Lulzim Basha kujton kryengritjen e Postribës: Demokratët Euroatlantikë të angazhuar në shlyerjen e borxhit të madh moral e material ndaj të përndjekurve

Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar kryengritjen e postribës e cila shënon 78 vjet nga ajo që u quajt edhe si lëvizja e parë antikomuniste në Europën e ndarë nga perdja e hekurt. Në një postim në rrjetin social Facebook, Basha shkruan se në këtë ditë historike, përkulemi me nderim dhe respekt përpara veprës guximtare të qindra patriotëve, intelektualëve, klerikëve të të gjitha besimeve, që ngritën krye ndaj regjimit diktatorial dhe gjakatar, që sapo ishte instaluar në Shqipëri.

Ai më tej shkruan se shtypja e saj e përgjakshme mbetet një nga plagët më të dhimbshme në kujtesën tonë kombëtare, pasi gjymtoi elitën intelektuale dhe morale të Shqipërisë, dhe shkretoi familje të rëndësishme me kontribut të vyer patriotik si ajo e Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit dhe Abdullah Sahitit, që i prinë revoltës kundër të keqes.

Sipas Bashës detyrimi ndaj martirëve të Postribës dhe pasardhësve të tyre, Demokratët Euroatlantikë mbeten të angazhuar në shlyerjen e borxhit të madh moral e material ndaj shtresës së të përndjekurve, që me programin tonë do të gëzojnë të njëjtin vlerësim financiar që gëzon statusi i ish-ushtarakut.

Postimi i plotë i Bashës:

Më 9 Shtator 1946, në Postribë, mori jetë shkëndija e parë e rezistencës antikomuniste në të gjithë Europën e ndarë nga perdja e hekurt.

Në këtë ditë historike, përkulemi me nderim dhe respekt përpara veprës guximtare të qindra patriotëve, intelektualëve, klerikëve të të gjitha besimeve, që ngritën krye ndaj regjimit diktatorial dhe gjakatar, që sapo ishte instaluar në Shqipëri.
Një revoltë e përligjur nga vetëdija e thellë historike e kryengritësve, se komunizimi ishte i papajtueshëm me vlerat themelore për zhvillimin e atdheut, si liria në të gjitha format e saj dhe orientimi perëndimor i Shqipërisë.

Si akti i parë madhor i rezistencës në Europën e pushtuar nga komunizmi, kryengritja tronditi nga themelet regjimin, duke shënuar edhe një nga raprezaljet më të egra të diktaturës. Shtypja e saj e përgjakshme mbetet një nga plagët më të dhimbshme në kujtesën tonë kombëtare, pasi gjymtoi elitën intelektuale dhe morale të Shqipërisë, dhe shkretoi familje të rëndësishme me kontribut të vyer patriotik si ajo e Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit dhe Abdullah Sahitit, që i prinë revoltës kundër të keqes.

Ky kalvar i gjatë e rraskapitës, i vuajtjeve dhe sakrificave, është një thirrje patriotike për të respektuar dhe mbrojtur trashëgiminë e dhimbshme të martirëve të Postribës, si një gur kilometrik në historinë tonë dhe në përpjekjen e shqiptarëve për të qenë pjesë e pandarë e qytetërimit europian.

E teksa një luftë e dytë, e ftohtë, po çapitet kryeqyteteve europiane e botërore, ne bëjmë tonën – sakrificën sublime të patriotëve të Postribës, të vendosur për të mbajtur Shqipërinë në aksin e saj natyror, të orientuar kah perëndimit dhe vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të patjetërsueshme. Të drejta për të cilat luftuan qindra, mijëra burra dhe gra, në përballjen mes demokracive dhe autokracive, e ku martirët e Postribës janë dallëndyshja e parë, e një pranvere që vonoi, por më në fund erdhi.

Me mirënjohje dhe ndjenjë të thellë detyrimi ndaj martirëve të Postribës dhe pasardhësve të tyre, Demokratët Euroatlantikë mbeten të angazhuar në shlyerjen e borxhit të madh moral e material ndaj shtresës së të përndjekurve, që me programin tonë do të gëzojnë të njëjtin vlerësim financiar që gëzon statusi i ish-ushtarakut. Po ashtu, ne angazhohemi në krijimn e Muzeut Kombëtar të Kujtesës së krimeve të diktaturës komuniste, si dhe ngritjen në Tiranë të memorialit për dëshmorët e lirisë, të vrarë nga regjimi komunist.

I paharruar qoftë kujtimi i martirëve të Postribës!

Exit mobile version