama vendosi kryeprokurorin siç deshi vetë, pa vetting, pa asnjë proçedurë, pra KLP nuk ka, por KLP është Ulsi Manja. Ulsi Manja mori kryeprokurorin dhe tha, ky do të jetë kryeprokurori dhe Shqipëria tani ka një prokuror që është edhe kryeministër, sepse nuk ka kryeprokuror tjetër. Ta zëmë se me të njëjtën logjikë, Edi Rama mbledh Parlamentin ditën e enjte, dhe vendos se mandati i kryeministrit nuk do të jetë 4 vjet, por do të jetë 8 vjet, ta zëmë se vendos të anulojë pluralizmin politik, siç e kuptoni, as problemi nuk është ligjor dhe kushtetues, çështje e interpretimit të hollë, fin dhe delikat të detajeve, dhe as zgjidhja nuk mund të jetë institucionale në kuptimin e peticioneve ndaj gjykatave. Problemi është thellësisht politik. Grushti i shtetit, puçi kushtetues, nuk ndalet me peticion ndaj gjykatave, por ndalet vetëm me përballje dhe vendosmëri popullore. Opozita ka pjesën e vet, opozita nuk është pronare, as zëdhënëse e Kushtetutës, janë të gjithë qyetarët dhe të gjithë faktorët e shoqërisë, duke përfshirë median, Shoqërinë Civile të vërtetë, jo atë të kapurën dhe të blerën, duke përfshirë faktorin ekonomik, biznesin e vogël dhe të mesëm, të rinjtë, të rejat, studentët , të gjithë njerëzit duhet të vetëdijesohen se Kushtetuta është e tyre, as e imja, as e Edi Ramës, as e Partisë Demokratike, as e Partisë Socialiste. Është pakti që garanton paqen sociale dhe politike, demokracinë, rrotacionin përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shtetin ligjor, të drejtat dhe liritë themelore të qytetarit, funksionimin e lirive në kuptimin e avancimit individual, në lumturi, në liri, të gjitha këto janë në Kushtetutë. Kushtetuta është dokumenti themelor. Puçi kushtetues nuk ndalet me peticione, ndalet vetëm me përballje.

– Zoti Basha, në këto momente që po flasim janë akoma të ndaluar protestues të djathtë para Parlamentit, ndërkohë që disa deputetë janë duke u ndjekur penalisht. A keni një qëndrim lidhur me këtë?
Kjo është pjesë e skemës së terrorit të narkoshtetit dhe të një ministri të brendshëm, i cili është aty jo si pjesë e vullnetit politik, por si emërim i narkotrafikut, të cilit i shërben përmes vëllait të tij Agron Xhafaj. Nuk ka asnjë habi nga ana ime. Kjo ka ndodhur sa herë opozita ka protestuar. Dhe sot kur shpërbërja e krim politikës sapo ka nisur dhe paniku i Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës është në kulm, natyrisht tregon pasigurinë dhe panikun e tyre. Ne do të ndjekim hap pas hapi të gjithë hapat ligjorë. Avokatë, jurisë të PD, deputetë të PD janë pranë çdo të ndaluari në mënyrë të paligjshme për t’i mbështetur ata nga ana ligjore, po kështu dhe nga ana morale dhe politike. Ne po evidentojmë dhe do të evidentojmë çdo punonjës të shtetit që po shkel ligjin apo po zbaton urdhëra politikë dhe i garantoj se, do t’i dokumentojmë me emër dhe mbiemër dhe për çdo shkelje të ligjit dhe dhunim të protestuesve, të qytetarëve dhe të mbështetësve të opozitës, do të japin llogari shumë shpejt.

– Zoti Basha, ambasada e SHBA dhe e BE e kanë cilësuar të dhunshme protestën dhe gjithashtu e kanë dënuar sjelljen e deputetëve në Parlament. Keni një reagim në lidhje me këto qëndrime?
Nuk kam ndërmend të ndryshoj sot rregullin tim për të mos komentuar ambasadorët e huaj. Dhuna e vetme dje në Parlament nuk ishin tymueset, por dhunimi i Kushtetutës. Çfarëdo të thonë ambasadorët, faktet janë ato që janë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar prej 8 muajsh në dhunim flagrant me Kushtetutën. Prokurori është zgjedhur në mënyrë antikushtetuese nga Edi Rama. Prokurori është zgjedhur pa Veting. SPAK dhe Byroja e Hetimit nuk janë formuar dhe nuk dihet se kur do të formohen. Këto janë fakte, të tjerat pastaj janë çështje mendimesh dhe opinione që gjithkush ka të drejtë t’i japë dhe natyrisht të mbajnë përgjegjësi para atyre që mbajnë përgjegjësi.

– A jeni në komunikim ju me ambasadorët dhe me ambasadat lidhur me këto fakte?
Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë faktorin ndërkombëtar, i cili është më i vetëndërgjegjësuar se dje për krizën kushtetuese dhe politike në vend të shkaktuar nga kthimi i Shqipërisë në narkoshtet si projekt politik i Edi Ramës dhe të jeni të sigurt që nesër do të jenë më të vetëndërgjegjësuar se sot. Fundi i narkoshtetit është i sigurt dhe i pashmangshëm.

Exit mobile version