Kryeministri Rama mashtroi mbrëmë opinionin publik në emisionion “Opinion”, duke deklaruar se “agresorët e biznesmenit amerikano-libanez, Faad Mitri janë arrestuar nga policia”. Por gazetari Blendi Fevziu publikoi në “Opinion” foton e personit që ka dhunuar biznesmenin Mitri. Fevziu tha se, këtë foto ia ka dërguar vetë biznesmeni që kishte bërë një hetim paralel me atë të autoriteteve shqiptare. Sipas biznesmenit, ky person është denoncuar në polici, por vazhdon të qëndrojë i lirë. Për këtë çështje Rama tha se autorët e rrahjes janë arrestuar, por i ka liruar Gjykata. E vërteta është që disa persona u ndaluan dhe më pas u liruan nga policia, sepse për ta nuk u gjetën prova që t’i lidhnin me ngjarjen. Në qeli është vetëm një person që iu gjet me vete një sasi e vogël kanabis sativa. Në momentin që gazetari Fevziu ka paraqitur foton, Rama është mekur. Atij i janë bllokuar fjalët dhe nuk ka mundur që të artikulojë asnjë fjali të saktë. Pamje e Ramës ishte ajo e një njeriu të trembur nga zbardhja e provave të krimit që ka kryer. Stepja e Ramës të jepte përshtypjen e një njeriu të frikësuar, pasi i ka dalë me foto krimineli që ka urdhëruar të maskarojë biznesmenin.
Mjaft kompromentuese për Ramën ishin edhe foto e tjera që paraqiti gazetari Fevziu ku protestues të PS të shoqëruar edhe nga deputetë të Ramës kërkonin me pankarta largimin e investitorit Mitri, i cili u masakrua më vonë nën qeverinë e Ramës. Edhe përpara këtyre fotove Rama ka heshtur.
Fevziu: Si mundet që shteti juaj të mos i gjejë agresorët?
Rama: Agresorët janë arrestuar.
Fevziu: Kanë dalë para Gjykatës dhe janë lëshuar. Biznesmeni ka kontaktuar pesë herë dhe thotë që i kanë vënë policisë të dhënat?
Rama: Interesohu në Polici dhe pyet, a janë arrestuar?
Këto dokumente mos i mbaj aty, çoi atje ku është vendi.
Fevziu: A keni ju përgjegjësi personalisht në atë që i ka ndodhur këtij biznesmeni?
Rama: Ne i kemi zgjidhur çdo problem me atë.
Fevziu: Keni dalë në televizion të enjten e kaluar dhe keni thënë që i keni kthyer pronën në korrik të këtij viti? Ndërkohë, që Gjykata në mars të vitit 2014 ja ka kaluar një shtetasi tjetër?
Rama: Ne e kemi marrë shumë vonë problemin vesht për çështjen. Ai vendim gjykate është gjëja më absurde dhe kriminale që unë kam parë ndonjëherë.
Fevziu: Mua më rezulton që ju e keni futur në konflikt investitorin. Dhe personi që është futur aty e ka që nga vitit 1930….
Rama: Ajo që po bëjmë është që kemi hapur një hetim gjithëpërfshirës. Ai në raport me ne ka qenë shumë falenderues…
Biznesmeni amerikano-libanez, Faad Mitri u masakrua barbarisht më 10 shtator në rrugën e Rinasit. “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”, e kanë kërcënuar agresorët biznesmenin. Biznesmeni është lënë i shtrirë në mes të rrugës i mbuluar me gjak. Agresorët improvizuan një aksident për të ndalur makinën e biznesmenit. Policia e Tiranës bëri të ditur se, drejtuesi i mjetit “Ëolksëagen”, së bashku me pasagjerët kanë dhunuar biznesmenin Mitri, e më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.
Biznesmeni u dërgua në spital në gjendjee të rëndë dhe ndonëse ishte nën ruajtje nga forca policie, ai u kërcënua edhe në shtrat që të ndërpriste punimet në Gjirin e Lalzit dhe të largohej menjëherë nga Shqipëra.
Biznesmeni Faadi Mitri u largua nga Aeroporti i Rinasit. Në fotot e publikuara nga mediat dukej investitori libanez, i shtrirë në barrelë për shkak të plagëve që mori dy javë më parë. Përfaqësuesi i kompanisë Omnix Albania u rrah për shkak të një konflikti për pronën, pas një aksidenti të inskenuar në autostradën Tiranë-Durrës.
Biznesmeni Faadi Mitri u larguar pa u rikuperuar nga dhuna e ushtruar ndaj tij. Si pasojë e dhunës barbare dhe kërcënimeve me jetën e familjes nën hundën e policisë, biznesmeni amerikano-libanez u detyrua të dalë nga spitali ende pa u shëruar dhe të largohet me avion jashtë shtetit.
Gazetarët janë kazanë plehrash
Kryeministri Edi Rama është shfaqur tejet i nervozuar në emisionin “Opinion” gjatë debatit për importin e mbetjeve në Shqipëri. Jo pak herë, Edi Rama iu kundërvu gazetarit Blendi Fevziu, duke kaluar në arrogancë dhe ofendime. Madje, Kryeministri kaloi në ofendime edhe ndaj mediave në Shqipëri, analistëve dhe shoqërisë civile që ngrenë alarmin e importit të plehrave në vend.
Edi Rama: Sepse nuk do të të pyesnim ty Fevzi, po edhe sikur nuk do të të merrnim leje ty. Je i papërgatitur. Nuk mund të bëhesh specialist i të gjithave.
Edi Rama: Dëgjo këtu, mua mos më thuaj ke gënjyer. S’po të kujtoj se kush jam unë këtu. Këtë nuk e bën asnjë gazetar në planet. Ti më thua ke gënjyer, unë të them ti nuk kupton.
Edi Rama: Se çfarë thotë Fevziu dhe se çfarë thonë këta, këta këtë punë kanë.
Edi Rama: Po ta përsëris disa herë dhe mos e ul nivelin
Blendi Fevziu: Nuk është e drejtë që talleni me gazetarët dhe analistët.
Edi Rama: Jo unë nuk tallem. Bjeri sa të duash këtij fyelli, unë shqiptarëve ua përsëris…ju jeni kërcënim i madh, të nxjerrësh gjëra të tilla dhe alarmosh publikun me një mashtrim që vjen nga padija juaj, është kriminale.
Edi Rama: Të thuash ka dalë në shtyp do të thotë të thuash ka dalë në kazan.
Kërcënimi se nuk do lejojë referendumin
Kryeministri Rama ka deklaruar qartë se nuk do të lejojë që të bëhet referendum për çështjen e importit të mbetjeve në Shqipëri. I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama tha se ky referendum nuk mund të bëhet pasi bie ndesh me interesin e kompanive që merren me riciklimin e plehrave. I pyetur nga gazetari nëse do ta lejojë referendumin nëse mblidhen firmat e nevojshme të qytetarëve, Kryeministri u shpreh se kjo gjë nuk do të ndodhë. “Referendum për të drejtën e kompanive që të blejnë lëndë të parë jashtë, nuk mund të bëhet. Ata që janë nisur për referendum le ta provojnë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
Të zhgënjyer nga policia, i dhamë foton por nuk e arrestojnë kriminelin
Në foton që disponon vetë i dëmtuari si dhe Policia shqiptare, duket se agresori ka zbritur nga makina, pasi kishte kryer më parë aksidentin e qëllimshëm me automjetin ku ndodhej Mitri dhe familja e tij. Automjeti i dhunuesve, një Volksagen Tuareg i zi me targa italiane, dallohet qartë i dëmtuar në krahun e djathtë si pasojë e përplasjes. Nga hija e agresorit kuptohet se ai mban në dorë një send e që sipas dëshmisë se Fadi Mitri, ishte një shkop bejsbolli. Personi bën kujdes të shohë përreth para se të godasë investitorin libanez. Këtë foto e ka bërë bashkëshortja e Mitri. Pamja, ndonëse e turbullt, tregon se në sediljen e pasagjerit të makinës së agresorëve qëndron një person, i cili filmon rrahjen. Familja e Fadi Mitri dhe drejtuesit e Omnix Grup të kontaktuar nga “Vizion Plus”, thonë se policia e ka marrë foton, por ende nuk ka arrestuar autorin kryesor të dhunimit. I vetmi i dyshuar, Skënder Kraja, ndodhet në qeli për posedim të një sasie të vogël droge. Presidenti i Omnix Grup, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Jamal Abu Issa, nuk e fsheh zhgënjimin për punën e policisë.
“16 dite kanë kaluar nga masakra dhe nuk ka ende një të ndaluar konkret. Ngre pyetjen, pse ministri i Brendshëm i Shqipërisë, heziton të arrestojë kriminelët, të cilët barbarisht sulmuan Fadi Mitrin. Asnjë nga personat në foto nuk është arrestuar, asnjë gjurmë e makinës nuk është gjetur. Edhe ne si kompani bëjmë vlerësimet tona dhe jemi të shqetësuar dhe shumë të pasigurt.
Kjo është e vetmja arsye pse në 21 shtator, ne deklaruam se do të tërheqim investimin tonë prej $450 milionë dollarë në zhvillimin turistik tek Gjiri i Lalezit dhe çdo investim tjetër të ardhshëm në Shqipëri. Si mundet të ndihesh i sigurt kur shikon në mes të ditës persona të pashqetësuar që rrahin investitorin e huaj, investitor që kishte marrë garancitë nga qeveria, për të investuar, kur shikon sesi personi në sediljen e parë të makinës filmon teksa rrihet barbarisht zoti Fadi Mitri në sytë e bashkëshortes dhe fëmijës? Kjo të detyron ta rivlerësosh seriozisht sigurinë e një investimi të tillë përballë jetës së njerëzve”.
Pas largimit të Fadi Mitri nga Shqipëria, Prokuroria vendosi sekuestro mbi sipërfaqen prej 45 mijë metrash katrorë në Gjirin e Lalzit, ku do të ndërtohej kompleksi turistik. Organi i akuzës dyshon se kjo tokë është fituar nga shtetasi Pal Selçuni, përmes dokumenteve të falsifikuara.