Laç, zjarri rrezikon disa banesa dhe Kishën e Shën Ndout, askush nuk ndërhyn

Një zjarr me përmasa të mëdha ka rënë mesditën e djeshme në kurorën e gjelbërt të Laçit, duke rrezikuar Kishën e Shën Ndout, disa banesa dhe linjën e interkonjeksionit. Qyteti i Laçit është i rrethuar nga flakët, ndërsa nuk është marrë asnjë masë nga ana e autoriteteve për shuarjen e zjarrit. Banorët të frikësuar bëjnë apel për ndihmë, pasi zjarri që tashmë ka shkrumbuar pyjet përreth po i afrohet në mënyrë të frikshme qytetit.
Qytetarët e kanë denoncuar me video dhe me një mesazh drejtuar ish-Kryeministrit Berisha me atë që po ndodh në qytetin e Laçit.
“Laçi në rrezik nga flakët! Dënoj braktisjen e plotë nga qeveria! Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital që denoncon indiferencën totale të shtetit ndaj kësaj gjendje!”, shkruan Berisha në një psotim në Facebook.
“Mirëmbrëma Doktor. Në Sanxhak lagjen e Laçit nuk po marrin masa fare për shuarjen e zjarrit. Po e vendosin vetë njerëzit me qëllim”, shkruan qytetari.
Ndërkohë që zjarret kamë ‘pushtuar’ vendin, nuk shihet asnjë përpjekje e autoriteteve për të shuar flakët. Çdo ditë qytetarët denoncojnë raste pa fund të djegieve të pyjeve, ku së fundmi është përfshirë nga flakët dhe pylli i Shkopetit. Megjithëse për këtë ngjarje janë lajmëruar autoritetet, deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje.
Ka qenë sërish ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka denoncuar djegien e pyllit të Shkopetit. “Pyjet e Shkopetit tym e flakë! Zero ndërhyrje nga i ashtuquajturi narko-shtet.
Shikoni videon e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
Si asnjëherë më parë, Shqipëria këtë vit u përball me zjarre pafund, dhe këto jo për faj të nënës natyrë, por për faj të dorës së njeriut. Por ndryshe nga vitet e shkuara, kur ishin barinjtë që i vinin zjarrin një ngastre toke për ta përdorur atë vitin e ardhshëm për bagëtinë apo dhe për të mbjellë agrume, zjarri i sivjetshëm mbante era drogë.
Ishin të shumta vatrat e zjarrit, dhe jo siç ndodh zakonisht buzë rrugës, por në zonat më të thella, duke dëmtuar pa fund pyjet tona, një pjesë e të cilave janë dhe të mbrojtura me ligj, pasi cilësohen Monumente natyre.
Zjarret e vënë në zonat më të thella malore kishin pikërisht si qëllim hapjen e tokave të reja për të mbjellë kanabis, pasi Shqipëria tashmë edhe në raportet ndërkombëtare njihet si burimi kryesor i prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Ka qenë drejtori i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, i cili ka vënë sërish alarmin për atë se çfarë ndodhi këtë vit me pyjet tona, dhe çfarë pritet të lulëzojë pas pak kohësh në ato toka tashmë të shkrumbuara. “Hapja e tokave të reja për drogë. Po digjen pyjet e zonës së mbrojtur Monument Natyre dhe nuk mban njeri përgjegjësi. Paguajmë dhe qindra rroga për agjensi mjedisi, zonave të mbrojtura, pyjore, etj. Gjynah dhe trishtim”, shkruan ai.

Exit mobile version