Tragjedia në Mesdhe, 700 të mbytur

Shifrat bazohen në deklaratat e të mbijetuarve, tha Carlotta Sami nga Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara UNHCR për agjencinë gjermane të shtypit DPA. Fjala është për tri anije të mbytura të mërkurën, të enjten dhe të premten.
550 vetë nga një anije që është mbytur të enjten (19.05), konsiderohen ende të zhdukur, tha Sami. Rreth 100 të tjerë duhet të jenë të bllokuar në barkun e një anije të fundosur të mërkurën. Kurse numri i të mbyturve prej një anijeje të tretë që u fundos të premten është i paqartë. “Nëse do t’i mbledhim këto shifra të zymta, mendojmë se ka të paktën 700 viktima, por nuk mund të themi gjë me siguri për shifrat dhe identitetin e viktimave”, u shpreh Sami

Refugjatët tregojnë edhe për një anije të katërt
Sipas organizatës “Save the Children” refugjatët e shpëtuar që kanë arritur në Itali, kanë treguar se përveç tri anijeve të mbytura me refugjatë ka pasur edhe një anije tjetër me rreth 400 persona në bord, e cila po ashtu është mbytur. Anija qe nisur nga porti i Sabrathat në Libi. “Ne kemi regjistruar dëshmitë e disa të shpëtuarve dhe të gjithë tregojnë të njëjtën gjë”, tha zëdhënësja e “Save the Children” Giovanna Di Benedetto. “E gjithë kjo duhet të verifikohet, por nëse konfirmohen deklaratat e të mbijetuarve, ka edhe rreth 400 të mbytur të tjerë”.
Gjatë javës në Detin Mesdhe sipas rojes bregdetare italiane dhe Kombeve të Bashkuara janë shpëtuar rreth 14.000 emigrantë. Vetëm të premten gjatë 17 aksioneve të ekipeve të rojes bregdetare u shpëtuan 2.000 vetë. Qëkurse gjithnjë e më shumë vende përgjatë rrugës ballkanike kanë mbyllur kufijtë e tyre, refugjatët po përpiqen përsëri që të arrijnë në Itali nga brigjet e Libisë, duke kuluar Detin Mesdhe.

Bullgaria kthen mbapsht refugjatë për në Greqi
Qëkurse kufiri mes Maqedonisë dhe Greqisë është mbyllur, në Bullgari po shtohet frika se refugjatët mund të përdorin Bullgarinë si trampolinë në rrugën e tyre për në Evropën Perëndimore. Ministria e Brendshme bullgare ka dërguar për këtë shkak trupa për të mbështetur rojet kufitare.
Deri tani janë kthyer mbrapsht për në Greqi 53 refugjatë me origjinë nga Afganistani. Ky veprim u bë “në mënyrë që të dërgojmë një sinjal tek të gjithë ata që mund të zgjedhin këtë rrugë”, tha një përfaqësues i lartë i Ministrisë së Brendshme në Sofje. Refugjatët, që kishin hyrë në Bullgari me një tren mallrash u arrestuan.

Exit mobile version