Nga Jorida TABAKU
Në vitin 2014 qeveria Rama udhëhoqi sulmin ndaj pronave dhe duke i përjashtuar ato nga kompensimi fizik, një vit më pas pronarët që prona u qe sekuestruar nga regjimi komunist u ndëshkuan që të kompensohen me vlerën e tokës të vitit 1945 dhe duke i përjashtuar nga kompensimi fizik.
Më pas për t’i dhënë një tjetër goditje përfundimtare pronës private të individit Rama ideoi dhe jetësoi Ligjin për Investimet Strategjike e më pas Korporatën e Investimeve.
I fundit në rradhë është Ligji “Për Shpronësimet” që krijon një tjetër superstrukturë nën drejtimin e qeverisë, pra kryeministrit, që do të meret me shpronësimet dhe vlerën e tyre.
Qëllimi i ligjit nuk është të vlerësojë pronën private apo atë publike. Ligji synon të lehtësojë procedurat ligjore për të gllabëruar pronën private dhe publike pushteti oligarkik që qeveris vendin.
Në mungesë të një gjykate kushtetuese dhe me çdo pushtet në dorë, kryeministri është angazhuar që të zhdukë pronën si koncept.
Ai po bën çdo përpjekje për të trajtuar çdo pëllëmbë tokë, publike ose private, si një mundësi për të pasur më shumë pasuri për veten apo për t’ia shpërndarë në këmbim të diçkaje tjetër oligarkëve.
Beteja për të rikthyer pronën është betejë për dinjitetin e çdo familje shqiptari. Askush nuk meriton të trajtohet si rob i një oligarkie diktatoriale, aq më tepër kur 30 vjet më parë ne shpëtuam nga një e tillë.