LSI dhe Vangjel Tavo janë hedhur në sulm frontal në terren për blerjen e votave. Në dy ditët e fundit, aksioni në terren është përqendruar në qytetin e Memaliajt, fshat Memaliaj, fshatrat Toc, Vasjar, Miricë, Kashisht, Arrëz e Vogël, Arrëz e Madhe, Bylysh, Qesarat, Krahës, Levan, Xhaxhaj, Kalivaç.
Informacionet e Juguneës.net nga terreni, bëjnë të ditur se “trimat” e Tavos kanë shkuar shtëpi më shtëpi për blerjen e votave kryesisht tek ato familje që janë në mëdyshje për votën e 25 qershorit, si dhe ato që kanë probleme të theksuara sociale.
Shuma e shpërndarë nga A.C. dhe F.LL dy persona pjesë e strukturave organizative të LSI në jug të vendit, kanë qenë nga 200 apo 300 euro për çdo familje në varësi të numrit të personave në familje që kanë të drejtë vote.
Në Memaliaj qytet, janë shpërndarë sasi eurosh në 30 familje, në Memaliaj fshat në 50 familje, ndërkohë që duhet theksuar se mjaft familje kanë refuzuar marrjen e eurove, duke i përzënë nga shtëpia, “trimat” e LSI.
Ndërsa në fshatrat Bylish, Arrëz e Vogël, Arrëz e Madhe nga 10 familje, ndërsa në Krahës, Kalivaç kanë shpërndarë në gati 20 familje. Aksioni i tyre vazhdon në terren, ndërkohë që gjithçka ndërmerret në orët e mbrëmjes për t’i shpëtuar mbikëqyrjes nga të tjerët.
Afrimi drejt fundit i fushatës elektorale dhe rezultatet të dala nga anketimet dhe sondazhet paraprake duken se e kanë trembur realisht kandidatin e LSI, Vangjel Tavo. I vënë përpara faktit të një rrëshqitje të rezultatit të LSI në Dropull, Tavo ka degraduar retorikën e tij, hedh akuza pa baza e sajon histori te paqena, duke deformuar edhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi. Por më i rëndë akoma është fakti që përpiqet të hapë panik, duke shpikur se në qoftë se votohet Edi Rama, banorëve do iu hiqen dokumentet greke!
Kjo sajesë është një absurd i madh, pasi dhënia ose heqja e dokumenteve nuk përcaktohet as nga Tavo e as nga Rama, por nga autoritetet greke me një procedurë shumë rigoroze e pa lidhje me politikat e brendshme shqiptare.
Duket se situata në Dropull dhe në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës e ka trembur aq shumë kandidatin e LSI sa që po detyrohet të përdorë këto forma të ulëta presioni për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve.