Lojtarët iu helmuan para ndeshjes në Madrid, Mançester Siti ngre dyshime

Lajmi më i papritur para ndeshjes së vajtjes në çerekfinale në Ligën e Kampioneve mes Realit të Madridit dhe Mançester Sitit ishte mungesa e Kevin de Bryjne. Belgu është një nga kolonat e kampionëve të Europës dhe mungesa e tij ngriti mjaft pikëpyetje.

Disa ditë pas ndeshjes, mediat spanjolle dhe ato britanike kanë raportuar se te Mançester Siti i druhen faktit të një helmimi nga ushqimi në Madrid përpara se të luhej takimi. “Ai ka vjellë para ndeshjes, nuk ndihej mirë. Ne patëm një takim dhe ai ishte gati, por kur arritëm në dhomat e zhveshjes ai filloi me të vjella. Ai u ndie keq”, shpjegoi Pep Guardiola në “TNT Sports” para ndeshjes.

Ndërkohë, gazeta “Daily Star” ka bërë me dije De Bryjne beson se u helmua nga diçka që hëngri në hotelin e ekipit disa orë para fillimit dhe se Siti ishte i shqetësuar se ai nuk ishte i vetmi anëtar i ekipit që mund të vuante nga helmimi i ushqimit në Madrid. Mediat spanjolle nga ana e tyre kanë bërë me dije se Siti ka kërkuar një ekzaminim të shpejtë edhe të pjesëtarëve të tjerë të ekipit, përpara se ata të zbrisnin në fushë kundër Realit. Ndonëse kjo ka qenë jo fort e lehtë duke parë afatet e shkurtra.

Gjithsesi, ata kanë bërë kontrolle të rastit në disa prej lojtarëve të ekipit për të kuptuar nëse Kevin de Bryjne ishte një rast i izoluar apo kishte dhe lojtarë të tjerë të cilët mund të kishin probleme me aparatin tretës. Për fat të mirë, helmimi i dyshuar i Kevin De Bryjnes ishte një rast i izoluar dhe nuk u përhap në mesin e lojtarëve të tjerë të Mançester Sitit. Takimi i vajtjes në Champions në Madrid mes Realit dhe Mançester Sitit u mbyll me barazim 3-3. Takimi i kthimit do të luhet të mërkurën e ardhshme në “Etihad”.

Exit mobile version