Tenderat fals, 18 muaj burg për vëllain e kryetarit të PS Bilisht

Gjykata ka dënuar me 18 muaj burg, ish-drejtorin e Shëndetit Publik Devoll, Valent Nallbatin, për tenderat falso. Nallbati është vëllai i kreut të Degës së PS në Bilisht. Valent Nallbati u arrestua për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim i dokumenteve” më 1 shkurt 2016.
Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin pas një letre anonime të mbërritur në zyrën e saj, në të cilën kallëzohej fakti se nga ana e drejtorit rajonal po zhvillohej një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Po ashtu, letërshkruesi anonim vinte në dijeni se drejtori kishte kryer disa punë “dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Gjithnjë sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila që do të fitonte tenderin.
Në kuadër të veprimeve verifikuese, Prokuroria e Korçës konstatoi se godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të. Në vijim, u konsultua buletini i Prokurimit Publik, në të cilën u konstatua se ishte bërë procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ishte shpallur fitues kompania “E….” shpk, me seli dytësore në Kamëz, Tiranë.
Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Devoll ishte parashikuar rreth 2.4 milionë lekë. Nga buletini i Prokurimit Publik rezulton se kompania “E….” shpk ishte shpallur fitues me ofertën 1.7 milionë lekë, dukshëm nën koston e asaj që ishte parashikuar në dosjen e tenderit. Në bazë të Ligjit për “Prokurimin Publik”, kompania fituese e tenderit duhej të ishte skualifikuar për “ofertë anomalisht të ulët”. Por, nga ana e entit kontraktues kompania është shpallur fituese fillimisht. Gjithsesi, pas ankesave ndaj kësaj procedure prokurimi, enti prokurues, Drejtoria e Shëndetit Publik, ka anuluar procedurën.
Por, pavarësisht se është anuluar procedura, Prokuroria e Korçës vlerëson se nga ana e drejtorit rajonal, Valent Nallbati janë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Kjo, për faktin se nga ana e zyrtarit janë kryer të gjitha procedurat fiktive për realizimin e prokurimit publik.
Në këto kushte, Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për drejtorin rajonal të Shëndetit Publik në Devoll. Kërkesa u pranua nga gjykata dhe vendimi u zbatua nga ana e Policisë së Shtetit mesditën e së hënës, dt. 01.02.2016.

Exit mobile version