Lufta për Falluxhan, ushtria irakene zbraps ISIS

Ushtria e Irakut ka sulmuar qytetin Falluxha, i cili kontrollohet nga grupi militant Shteti Islamik (IS). Ky zhvillim vjen një javë, pasi qeveria ka nisur përpjekjet e bashkërenduara për të rimarrë qytetin, i cili ka rënë në duart e xhihadistëve qysh në vitin 2014.
“Faza e tretë e operacionit që synon hyrjen në qendër të qytetit Falluxha, ka nisur. Luftëtarët tanë heroikë, të cilët po marrin pjesë, janë nga forca anti-terroriste dhe ushtria e Irakut dhe kanë mbështetjen e policisë së provincës Anbar”, ka thënë zëdhënësi i operacioneve të përbashkëta të ushtrisë irakiane, gjeneral brigade Yahya Rasool Abdullah.
Rreth 50,000 civilë janë të bllokuar brenda, ndërsa vetëm pak familje kanë arritur të ikin.
Kombet e Bashkuara thonë se kanë raporte për njerëz që kanë vdekur nga uria dhe që janë vrarë, pasi kanë refuzuar të luftojnë në anën e Shtetit Islamik.
“Detyrë e jona është të shpëtojmë jetët e civilëve dhe infrastrukturën. Po ndjekim një strategji që dallon nga faza e parë dhe e dytë e operacioneve në Falluxha”, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë, Abdullah.
Falluxha ka qenë nën rrethim që gjashtë muaj dhe shumë pak ushqime apo ilaçe kanë mundur të hyjnë në qytet.
Agjencitë humanitare kanë bërë vazhdimisht thirrje që t’iu lejohet civilëve të largohen.
“Jemi larguar në mëngjes, kur bombardimet janë intensifikuar. E kemi kuptuar se forcat e sigurisë janë shumë pranë nesh dhe kemi vendosur të ikim. Kemi marrë vetëm gjëra personale. Autoritetet irakiane na kanë pritur shumë mirë dhe nuk kanë kursyer asnjë përpjekje për të na ndihmuar”, ka thënë një banore e Falluxhas, e cila ka arritur të dalë nga qyteti.
Forcat shtetërore, përfshirë anëtarë të një njësie anti-terroriste, janë duke hyrë në qytet në disa fronte, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Luftëtarët e Shtetit Islamik raportohet se janë duke bërë rezistencë me sulme vetëvrasëse dhe makina bomba.
Operacioni për rimarrjen e Falluxhas ka nisur qysh më 22 maj. Një oficer i ushtrisë ka thënë më 29 maj se trupat qeveritare kanë rikthyer 80 për qind të territorit përreth qytetit.
Falluxha, së bashku me Mosulin, janë dy qytete të mëdha që kontrollohen nga Shteti Islamik në Irak.
Falluxha është një qendër e rëndësishme fetare për pakicën sunite të Irakut. E ndërtuar mbi një udhëkryq rrugësh nga Arabia Saudite dhe Jordania, Falluxha ka qenë në mesin e vendeve të para në Irak ku ideologjia e ashpër vahabiste ka lëshuar rrënjë.
Në nëntor të vitit 2004, ushtria amerikane ka pësuar humbjen më të madhe në disa dekada gjatë një operacioni kundër militantëve të Al Kaidës në Falluxha. Së paku 95 ushtarë amerikanë janë vrarë në luftime të ashpra me xhihadistët.
Ka shqetësime në rritje lidhur me gjendjen e vështirë të popullsisë civile të bllokuar brenda qytetit që kontrollohet nga Shteti Islamik.
Një javë më parë, forcat irakiane ndërmorën një operacion të gjerë që synonte rimarrjen e qytetit Falluxha, një prej bastioneve më emblematike të ISIS-it në provincën perëndimore, Anbar.
Përparimi i forcave qeveritare ka krijuar një mundësi për disa civilë që të largohen nga zonat periferike të qytetit dhe të përpiqen të arrijnë në zona të sigurta. Agjencia e OKB-së për refugjatët thotë se është duke marrë raporte për vuajte të tmerrshme të popullsisë civile në Falluxha. Melissa Fleeming është zëdhënëse e UNHCR.
“Kemi njoftime dramatike të shtimit të numrit të ekzekutimeve të burrave dhe djemëve të rritur që refuzojnë të luftojnë për ISIL. Njoftime të tjera flasin se një numër njerëzish që u përpoqën të largoheshin janë ekzekutuar ose rrahur me kamzhik. Përveç kësaj, njoftohet për shumë njerëz të vrarë ose varrosur të gjallë në rrënojat e shtëpive të tyre, ndërsa vazhdojnë operacionet ushtarake. Është absolutisht e nevojshme të hapen rrugë të sigurta që do të mundësonin popullsinë civile të qytetit që të shpëtojnë dhe të merrnin ndihmën e nevojshme për t’u shpëtuar jetët”.
Ndërsa rreth 800 njerëz ishin në gjendje të largoheshin, mijëra të tjerë janë të bllokuar. Burrat dhe djemtë e rritur që kanë mundur të shpëtojnë janë ndarë në grupe dhe dërguar në vende ku po merren nën shqyrtim nga forcat speciale të sigurisë. Falluxha ka qenë nën rrethim për gjashtë muaj, ndërsa ka patur qasje shumë të pakta ushqimesh dhe ilaçe.

Exit mobile version