“Le të shkojmë në det”, banda shqiptare habit hetuesit italianë

Shtatë persona u arrestuan nga policia italiane në kuadër të një operacioni të koduar “Re George” (Mbreti Xhorxh). Banda merrej me grabitje të shumta shtëpish dhe ushtronte veprimtarinë e vet kryesisht në Pisa, Pontedera dhe San Giuliano Terme. Hetimet filluan vitin e kaluar pas grabitjes së një banese pranë një qendre tregtare, ku morën 700 paund.
Hetuesit u befasuan nga hetimet rreth bandës, për shkak të mënyrës se si kryenin grabitjet, objektivat dhe lehtësinë me të cilën kriminelët kryenin grabitjet nëpër shtëpi, pavarësisht nëse kishte sistem kamerash apo alarmi. Banda kishte formuar dy grupe të ndara, i pari i quajtur nga hetuesit “fleksibël”, e përbërë nga tre të rinj shqiptarë dhe një rumun, ndërsa grupi i dytë ishte i përbërë nga romë të ardhur nga Rumania, përfshirë edhe një të mitur. Pjesë e bandës është edhe një person nga Kosova dhe një nga Maqedonia, duke e çuar në 10 numrin total të tyre.
Operacioni u kodua me këtë emër për shkak se një nga anëtarët e bandës mbante në kokë një kurorë të artë në momentin që po kryente ceremoninë e lidhjes së martesës në Rumani. Banda fillimisht kryente vëzhgime në zonë dhe më pas ndërmerrte aksionin. Banori i një fshati u tha hetuesve se kishte parë një makinë me tri persona në bord që qarkullonte në zonë. Në fakt, ata po kryenin inspektimin paraprak për të kryer më pas vjedhjen.
Grupi shqiptar i grabitësve sipas hetuesve janë rritur në Itali dhe kanë vite që janë larguar nga Shqipëria. Kodi i mesazhit telefonik ishte: “Le të shkojmë në det” dhe më pas niste “puna” për të kryer grabitjen. Për të kryer aktet, shpesh të rinjtë përdornin edhe lëndë narkotike dhe në disa raste ishin edhe të dhunshëm. Grabitjet i kryenin kryesisht në fundjavë kur njerëzit largoheshin nga banesat e tyre.
Policia po zhvillon hetime të tjera për të zbuluar grabitjet dhe shitjet e sendeve të vjedhura. Sipas hetimeve, edhe prindërit e grabitësve shqiptarë i dinin vjedhjet e djemve të tyre. Në një rast, nëna e njërit prej grabitësve, u ka rekomanduar shitjen e një unaze diamanti në Shqipëri e vjedhur kohët e fundit, ndërsa në një rast tjetër një unazë e ka bërë dhuratë.

Exit mobile version