Milan s’ka të ndalur, transferon një yll

Milani ka siguruar shërbimet e Renato Sanchesit. Sipas të përditshmes sportive franceze, “L’Equipe” Renato Sanches ka arritur marrëveshje për transferim te Milan. “L’Equipe” shkruan se Sanches së shpejti do të niset për në Itali për të finalizuar transferimin te skuadra nga “San Siro”.
Thuhet se rossonerët do t’i paguajnë Bayern Munichut 40 milionë euro për reprezentuesin portugez. Sanches do të jetë transferimi i njëmbëdhjetë gjatë kësaj vere.
Në pritje për të firmosur me Mahrez të Leicester, Roma po studion edhe pista të tjera. Sipas katalanases “Sport”, klubi verdhekuq kërkon Munir të Barcelona-s, për të cilin klubi italian është gati të paguajë 25 mln euro për 21-vjeçarin. Gjithsesi oferta është refuzuar menjëherë, pasi blaugranat e konsiderojnë të ulët shifrën e ofruar nga Roma.
Roma, ashtu siç raporton “Sky Sport” po mendon të blindojë Kostas Manolas, duke i ofruar një kontratë të re mbrojtësit grek. Kjo pasi lojtari ka përfunduar në “orbitën” e shumë skuadrave, veçanërisht rivalëve të Juventusit. Shoqëria verdhekuqe, pas dështimit të kalimit të Manolas te Zeniti, synon ta mbajë në skuadër 26-vjeçarin, pasi nuk dëshiron të përforcojë ekipet rivale.
Lazio pranë goditjes Sardar Azmoun. Klubi bardhekaltër prej kohësh ka shfaqur interes për lojtarin e Rubin Kazan dhe pas refuzimit të ofertës së parë, italianët kanë përmirësuar termat financiarë. Tashmë Lazio ofron 15 milionë euro plus bonuse dhe vetë lojtarit kontratë 5-vjeçare, për ta sjellë 22-vjeçarin në kryeqytetin italian.
Mbetet ende për t’u përcaktuar e ardhmja e Stefano Sturaro te Juventusi. Mesfushori ka përfunduar në “radarët” e shumë ekipeve që duan të përforcohen në mesfushë. Sipas mediave italiane, pistat janë 3: Fiorentina, Lazio dhe West Ham. Megjithatë për ta lënë të lirë 24-vjeçarin, klubi bardhezi dëshiron 18 milionë euro për kartonin e tij.
Aventura e Përparim Hetemajt te Chievo mund të mbyllet që këtë verë. Mesfushori 30-vjeçar nuk konsiderohet pjesë e projektit të klubit italian për sezonin e ri dhe për këtë është vendosur në merkato. Kërkesat për Hetemajn gjithsesi nuk mungojnë, me lojtarin që pëlqehet në Turqi nga skuadra e Trabzonspor.

Exit mobile version