Gjykata e Tiranës ka dhënë vendim për masën e sigurisë për tre kontrollorët ajrorë të arrestuar. Konkretisht ka dënuar me arrest me burg Armando Fezgën dhe Muhin Mezinin dhe ka vënë në “arrëst shtëpie”, Flora Ndrecën.
Gjykata ka pranuar kështu kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për këto masa sigurie.
Kontrollorët akuzohen për “shpërdorim detyre në bashkëpunim” pasi me hapat që morën për shpalljen e paaftësisë për punë çuan në bllokimin e punës së kullës së kontrollit të Aeroportit të Riansit dhe pezullimin e fluturimeve.
Vendimi u mor nga trupa e drejtuar nga gjyqtari Arben Mica, ndësa akuza u përfaqësua nga prokuroret Marjeta Zaimi dhe Lidina Riza.
Avokati i kontrollorëve të Albcontrol, Rezart Kthupi, foli për media pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për të lënë në burg dy kontrollorët, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, dhe “arrest shtëpie” kontrolloren Flora Ndreca.
Jashtë dyerve të gjykatës, avokati Kthupi theksoi se nuk është në gjendje të përgjigjet, ndërsa shtoi me ironi se, sot dënuam me masën e sigurisë arrest me burg ‘pucistët’.
“Është një ditë e mrekullueshme. Shpirtërisht nuk jam në gjendje t’iu kthej përgjigje, jam moralisht i dërrmuar. Njëri prej kontrollorëve sapo ka kaluar Covid-in dhe nuk është në gjendje të përballet me këtë situatë. Sa i përket akuzës, do të ishte koment ligjor, unë gjykoj që është një akuzë që nuk mund të ngrihet ndaj një punonjësi të një shoqërie anonime”.