Teferiçi: Krizat mund të jenë të shëndetshme, por edhe fatale

Parid Teferiçi, ish-deputet i PD-së, është mosbesues kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së, pasi sipas tij fakti që z. Basha nuk dha dorëheqjen, nuk lë vend për një garë të barabartë.
Z. Teferiçi apelon përmes “Gazeta Shqiptare” se demokratët duhet ta shpëtojnë partinë e tyre sa nuk është vonë. Sipas tij duhet bërë kujdes pas 23 korrikut, që mund të çojë në shuarjen definitive të PD-së.

– Z. Teferiçi, zgjedhjet e 25 qershorit nxorën fituese PS-në, ndërsa PD-ja është humbësja e radhës e këtyre zgjedhjeve. Sipas jush, cilët ishin faktorët që sollën një humbje kaq të madhe të PD-së?
Partia Demokratike humbi thellë për arsyet që u thanë e stërthanë për tre muaj me radhë në çadër, por pas daljes prej saj nuk i pipëtinte askush, si të ishin sekrete shokësh ushtrie. Por më dëshpëruese është se këto arsye i denoncoi dhe evidentoi LSI-ja, e cila diti të përballej me to në fushatë dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, me mënyrat e veta. Demokratët nuk blihen dhe nuk tremben, por ata nuk janë kope të bindura, ata shkojnë te kutitë e votimit kur e dinë se për kë dhe përse po votojnë, kë dhe përse po ndëshkojnë. Fitorja e Bashkisë Kavajë nga demokratët e udhëhequr nga Isa Sakja, vërtetoi më së miri se për të fituar duhet të dish të luftosh.

– Kundërshtarët brenda partisë e akuzojnë Lulzim Bashën se me “Republikën e Re” nxori nga skena PD-në dhe se marrëveshja me Ramën ishte fatale. Cili është mendimi juaj?
Dukej qartë se Basha nuk kishte besim te partia që udhëhiqte, te simbolet, historia, struktura dhe njerëzit e saj. As në katër vjet, as në katër muajt e fundit, Basha nuk e përmirësoi dot partinë, por as partia nuk e përmirësoi dot Bashën. Përkundrazi, vijojnë sot e përditë të përkeqësojnë pa u ndalur njëri-tjetrin. Përmirësoi gjatë fushimit tremujor në çadër vetëm artilerinë e tij retorike, por ajo mbeti tërësisht me raketa “ajër-ajër”, ndërsa tezat, domethënë shënjestrat, ishin të lëvizshme, të paqarta, të improvizuara dhe tautologjike: të papara sepse të padukshme, të padëgjuara sepse inkoherente, të papritura sepse të pamenduara mirë. Vetëm në temperaturën e çadrës mund të shkriheshin në një kallëp metalet e Trumpit dhe të Merkelit, populizmi egocentrik dhe liberal-konservatorizmi, serioziteti teatral dhe serioziteti i mirëfilltë ideor, “shpimi i gomave” dhe “moskëputja e luleve”. Me këtë cilësi aliazhi, gjylet e derdhura në tre muaj çadër, godisnin në muajin e fushatës si tullumbace. Gjithë sa ishin armët e vërteta në dispozicion të opozitës, të grumbulluara mundimshëm dhe rrëmujshëm: dekriminalizimi, dekanabizimi etj., krejt befas u magazinuan bashkë me çadrën diku, menjëherë pas paktit sekret (i cili e meriton një monument diku te sheshi i ri, me mbishkrimin “Bipartizani i panjohur”). Nuk i njohim termat e kësaj detante të çuditshme, por shpresoj pak në dobinë e tyre afatgjatë për demokracinë. Në emër të stabilitetit, gjoja të domosdoshëm për reforma të mëdha strukturore, druaj se ato do të sjellin amullinë në sistem dhe atrofizimin e nervit politik dhe qytetar. Kundërmimi i kësaj paqeje moçalore ka filluar të na asfiksojë që tani.

– PD-ja është përfshirë nga një krizë e thellë pas zgjedhjeve. Cilat rrugë mund ta nxjerrin atë nga kjo krizë dhe si mund të ringrihet sërish PD-ja?
Krizat janë të shëndetshme për një organizatë të gjallë politike, por vetëm nëse trajtohen, analizohen dhe përballohen hapur dhe me qasjen e duhur. Përndryshe krizat bëhen fatale. Marrja e përgjegjësive është detyrim i pashmangshëm i udhëheqjes. Gabimi më i madh është kryer tashmë: kryetari nuk dha dorëheqjen për të garuar si i barabartë me konkurrentët. Nëse perifrazoj Alfred Lelën: “Të jesh kryetar, nuk hyn te të drejtat themelore të njeriut”. Duket sikur qëndrimi i vetëm koherent politik i Bashës është qëndrimi me çdo kusht kryetar. Nëse procesi zgjedhor do të vazhdojë kështu si ka nisur, atëherë pas 23 korrikut e deri në shuarjen definitive të PD-së, do të na shoqërojë si mallkim refreni i çadrës: “Zgjedhje-fasadë, kryetar-fasadë, opozitë-fasadë, parti-fasadë”. Kjo është tmerrësisht e tepërt për forcën më të madhe të lirisë dhe të qendrës së djathtë në vend. Uroj me shpirt që demokratët të rifitojnë shpejt partinë e tyre!

Exit mobile version