Përgjimet, Guma njeriu i kartelit të drogës tek Tahiri, si dekonspirohen operacionet

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar të dhënat e një polici të cilat janë të bazuara në fakte të pakundështueshme e përgjime për shndërrimin e policisë në organizatë kriminale. Spartak Guma, shef i sektorit të operacioneve special në Policinë e Tiranës akuzohet se ka dekonspiruar me dhjetëra operacione policore, duke vënë në rrezik jetën e agjentëve të infiltruar për të zbuluar bandat e drogës. Denoncimi publik është bërë nga Sali Berisha i cili i referohet burimeve të tij që në rastin konkret e quan “polici dixhital”.
Berisha citon se oficeri i policisë, Hamëz Demushaj ka fotografuar të gjithë agjentët e infiltruar të Policisë së Shtetit dhe ia ka shpërndarë rrjetit të shpërndarjes së kokainës dhe heroinës në Tiranë, një pjesë e të cilit drejtohet nga biri i drejtuesit të Sektorit të Hetimit nën Mbulim, Spartak Gumaj. Ky shtetas duke përdorur dhe një mjet të sekuestruar të tipit “Mercedes GL” me targa AA 355 BD, kontrollon shpërndarjen e kokainës në zonën e “Ali Demit”.
Berisha citon se mjeti “Mercedes Benz GL 350” është mjet i sekuestruar nga Policia e Tiranës dhe përdoret jashtë çdo kriteri ligjor, nuk është mjet i regjistruar në asnjë nga inventarët e policisë, si dhe targat AA 355 BD rezultojnë të falsifikuara. “Arsyeja e dekonspirimit të qindra operacioneve speciale dhe të infiltrimeve është vetëm dekonspirimi që i bëhet agjentëve nga Spartak Guma, shef i Sektorit të Operacioneve Speciale, i cili informon rregullisht Shullazin.” shkruan Berisha.

Denoncimi nga Polici dixhital

“Përshëndetje doktor, doja të bëja një denoncim që vijon si më poshtë: ‘Sekseri’ që u arrestua, sepse kishte ndërhyrë për ta ‘graduar’ policin e kapur me drogë nëpërmjet shefit të Sektorit të Operacioneve Speciale, Spartak Guma. Nga ana tjetër, 43-vjeçari Avni Shaba, nga Petrela, i cili u arrestua më 25 shkurt, teksa kthehej në Rinas, mohon akuzën zyrtare ‘ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’. Ky person, në seancat pyetësore, nuk e pranon se kishte marrë para nga oficeri i Komisariatit Nr. 3, Hamëz Demushi, për t’ia dorëzuar një ish-drejtorit të Forcave Operacionale, Albano Ahmetaj me qëllim emërimin e Demushit në radhët e forcave lëvizëse operacionale. Mirëpo, grupi hetimor pretendon se ka prova të mjaftueshme që e implikojnë 43-vjeçarin në dhënien e ryshfetit. Kur ekspertët e shërbimit të çështjeve të brendshme dhe ankesave në Ministrinë e Brendshme shkuan për t’i bërë kontroll në shtëpi 32-vjeçarit Demushi, për t’i gjetur paratë që ‘sekseri’ ia kishte kthyer, pasi ryshfeti nuk u pranua, përveç drogës, u sekuestrua edhe dokumentacioni përkatës, që oficeri kishte plotësuar për t’u bërë pjesë e Sektorit të Operacioneve Speciale. Ky efektiv trafikant është zgjedhur nëpërmjet shefit aktual të sektorit, Spartak Guma, i cili e ka drejtuar për te personi Avni Shaba (sekseri) me qëllim përfitime financiare”.

Dokumentet

Në njoftimin zyrtar, Ministria e Brendshme tha se “kryeinspektor Hamëz Demushi dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë në kohë dhe vende të ndryshme, ka trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme”. Ndërkaq, sipas njoftimit, në banesë është gjetur 3.6 kg e dyshuar e llojit kokainë dhe 0.5 kg e dyshuar heroinë. Gjithashtu, sipas Ministrisë së Brendshme është sekuestruar një sasi e madhe dokumentacioni, si akte shitblerjeje apartamentesh e automjetesh, si dhe dokumente të tjera të rëndësishme për hetimet. Pikërisht, mes këtyre dokumenteve të rëndësishme për hetimet, gjendeshin edhe letrat e kthyera mbrapsht. Në fotot që Ministria e Brendshme dërgoi për mediat, dalloheshin dokumentet e sekuestruara në banesën e Demushit. Mes tyre është edhe një çertifikatë, e dhënë kohët e fundit. Oficeri ka marrë pjesë në një seminar, me temë “drejtuesit e agjentëve të infiltruar”. Seminari është zhvilluar nga misioni PAMECA IV, nga 2 deri më 5 shkurt, ndërsa firmëtarë të kësaj çertifikate janë nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe drejtori i Akademisë së Policisë, Bilbil Mema. Më tej, mes dokumenteve gjendeshin edhe karta e identitetit, çertifikata personale, si dhe diploma e përfundimit të studimeve në polici. Ndërkaq, në banesë iu gjetën edhe dokumente të trajnimeve apo prova të tjera plotësuese. Gjetja e tyre i ka bërë ekspertët të besojnë se ishin pikërisht dokumentet që Demushi kishte dorëzuar për t’u transferuar pranë Forcave Lëvizëse Operacionale dhe që më pas i kishte rimarrë nga “sekseri”. Nga ana tjetër, Demushi po hetohet edhe për pastrim parash. Ai mbahej të paktën prej 1 viti në survejim, nisur nga jeta luksoze dhe dyshimet për përdorim droge. Kontrolli i banesës së tij në Unazën e Re, në Tiranë, u krye pikërisht për t’i gjetur paratë që kishte ofruar dhe gjatë këtij kontrolli u gjetën dokumentet, si dhe sasia e drogës. Për oficerin, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg”, teksa ende vijojnë hetimet për këtë çështje.
Emërimi i Hamëz Demushës pranë këtij sektori kishte për qëllim infiltrimin e një trafikanti në strukturën më të specializuar të Policisë së Shtetit dhe në të ardhmen të shërbente si “syri” dhe “veshi” i Emiljano Shullazit në Drejtorinë e Operacioneve Speciale dhe jo vetëm.
Nga burime të sigurta brenda këtij sektori, të cilët pohojnë se Hamëz Demushaj ka fotografuar të gjithë agjentët e infiltruar të Policisë së Shtetit dhe ia ka shpërndarë rrjetit të shpërndarjes së kokainës dhe heroinës në Tiranë, një pjesë e të cilit drejtohet nga biri i drejtuesit të Sektorit të Hetimit nën Mbulim, Spartak Gumaj. Ky shtetas duke përdorur dhe një mjet të sekuestruar të tipit “Mercedes GL” me targa AA355BD, kontrollon shpërndarjen e kokainës në zonën e Ali Demit.
Mjeti “Mercedes Benz GL 350” është mjet i sekuestruar nga Policia e Tiranës dhe përdoret jashtë çdo kriteri ligjor, nuk është mjet i regjistruar në asnjë nga inventarët e policisë, si dhe targat AA 355 BD rezultojnë të falsifikuara.

Spartak Guma

Ky person, njihet si njeri me integritet shumë të ulët në ambientin ku jeton dhe ku punon. Duke shfrytëzuar gjithë burimet e informacionit që i vihen në dispozicion për shkak të detyrës, zakonisht i dorëzon informacionet tek banda e Emiljano Shullazit brenda një restoranti pranë pallatit me shigjeta.
Arsyeja e dekonspirimit të qindra operacioneve speciale dhe të infiltrimeve është vetëm dekonspirimi që i bëhet agjentëve nga Spartak Guma.
Drejtuesi i sektorit të rëndësishëm Spartak Guma, në orarin e punës dhe me mjetin e punës del nga hotel “Myrtaj” bashkë me një femër në moshë shumë të re, e cila pas aferës seksuale me këtë drejtues është emëruar në këtë sektor, duke privuar me qindra efektivë të zotë dhe të talentuar të bëhen pjesë e strukturave të specializuara të policisë, si dhe rrezikimin e dekonspirimit të vazhdueshëm të tyre nga persona me mungesë integriteti.

Përgjimet: Shefi do të flasë me drejtorin

Në datë 26.12.2014, në bisedën e orës 15:11:29 i dyshuari Hamëz Demushi komunikon me një person, i cili del të jetë eprori i drejtpërdrejtë i Hamëz Demushit në Kom nr. 3, e merr vetë këtë të fundit në telefon për të mësuar gjeneralitetet e plota të tij, pasi po i bën vlerësimin e punës. Në këtë bisedë ai ndër të tjera e pyet Hamzën: “A mos u emërove gjë o vëlla. … Se mua më thanë më duket se po…”.
Hamza i përgjigjet “Edhe mu ashtu më thanë po…akoma… E bardha mbi të zezë akoma s’ka dalë”. Në datë 06.01.2015 Hamëz Demushi është takuar me shefin e Komisariatit të Policisë Nr. 3 dhe ky i fundit i thotë se vajti gjatë kjo punë, prandaj kthehu në punë dhe fol me shefin e rendit.
Këtë fakt ai ia ka vënë në dijeni shefit të tij të quajtur “Taku”, i cili thotë se do të flasë me drejtorin e Përgjithshëm për këtë punë. Më mbrapa në bisedën e orës 15:29 Spartaku e sqaron Hamzën se ka folur me Albanin, i cili i ka thënë të rrijë i qetë. Në darkën e datës 06.01.2015 Spartaku e merr prapë në telefon Hamzën dhe pasi merr vesh që ai është tek loto e “Niut” (Avni Shaba) i thotë “Ec, ec se ka shumë atje. Hajde poshtë hajde” dhe e lënë të takohen bashkë dhe pinë kafe te lokali “Roki i Bardhë”.
Në datë 08.01.2015, ora 12:13, Hamëz Demushi komunikon me Avni Shabën, të cilit i thotë se e kanë marrë ata të rendit në komisariat dhe i kanë thënë të paraqitet në punë të nesërmen, përndryshe do të fillojë ecuria disiplinore. Avniu e sqaron Hamzën se ka folur me “Takun” dhe i ka thënë se “… urdhri është bërë gati. E ka firmosur edhe nëndrejtori. Ta firmosë edhe drejtori i Përgjithshëm dhe mbaroi kjo punë…”.
Hamzai këmbëngul që Avniu kur të vijë t’i bëjë një telefon atij (për personin që ka marrë përsipër këtë punë në DPP) se shkon vetë Hamzai tek Drejtoria e Përgjithshme. Nga ana tjetër Avniu sqaron se ai i ka thënë se “…marrim urdhrin dorazi masi të mbarojë drejtori i Përgjithshëm e ia çojmë një kopje. Na…”. Për të festuar këtë lajm, Hamzai pasi takohet me Avniun tek lokali i tij, e lënë për të ngrënë një drekë në një lokal në Petrelë. Nga vëzhgimi i fshehtë ka rezultuar se në lokalin “Bizanti” kanë drekuar së bashku Hamëz Demushi, Avni Shaba, Altin Mene (officer policie) dhe një person i katërt i paidentifikuar me emrin “Rreli”.
Duke ndjekur gjithë ecurinë e hetimeve të SHKB, Spartak Guma ka qenë strumbullari i kësaj afere, por si zakonisht edhe me ndërhyrjen e Emiljano Shullazit, Spartak Guma ka dalë i pafajshëm dhe i palagur nga kjo mesele, duke hedhur tërë fajin tek Albano Ahmeti… Pasi fundja fundit Albanoja shegët, mandarinat dhe kastravecat do t’i ndante me Spartak Gumen, i cili është dhe fqinj me Avni Shabën.
Ky manjak është i filmuar në ambientet e një hoteli ku ky shkon me vajza të reja dhe më pas i emëron në sektorin e tij duke i mashtruar që në qoftë se emërohen atje kanë premisa për t’u titulluar oficere. Unë jam një oficer policie dhe normalisht ky nuk është identiteti im i vërtetë”.

Exit mobile version