Nipi i kreut të PS-së kapet duke blerë votat me para

Një skandal i përmasave të mëdha është zbuluar në Pukë. Bëhet e ditur se nipi i kryetarit të PS të Pukës, Enver Sulejmani është kapur duke blerë vota me zarfe me para. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes, ku Policia e Pukës ka ndaluar një makinë që dyshohej se brenda kishte persona që po shpërndanin lekë për të blerë vota. Në makinën “Mercedes Benz” me targa të vjetra TR 9786 K, policia ka ndaluar 4 persona. Në mjet janë gjetur një shumë e konsiderueshme parash dhe e ndarë në disa zarfa. Burime nga Policia Pukë thonë se, është sekuestruar dhe një sasi e vogël hashashi që mendohet se ishte për përdorim vetjak.
Personat e ndaluar njihen si mbështetës dhe të afërm të përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Mes të ndaluarve është dhe nipi i kreut të Partisë Socialiste në Pukë, Enver Sulejmani. Ndërsa disa prej personave rezulton se janë me precedentë penalë.
Por edhe pse kemi të bëjmë me një vepër të rëndë penale, blerje vote dhe trafikim lëndësh narkotike, Policia e Pukës ende nuk ka një njoftim zyrtar për këtë ngjarje të rëndë. Burime thanë se, kandidati për deputet i PS-së në Pukë, Paulin Luli, nënkryetari i Bashkisë Pukë, Astrit Kuçi dhe drejtues të Policisë lokale ditën e djeshme kanë përgatitur “letrat” për të liruar personat e arrestuar.
Prej disa ditësh në Pukë, bandat e PS kanë ushtruar terror tek zgjedhësit që të votojnë për Partinë Socialiste. Para pak ditësh ish-Kryeministri Berisha denoncoi banditët dhe trafikantët e mbështetur nga PS për terror ndaj zgjedhësve. Denoncimi u bë pas marrjes së një mesazhi nga një qytetar nga Puka. “Puka në dorë të bandave”, shkruan Berisha në një postim në Facebook, duke i kërkuar Prokurorisë që të ndëshkojë me forcën e ligjit këta banditë të mbështetur nga policia.
Katër ditë më parë pas mes natës në vendin e quajtur “Qafë Çelë” janë ndaluar dhe kontrolluar makinat e qytetarëve të ndryshëm nga shoferi i kryetarit të Bashkisë Pukë, Sokol Frroku me bandën e tij, duke e bërë presion që të votojnë PS-në.
Ditët e fundit, në të gjitha akset nacionale dhe rurale të rrethit të Pukës ka patur prezencë të shtuar të “postblloqeve” nga grupet kriminale, të cilat bëjnë presione psikologjike dhe ushtrojnë dhunë fizike ndaj qytetarëve. Në çdo njësi administrative, ndjehen uturimat e fadromave që hapin rrugë dhe shtigje të reja, qarkullojnë makina pa targa dhe me xhama të zinj, ka dyndje individësh që nuk njihen nga banorët e zonave respektive, si po qarkullojnë paratë e drogës dhe të krimit në funksion të shitblerjes së votës.
Shitblerja e votës nga PS ka marrë përmasa shqetësuese. Një ditë më parë u denoncua publikisht blerja e votës nga elementët e PS të mbështetur nga vetë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në Vorë dhe zonat përreth. Tahiri në detyrën e kryetarit të PS të Tiranës, kishte angazhuar Agim Kajmakun dhe nipat e tij që të shpërndajnë para në zonën e Vorës tek familjet e varfëra në këmbim të votës për Partinë Socialiste. Banda e Tahirit shkon shtëpi më shtëpi me makina dhe shpërndan lekë, sidomos në orët e vona.
Banorë të zonës bëjnë të ditur se, Agim Kajmaku e ka shndërruar makinën e tij në bankë. Ai bashkë me dy nipërit e tij për çdo natë organizojnë skemën e shpërndarjes së parave shtëpi më shtëpi. Dy nipërit e tij, Edi Kajmaku dhe Ladi Kajmaku janë njerëzit më të besuar që përgatisin zonën dhe ushtrojnë presion tek zgjedhësit që të votojnë Partinë Socialiste. Këta banditë të Tahirit mbështeten edhe nga forcat e policisë që i binden ish-ministrit të Brendshëm.
Para tre ditësh u zbuluan në Luz të Kavajës dy persona, të cilët me lista në dorë po shkonin shtëpi më shtëpi për të shpërndarë para në këmbim të votës. Të dy personat kanë mundur të ikin dhe janë denoncuar në Policinë e Kavajës. Dy personat që janë zbuluar, duke blerë votat ishin punonjës të administratës në OSHEE dhe në njësinë administrative të Luzit. Një familje që ka katër votues paguhet deri në 50 mijë lekë.

Exit mobile version