Londo: PD nuk arriti të futet në zgjedhje e bashkuar

Bardhyl Londo beson se përmes rithemelimit, kalimit të udhëheqjes në duar dhe mendje të papërlyera, PD-ja do të mund të bëhet e fortë, të ringrihet dhe të vijë më shpejt në pushtet. Gjatë intervistës për “Gazeta Shqiptare”, z. Londo hedh akuza të forta mbi gardën e vjetër të PD-së, të cilët sipas tij sabotuan zgjedhjet e 25 qershorit duke dëmtuar rëndë PD-në.

– Z. Londo, zgjedhjet e 25 qershorit nxorën fituese PS-në dhe humbëse PD-në. Sipas jush, cilët ishin faktorët që çuan në humbjen e PD-së?
Një herë të biem dakord për përdorimin e termave “zgjedhje” dhe “votime”. Për fat të keq, edhe kësaj here, Shqipëria bëri votime, por ishte shumë larg zgjedhjeve. Dhe shkaku dihet: shitblerja masive e votës nga varfëria e tejskajshme, përdorimi i parave të pista, sidomos i atyre të kanabisit (euroja u nënvlerësua në nivele të papara ndonjëherë), presioni i qeverisë mbi administratën, përdorimi i të ashtuquajturve të fortë etj., etj. Le të kujtojmë vetëm dy fakte këlthitëse. Si ka mundësi që Ben Blushi të mbetet jashtë Parlamentit, ndërsa Tom Doshi ta marrë me lehtësi mandatin e deputetit në një zonë të njohur si bastion i së djathtës? Le të vazhdojmë me të njëjtën logjikë. Si ka mundësi që Ben Blushi të mbetet jashtë Parlamentit, ndërsa PDIU-ja të marrë 1 mandat në Dibër dhe protagonistja e këtij akti, jashtë çdo morali dhe logjike politike, por edhe njerëzore, të deklarojë ende pa u shpallur zyrtarisht deputete “mandati im i takon Edi Ramës”? Vini re: jo Partisë Socialiste, por Edi Ramës. Përfytyroni tani se çfarë mund të presësh nga Parlamenti i ardhshëm, i cili është pjellë e përçudnuar e votimeve dhe jo krijesë normale e zgjedhjeve.
Por le të kthehemi te humbja e dhembshme e PD-së. Për mua ishte një humbje e paralajmëruar dhe e sigurt. Ishte një humbje, e cila kishte vite që po gatuhej dhe po kërcënonte PD-në. Kjo gjëmë, më lejoni ta quaj kështu, nuk u gatua as për katër vjet dhe aq më pak për tre muaj sa zgjati e famshmja “çadër”, ku u shpall së pari slogani politik “Republika e Re”. Pavarësisht këtyre, humbja tragjike e PD-së ndodhi dhe ajo do të ishte po kaq e thellë, në mos dhe më e thellë, edhe sikur në vend të votimeve të kishim pasur zgjedhje. Shkaqet janë të shumta dhe të ndryshme, por kryesori më duket se ishte fakti se PD-ja nuk arriti të futet në votime si një trup i vetëm, por hyri çeta-çeta, të cilat në shumë raste jo vetëm nuk komunikonin me njëra-tjetrën, por dukej sikur e urrenin aq shumë njëra-tjetrën sa ishin gati të fillonin luftën mes vedi dhe jo me kundërshtarin politik. Çetën e parë e bënte vetë kryetari Basha, i cili sidomos pas shpalljes së betejës së çadrës, gjithmonë e më shumë dukej si i “vetëm trim në luftë”. Por shpatullat e tij ishin tepër të brishta për të përballuar një betejë të tillë. Për më tepër, kur të gjithë kundërshtarët dhe rivalët politikë gjatë fushatës elektorale shfaqeshin të dubluar (Rama alternohej me Erion Velinë, Meta me Vasilin dhe Kryemadhin), Basha vazhdonte të mbetej vetëm, duke ngjallur, veç të tjerave, edhe një efekt tejet negativ psikologjik te përkrahësit e tij. Në këto raste, çadra nga një metaforë dhe simbol politik, kthehej në një nga ata mullinjtë e famshëm të aventurave të Don Kishotit.

– A ishte kjo një zgjidhje e dëshiruar apo e detyruar për Bashën?
Nuk mund të them asgjë me siguri, por ka mundësi të jenë të dyja nga pak. Edhe Basha e zgjodhi vetë këtë strategji, edhe garda e vjetër, të ashtuquajturit senatorë, e lanë në baltë kryetarin e padëshiruar, ndërsa në rastin më të keq edhe të urryer. Kështu pra, çeta e dytë, një çetë me të vërtetë groteske siç u paraqit, ishte garda e vjetër ose senatorët siç i quajnë rëndom. Këta në rastin më të mirë nuk morën pjesë në fushatë fare, ndërsa në rastin më të keq e sabotuan hapur atë (mjafton të kujtojmë thirrjen patetike për të ndërruar kryetarin në çastet kur fushata sapo kishte filluar). Të mësuar me privilegjet e tyre shumëvjeçare brenda partisë, ata kujtuan se janë të përjetshëm dhe harruan se edhe një politikan brilant siç ishte Çurçilli është gjithmonë i përkohshëm. Për më tepër, mllefin e tyre ndaj kryetarit të urryer Basha, ata ndoshta pa e kuptuar, e shndërruan në mllef ndaj vetë PD-së. Një çetë më vete përbënte lideri historik Berisha, i cili u përpoq të mbante një qëndrim pajtues midis dy çetave të para, por që rezultoi fare i padobishëm. Berisha deklaroi se përpilimi i listave është e drejtë ekskluzive e kryetarit, duke justifikuar kështu më shumë veprimet e tij të mëparshme sesa veprimet aktuale të Bashës, por kurrë nuk bëri thirrje për t’i votuar ato lista! Sot kur lufta midis kryetarit të ngrirë dhe senatorëve ka shpërthyer më tepër si një urrejtje e ndërsjellë patologjike sesa si debat politik për të cilin ka nevojë populli demokrat, Berisha mban përsëri një qëndrim të çuditshëm dhe kundër natyrës që tashmë ia njohim të gjithë: ai u jep të drejtë të dyja palëve, por në të vërtetë të dyja i mohon. Çeta tjetër, e cila e shfaqi fytyrën e vërtetë vetëm pas disfatës së zgjedhjeve, është ajo e nëpunësve të aparatit të PD-së të zgjedhur dhe të emëruar nga vetë Basha. Nga më aktivët gjatë ditëve të çadrës, pakënaqësinë e madhe kur mbetën jashtë listave për deputetë ata e gëlltitën me shpresën se do të ishin pjesë e qeverisjes “Basha”. Vetë Basha e deklaroi këtë. Por humbja e zgjedhjeve ishte dhe humbja e shpresës së fundit për këtë kategori brenda piramidës së PD-së. Tani ata janë shndërruar në armiqtë kryesorë të kryetarit të tyre të djeshëm. Sa shumë çeta, sa shumë rrëkeza, sa shumë energji e derdhur kot, kur pritej një lumë i madh i përbashkët që do të vinte në lëvizje turbinën e fitores. Të gjithë mbajnë përgjegjësinë e tyre para popullit demokrat, të gjithë do të përgjigjen moralisht dhe politikisht, por para së gjithash do të përgjigjet kryetari i vetëngrirë Basha qoftë edhe për faktin e vetëm se nuk arriti t’i bashkojë të gjitha rrymat dhe korrentet. Kush duhet ta bëjë këtë përveçse kryetari?! Çfarë mund të bëjë tjetër kryetari, kur nuk bën këtë?!

– Kundërshtarët e akuzojnë Bashën se me Republikën e re nxori nga skema PD-në dhe se marrëveshja me Ramën ishte fatale…
Republika e re ishte një metaforë politike. Duke shfrytëzuar pakënaqësitë 25-vjeçare ndaj politikës, duke përfshirë edhe politikën e PD-së, madje veçanërisht politikën e PD-së, Basha u përpoq të gjente një metaforë apo një slogan të ri politik. Sipas meje është i gjetur mirë. Por duke qenë shumë i bukur (kalimi i pushtetit nga duart e politikanëve, në duart e njerëzve), është pak i vështirë për t’u besuar. Tingëllon pak utopik dhe donkishotesk. Por ky nuk është faji i Bashës. Është dështimi i politikës 25-vjeçare shqiptare që e nxit këtë ndjesi. Për sa i përket marrëveshjes me Ramën, më ka habitur amplifikimi që i është bërë për qëllime të caktuara kësaj marrëveshjeje. Rreth saj është ngritur një propagandë e përmasave dhe cilësive gebelsiane dhe PD-në më tepër e ka dëmtuar kjo propagandë se vetë marrëveshja. Për më tepër, as vetë Basha, as ekipi i tij, ose nuk kanë dashur, ose nuk kanë qenë në gjendje t’i përgjigjen kësaj kundërpropagande të përmasave gebelsiane. Të dyja rastet janë në kufijtë e pafalshmërisë dhe të përgjegjësisë ekstreme të kryetarit Basha dhe të ekipit të tij, në rast se ka ende ekip. Për më tepër Basha duhet të sqarojë qartë se çfarë është kjo marrëveshje dhe ta botojë patjetër në shtyp. Ndryshe do t’i mbetet mbi supe një përgjegjësi e tillë që asnjë politikan nuk mund ta përballojë.
Sa për vete, në parim, pa ditur në hollësi përmbajtjen e saj përveç atyre pikave që ka shpallur Basha dhe me të cilat jam dakord, unë nuk kam asgjë kundër marrëveshjes. Unë nuk mund të përkrah ato mendime ekstreme që thonë se “u takua. I dha dorën armikut”. Politika shqiptare nuk mund të qëndrojë, sikundër deri më sot, në dy llogore të baltosura dhe të qëllojë me dogratë e mykura të urrejtjes patologjike. Evropianizimi i saj, dalja nga llogoret e urrejtjes dhe futja në rrugët e garës së ndershme, ia vlen çdo lloj sakrifice, qoftë edhe me njëfarë kostoje që mund të paguajë njëra apo tjetra palë. Siç ka thënë Karli IX, Parizi ia vlen një meshë.

– PD është përfshirë nga një krizë pas humbjes së zgjedhjeve. Cila është rruga për të dalë nga kjo krizë dhe për t’u ringritur përsëri?
Nuk është hera e parë që PD-ja kalon kriza të tilla. Ka pasur edhe kriza më të thella, ka pasur madje edhe agresione. Megjithatë PD-ja është ringritur. Gjithmonë si feniksi. Kështu do të ndodhë edhe kësaj here. Sado e rëndë të duket situata, dhe vërtet e tillë është, nëndetësja me emrin PD do të ngrihet shumë shpejt e bukur dhe e fuqishme mbi ujë. Është një parti që ka energji të pallogaritshme dhe që po të shfrytëzohen mirë nga ata që e kanë për detyrë këtë, mund të ndodhë mrekullia, rikthimi i PD-së në pushtet, shumë shpejt. Asnjë klan, sado i sofistikuar qoftë, nuk mund ta përballojë vitalitetin e popullit të PD-së që ka dhënë shembuj të shkëlqyer ringritjeje dhe ripërtëritjeje. PD-ja është një visar kombëtar dhe si e tillë duhet trajtuar. PD-ja është një dashuri e madhe dhe duhet trajtuar vetëm me dashuri. Kurrë me urrejtje patologjike, kurrë me neveri për njëri-tjetrin, kurrë me urrejtje dhe dasi siç po veprohet këto ditë. Janë vërtet ditë të vështira, por janë dhe ditë të një katarsisi të madh. Po kalon koha e çetave dhe po afron, ndonëse tani për tani duket e vështirë, koha e bashkimit të energjive. Rruga e vetme është rithemelimi i PD-së, kalimi i stafetës te brezi më i ri, të cilin PD-ja e ka me shumicë. Çdo e keqe e ka një të mirë. Jam i bindur se rithemelim i PD-së do të thotë kalimi i udhëheqjes së saj në duar dhe mendje të papërlyera deri tani nga psikologjia e “çetave” dhe nga ndjesia e urrejtjes patologjike për njëri-tjetrin. Gjatë kësaj rruge PD-ja ka shumë çfarë të lërë pas nga trashëgimia e saj, ashtu siç ka po aq shumë të marrë dhe të mësojë nga historia e deritanishme.

Intervistoi: Valentina MADANI

Exit mobile version