Kutinjo te Barcelona

Fundi i korrikut në Europë mund të shënojë disa lëvizje vërtet të mëdha në tregun e futbollistëve, pasi të gjitha të dhënat të çojnë në një drejtim, atë që lidh Barcelonën me Parisin për transferimin e Neymar, por jo vetëm. Kutinjo është vetëm një hap larg nga katalanasit, pasi klubi spanjoll ka arritur në parim marrëveshjen me Liverpoolin për transferimin e brazilianit në “Camp Nou” për 75 milionë euro. Kush mendon se Kutinjo te Barcelona do të ankorohet për të zëvendësuar Neymar, gabohet.
Drejtuesit e klubit katalanas besojnë se afrimi i talentit të Seleçaos do ta bëjë Neymar të qëndrojë, pavarësisht ofertës tunduese të PSG. Një lëvizje e zgjuar nga ana e Barcelonës, pasi sipas “Le Parisien”, PSG planifikonte pikërisht blerjen e Kutinjos për të plotësuar dëshirat e Neymar. I qartë duket edhe trajneri Unai Emery që nga SHBA ku skuadra ndodhet për turneun veror u përgjigj: “Klubi po punon mirë që ne të zhvillojmë një sezon pozitiv me ata që janë dhe me ata që do të mbërrijnë”.
Regjisori i këtij filmi duket se është i ati i Messit, i cili ka një influencë të madhe në botën e futbollit. Është pikërisht sulmuesi argjentinas që i ka kërkuar të bëjë lëvizjet e tij për të nxitur transferimin e Kutinjos në Barcelonë, por arsyeja nuk dihet. Ka nga ata që mendojnë se Messi dëshiron qëndrimin e Neymar, por nuk mungojnë as aludimet se numri 10 synon ta largojë përfundimisht brazilianin nga Katalonja. Cila është e vërteta? Vetëm fundi i merkatos së çmendur të verës do të nxjerrë në shesh shumë prapaskena.
Ndërkohë, drejtuesit e Paris Saint-Germain i kanë dhënë ultimatum Neymarit që të vendosë për të ardhmen. Sipas gazetës sportive franceze, “L’Equipe”, drejtuesit e Paris Saint-Germain nuk do ta presin gjatë Neymarin që të vendosë për të ardhmen. “L’Equipe” shkruan se Paris Saint-Germain i kanë dhënë ultimatum Neymarit që të kthejë një përgjigje deri në fund të javës së ardhshme. Thuhet se Paris Saint-Germain është e gatshme të shpenzojë 222 milionë euro për transferimin e Neymarit nga Barcelona.

Exit mobile version