Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu, përmes një postimi në rrjetet sociale, i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, lidhur me reagimin e policisë ndaj protestave opozitare në 2019-ën.
Shehu shkruan se ajo që ka ndodhur në Tiranë, kur policia dhunoi edhe xhamitë, duke i përdorur si plasdarme policore kundër opozitës, nuk ka ndodhur as në Siri me regjimin e Assad.
“Po dhunimi i Xhamisë së Re duke e kthyer në një plasdarme policore e sulmesh ndaj qytetarëve, me urdhër e leje të kujt u bë, në bazë të cilës së drejte??!!
Kjo është një pyetje për ministrin Lleshaj, që mu kujtua duke dëgjuar “justifikimet” e tij këto ditë për çfarë ndodhi gjatë protestave të opozitës:
1-Mbi origjinën e gazit të përdorur barbarisht kundër popullsisë, kur në fakt aty kemi të bëjmë edhe me dëmtim të marrëdhenieve Kosovë-Shqipëri, shkelje të të drejtës ndërkombëtare për transferimin e të tilla lëndëve, etj.
2-Apo akuzat e tij ndaj opozitës si përgjegjëse të dëmtimit të qytetarëve, se ajo paska vendosur gra e femijë në krye të protestave, gjë qe e kishte “frenuar” policinë në reagimin e saj!!!
Pra ishte programuar të reagohej me fort pranon ai, veçse të barazohej me Asadin e gazit në Siri!!
Por nuk e di nëse Asadi arriti deri sa të “pushtojë” dhe Xhamitë, që do të ishte një ngjarje e pashembëllt edhe për ato vende diktatoriale, por që ndodhi te ne”, shkruan Shehu.