Berisha thirrje qytetarëve: Të ngrihemi për të bllokuar ligjin

Ish-kryeministri Berisha u bëri thirrje dje qytetarëve të ngrihen në një lëvizje të gjerë popullore për të bllokuar ligjin Rama të importit të mbetjeve. Opozita debatoi ashpër dje në Parlament në lidhje me ligjin për importin e mbetjeve ndërsa kërkoi mbajtjen e një referendumi ku qytetarët të shprehin qëndrimin e tyre në lidhje me këtë ligj. Në sallën e Kuvendit, ish-Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen për të mos lejuar futjen e plehrave në Shqipëri, si dhe shndërrimin e vendit në një vend ku mbizotëron droga, prostitucioni e plehrat.
“I bëj thirrje qytetarëve, të bëjmë gjithçka për të bllokuar këtë ligj sepse bëjmë gjënë më të mirë për shëndetin e fëmijëve tanë, por dhe tonin dhe të shoqërisë shqiptare në tërësi. Kjo shoqëri nuk mund të zhvillohet, ky vend nuk mund të ndëshkohet duke e shndërruar në vend droge, vend prostitucioni legal, duke e shndërruar në vend plehrash. Njeriu që do t’i bëjë Shqipërisë këto është njeriu që do t’i bëjë gjëmën shqiptarëve dhe Shqipërisë ndaj të ngrihemi kundër këtij veprimi të një njeriu që s’e ka për asgjë të kapërdijë çdo mashtrim që lëshon”, u shpreh ish-Kryeministri Berisha.
Ish-Kryeministri denoncoi aferën skandaloze të Ramës në Elbasan, ku kompania e krijuar enkas për të fituar tenderin prej 17 milionë eurosh ka përgatitur djegien e mbetjeve përmes një impianti të vjetërsuar të viteve ’70, i cili në vend që të shitej për skrap sillet për t’u vënë në punë në Shqipëri.
“Çfarë bëri në Elbasan ky zotëria? Dëgjoni aferën e Elbasanit, një aferë supermafioze ndër më të rrezikshmet. Në Elbasan qeveria zgjodhi një kompani të sapokrijuar, me një kapital 100 mijë lekë. I dha tenderin 17 milionë euro, koncesion me partneritet. Kujt? Ufos, që do të çmontojë nga kantoni i Tiçinos një djegës të viteve ‘70, i cili dhe vetë është mbetje dhe pleh. Dhe kjo garanton në mënyrën më të sigurtë helmimin e atmosferës së ajrit në Elbasan, ndërkohë që zotohet se nuk do të importojë plehra për të djegur. Po ku ke be ti more? A e ndalove ti, sapo erdhe muajin e parë më 2013-tën? Po si u futën në Shqipëri 330 mijë tonë mbetje të ndaluara, nga të cilat 30 mijë tonë plastika, letra, etj., etj.? A i kishe të ndaluara këto? Po kush të beson ty? Pse ke degraduar në atë shkallë ti sa i beson gënjeshtrave të tua, nuk ka njeri që i beson më! S’ka shqiptar që të beson më ty! Pra, në kulmin e bllokimit janë futur, me dokumente nga dogana, 330 mijë tonë, pesë artikuj. Përveç kësaj janë importuar helme me mbetje metalike dhe drurore. Se druri i pallakuar digjet, ndërsa dryri i lyer, i llakuar kur digjet lëshon helme ndër më të rrezikshmet. Qeshni ju, se ju ka blerë mafia s’keni faj, je viktimë e plehrave”, tha ish-Kryeministri.
Duke sqaruar historikun e aferës së Elbasanit, Berisha tha se më dt. 10.07.2014 themelohet kompania “Albteg”, nga një person me 100 mijë lekë ndërsa më datën 16.12.2014 komisioni i vlerësimit shpall fituese këtë kompani pa asnjë eksperiencë më përpara. Një ditë më vonë, më dt. 17.12.2014 qeveria nxjerr vendimin e kontratës, VKM për kontratën. Pra, më dt. 16 nxjerr fituesin, më dt. 17 nxjerr VKM-në e kontratës me kompaninë.
“A ka ndodhur ndonjëherë në botë kjo? A kanë të drejtë të ankohen pjesëmarrësit e tjerë? Po ku lënë larot të afrohen balot. Brenda datës 16-17.12.2014 u kryen 8 procedura, pra në dy ditë. Kur të fut hurin mbrapa mafia të bën këtë që ke bërë ti o zotëri. Koha për ankim nuk ekziston, koha për shqyrtim ankese nuk ekziston, koha për marrje mendimi nga ministritë e tjera nuk ekziston, përgjigje me shkrim komenteve nga ministritë nuk ekziston, hartim kontrate nga departamenti ligjor, negocim kontrate mes palëve, firmosje kontrate, miratim vendimi. A nuk fluturon ky me pare mbrapa? Si ka mundësi që në dy ditë edhe shpall fituesin, edhe mbyll ankimin, edhe shqyrtimin, edhe i përgjigjesh me shkrim komenteve nga ministritë e tjera, edhe harton kontratën, edhe e negocion, edhe e firmos, bën edhe vendimin e qeverisë? Ku ka ndodhur kjo ndonjëherë? Sa kushton një incenerator i ri? Kushton 18 milionë euro mesatarja. Ndërsa ky (Rama) merr inceneratorin e Tiçinos, i cili është jashtë kohës së përdorimit, është mbetje pleh dhe e sjell në Elbasan për t’u dhënë qytetarëve të Elbasanit helme të sigurta të materieve që djeg”, u shpreh Berisha.

Deklaratat e Ramës mbi importin e plehrave katër vite më parë

1) Edi Rama, 3 tetor 2013
“Të gjithë ju, 1 milion njerëzit që e kthyet 23 qeshorin në referendumin e madh popullor kundër plehrave dhe importit të plehrave, mësojeni sot dhe ju lutem përulësisht të mos e harroni kurrë deri ditën kur do të më mbani në këtë detyrë: Unë nuk do t’ju tradhtoja kurrë për asnjë interes e asnjë çmim dhe asnjëherë, për asnjë arsye, nuk do të bëja pas shpinës suaj asgjë që do të cenonte qoftë edhe një fije jetën, sigurinë, të ardhmen tuaj”.
2) Edi Rama, 3 nëntor 2011
“Të thuash dua plehra nga jashtë është tradhtia më e madhe kombëtare në kushtet kur vendi ka 1 milion ton plehra rrugëve…”.
3) Edi Rama, 3 nëntor 2011
“Vetëm kur të mbysin plehrat mund ta fyesh popullin tënd duke e trajtuar si budalla”.
4) Edi Rama, 3 tetor 2013
“Është krejtësisht e qartë që Shqipëria sot dhe nesër nuk mund të importojë plehra nga jashtë. Ka vetëm një arsye pse mafia u drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të paafta për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë: interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve”.
Ky është njeriu që ligjëroi këtu dy orë mashtrime, këto janë deklaratat e tij tre a katër vite më parë për këtë çështje.

Arben Shahini

Exit mobile version