Mbështetje nga Uashingtoni, jo nga lobistët e narkomafies

Kryetari i PD, Lulzim Basha e cilësoi si luftë për “jetë a vdekje”, qëndresën e opozitës dhe popullit shqiptar ndaj narkomafias në pushtet ndërsa paralajmëroi se opozita nuk do të tërhiqet për asnjë moment nga beteja e saj deri në garantimin e zgjedhjeve të lira përmes qeverisë teknike. Nga sheshi i lirisë, ku në ditën e 38 të qëndresës opozitare u diskutua për aferën e CEZ dhe padrejtësive me energjinë elektrike, kreu i PD Basha solli edhe një herë në vëmendje kërcënimin real të zgjedhjeve nga krimi dhe narkomafia në pushtet, si dhe domosdoshmërinë për krijimin e një qeverie teknike, të vetmen mundësi për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Këtu në agorë, në këtë shesh të lirisë, ditë për ditë, paqësisht, me zë të lartë përgjegjësie patriotike dhe qytetare, ne shpalosim Shqipërinë e vërtetë.
Por ditë për ditë jemi këtu për t’i kujtuar njëri-tjetrit, shqiptarëve kudo ku janë, miqve tanë nga Uashingtoni në Bruksel, që na duan të mirën, që duan një Shqipëri me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me drejtësi të vërtetë, me gjyqtarë të pastër që nuk mbrojnë, por ndëshkojnë korrupsionin, si ky i CEZ-it, nuk mbrojnë, por ndëshkojnë faraonët e drogës të bërë njësh me pushtetin, se: në këtë agorë të paqes, të qëndresës dhe të vendosmërisë, kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje, për Shqipërinë evropiane, për Shqipërinë demokratike, për Shqipërinë euroatlantike”, u shpreh kreu i PD.
Basha shprehu shqetësimin jo vetëm të opozitës, por të gjithë popullit shqiptar se “mafia ndërkombëtare, narkomafia shqiptare të bërë njësh me Edi Ramën po bëjnë e do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur milionat e aferave të pista korruptive që janë luajtur në kurriz të popullit shqiptar. Po bëjnë e do të bëjnë gjithçka për të ruajtur miliardat e drogës, të kanabisit, heroinës e të kokainës me të cilat financojnë politikën e tyre, lobistët e tyre, me të cilat mendojnë se mund të blejnë të vërtetën për të shtypur njëherë e mirë aspiratën e këtij populli për drejtësi të vërtetë, për demokraci të vërtetë”.
Basha tha se opozita ka vendosur t’i shkojë deri në fund qëndresës dhe përballjes deri në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike.
“Në këtë luftë ka vetëm dy rrugë. Rruga e parë, rruga që dëshirojnë kundërshtarët dhe armiqtë e lirisë dhe demokracisë është të tërhiqemi, ta pranojmë si fatin tonë të keq Edi Ramën dhe klikën e tij mafioze, e cila me paratë e korrupsionit dhe të drogës dëshiron të diktojë përsëri zgjedhje sipas vullnetit të krimit dhe mafias dhe jo sipas vullnetit të qytetarëve shqiptarë.
Rruga tjetër, rruga që ju keni zgjedhur tash 38 ditë, rruga që unë jam zotuar para jush se nuk do t’i ndahem deri në fitore, është rruga e qëndresës, është rruga e vendosmërisë, rruga e përballjes, rruga e betejës.
Në këtë rrugë, ne kemi me vete faktet, kemi me vete të vërtetat, ne kemi me vete shpresën, aspiratën e çdo shqiptari për një Shqipëri të lirë nga krimi, për një Shqipëri të lirë nga korrupsioni, për një Shqipëri të lirë nga tirania e varfërisë, që ul kokat e prindërve para fëmijëve të tyre nga mëngjesi deri në darkë. Dhe kjo rrugë mund dhe do të kalojë vetëm përmes një shtegu: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër, me një qeveri teknike, zgjedhje të standardit evropian”, tha Basha.

Mesazhi për lobingjet e narkomafias

Basha përcolli një mesazh të prerë dje për fushatën e lobingjeve ndërkombëtare që eksponentë të narkotrafikut të lidhur me pushtetin kanë nisur kundër kauzës së opozitës, ndërsa rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të Uashingtonit për betejën opozitare në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Ingranazheve të narkomafies shqiptare në qeveri, në media dhe në lobingjet ndërkombëtare dua t’u jap sot një mesazh të qartë: Për këtë betejë, për këtë kauzë, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e largimit të krimit nga politika, kauzën e luftës pa kompromis kundër drogës, ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, PO, kanë marrë mbështetje totale në Uashington!
Dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka një dhe vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian, Shqipërinë e standardit euroatlantik, asgjë më pak nuk do të pranojmë për Shqipërinë dhe për shqiptarët.
Ndaj me dashamirësi dhe mirënjohje ndaj miqve që na mbështesin pa kushte, me mirëkuptim dhe durim ndaj miqve që kanë akoma nevojë të sqarohen e të kuptojnë surratin e vërtetë të mafias shqiptare dhe pa asnjë milimetër tërheqje para çdokujt që ka vendosur para interesave të shqiptarëve interesin e xhepit të vet, ju them që; nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje”, tha Basha.
Kreu i PD theksoi se opozita “nuk do të pranojë zgjedhje me standard më të ulët sesa miqtë tanë kërkojnë dhe kanë për qytetarët e tyre. Kjo nuk është beteja e radhës, kjo nuk është beteja dosido, kjo është beteja e betejave për Republikën e re, për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë euroatlantike. Ndaj nuk ka dhe nuk mund të ketë tërheqje. Sepse tërheqje do të thotë rënie e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sepse tërheqje apo dremitje para krimit që bën ligjin do të thotë rënie e Shqipërisë së lirë nga krimi. Sepse tërheqje do të thotë Shqipëri republikë e drogës. Ndaj nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje, do të ketë vetëm luftë të vendosur deri në fitore, deri në Republikën e re, deri në zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa Edi Ramën Kryeministër. Ky është vendimi i popullit tim dhe unë do t’i bindem deri në fitore”.

Exit mobile version