Lulzim BASHA
Liri – Demokraci! 29 vjet më parë këto 2 fjalë ishin oksigjeni që rikthyen në jetë një komb, i cili ra në errësirën e diktaturës më të egër komuniste për gati 5 dekada. Liri – Demokraci është guri i themelit që ngriti në këmbë shtëpinë e demokratëve, shtëpinë e shqiptarëve që e donin Shqipërinë si gjithë Europa.
Për 29 vite, Partia Demokratike ia ka dalë të jetë partia e shpresës. Kjo është arritja jonë më e madhe në këto 29 vjet. Sot shqiptarët i kanë sytë nga ne për të finalizuar misionin për të cilin u themelua Partia Demokratike si garante e lirisë, e demokracisë dhe e mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Shqiptarët meritojnë të votojnë të lirë për qeverisjen e tyre, ata meritojnë një qeveri që punon për mirëqenien e tyre, që respekton fjalën e lirë dhe të drejtën e pronës, një qeveri që bën më të mirën për të siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj!
Fëmijët tanë meritojnë të rriten si shqiptarë europianë në Shqipërinë tonë të bukur, Shqipërinë si gjithë Europa! Dhe së bashku do ta bëjmë realitet! Gëzuar 29 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike! Zoti e bekoftë Shqipërinë!