Ky është heroi ynë

Blendi FEVZIU

Kush ka jetuar në komunizëm nuk mund të mos qeshë edhe sot me një frazë që ishte bërë më shumë se sa batutë. Një frazë që komunizmi e përmendte me një seriozitet të sforcuar, por që ishte as më shumë dhe as më pak një ide qesharake. Quhej “njeriu i ri”. Një model i huazuar nga Lej Feni kinez, një qenie e prodhuar në laboratorët artistikë, por që nuk zuri vend kurrë në jetë. Një njeri që më shumë se sa veten dhe familjen e tij donte partinë; një njeri që gjithnjë sakrifikonte dhe thuajse gjithnjë kishte një handikap; një gjysmë robot që përdorte fjalë shabllone dhe që nuk i lejohej të mendonte vetë. Për të mendonte partia dhe udhëheqësi. Në fakt, për fatin tonë të keq, eksperimenti i dështuar i komunizmit, ka gjetur një lloj modeli në demokraci. Në demokracinë shqiptare se padyshim që nuk gjendet askund tjetër në botë. Kemi prodhuar edhe ne “njeriun tonë të ri”. Njeriu ynë i ri është më i hedhur, më çapkën dhe më i shëtitur se sa ai i dështuar i komunizmit. Njeriu ynë i ri ka emigruar në vitet e para pas komunizmit, por ndryshe nga ata qindra mijëra emigrantë që u integruan dhe janë krenaria jonë në botë, ka pasur një jetë më të trazuar. Njeriu ynë i ri ka mundësisht disa emra, nga një për secilin vend europian ku ka kryer ndonjë krim. Njeriu ynë i ri ka disa dënime, mundësisht nga gjykatat më të besueshme të Europës. Mund të jetë dënuar për vjedhje në Gjermani, për drogë në Holandë apo në Zvicër, për vrasje në Greqi apo prostitucion në Itali. Njeriu ynë i ri mund të ketë shkuar edhe më larg. Mund të jetë marrë me shpërndarje kokaine në Bronx apo Manhatan, por gjithnjë ka arritur ta mbyllë dënimin e tij ose të jetë arratisur nga burgu. Ata më të devotshmit kanë ecur përpara duke vjedhur vila në zonat turistike të Spanjës apo Francës dhe duke dhunuar pleqtë e panjohur që gjenin aty. Njeriu ynë i ri ka vënë edhe pasuri nga ky aktivitet. Ka bërë qindra mijëra apo miliona dollarë. I ka sjellë ato në Shqipëri dhe tani mbretëron këtu. Njeriu ynë i ri tallet me ata që kanë zbatuar ligjin; me ata që kanë qenë qytetarë model apo që për shumë kohë janë mbajtur si elitë në këtë vend. Tallet sidomos me ata që kanë kaluar vite duke u shkolluar dhe që paguhen sot në vit sa 1/10 e asaj që “njeriu i ri” merr për një ngarkesë drogë. Njeriu ynë i ri beson sot se vendi ka ecur keq. Se ata që e kanë qeverisur, profesora me diploma apo thjesht njerëz që kanë dashur të kontribuojnë në këtë vend nuk kanë pasur vizionin që kanë këta. Dhe njeriu ynë i ri ka hyrë në politikë. E gjen kudo: në Parlament, në krye të bashkive, në Administratën Publike, në poste zv.ministrash e pse jo edhe ministrash. Flet për përvojën e tij, për njeriun e aksionit, që nuk ka frikë, nuk njeh rregulla dhe ligje, që ka kurajo, që vjedh dhe dhunon. Është njeriu ynë i ri, produkti më bastard i një sistemi që vetëm këtë mostër nuk duhej të kishte prodhuar. Dhe është mostra me të cilën ne merremi përditë, duke diskutuar se sa i madh ka qenë zullumi i tij, se sa njerëz ka vrarë apo sa drogë ka shitur… Turp për të gjithë që besonim ndryshe…

“Opinion.al”

Exit mobile version