Divorci mes Diego Costa e Chelsea duket i pashmangshëm. “The Sun” raporton se sulmuesi nuk ka ndërmend të kthehet në “Stamford Bridge”, madje ka filluar të shpërngulë familjen e tij në Madrid. Me hapjen e merkatos, në janar të vitit 2018, pritet që Costa të firmosë me Atletico Madrid, edhe pse lojtari e dëshironte kalimin te Los Colchoneros që në verë.
Në shtëpinë e Lazios vazhdohet të punohet për rinovimin e Stefan de Vrij. Mediat në Itali raportojnë se drejtues të klubit bardhekaltër do të udhëtojnë drejt Holandës për të takuar SEG, më saktë shoqërinë që ka nën menaxhim kartonin e lojtarit. Lazio i ofron kontratë të re deri në vitin 2020 mbrojtësit 25-vjeçar.
Sezoni i ri i Premier League nuk ka nisur shumë mirë për West Ham, ku skuadra është në kuotën e 0 pikëve, pas 3 javëve. Sipas asaj që shkruajnë mediat angleze, drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i besojnë për pak trajnerit Slaven Biliç, në të kundërt emri i pasuesit të tij është gati. Bëhet fjalë për Maurizio Sarri të Napolit, për të cilin “Hammers” janë gati t’i paguajnë klauzolën prej 8 milionë eurosh.
Benjamin Mendy, mbrojtësi francez që kaloi te Manchester City gjatë merkatos së verës, zbuloi për “L’Equipe” përse zgjodhi transferimin te Citizens. 23-vjeçari e pranoi se zv/presidenti i Monaco-s, Vasim Vasilyev, i kërkoi disa herë të qëndronte. Megjithatë Mendy theksoi se nuk mund të refuzonte dot Guardiolën, ndryshe do të kishte qenë nëse do ta kishte kërkuar Chelsea.