Merr fund telenovela “Depay”. Sulmuesi holandez është transferuar te Lyoni duke mbyllur aventurën me Manchester United. Klubi francez zyrtarizon blerjen e madhe të merkatos së dimrit për 16 milionë paund, por shuma mund të rritet deri në 21.7 milionë në varësi të bonuseve të nënvizuara në kontratë. Depay u transferua nga PSV Eindhoven te “Djajtë e Kuq” në vitin 2015, por gjatë 18 muajve në “Old Trafford” ai nuk arriti të bindte drejtuesit, duke zgjedhur një destinacion të ri për karrierën e tij. Vetëm 7 gola në 56 ndeshje me fanellën e Manchester United janë treguesi më i qartë i mungesës së efikasitetit të Depay në radhët e “Djajve të Kuq”, ndërsa gjatë këtij sezoni nën drejtimin e Jose Mourinhos u aktivizua vetëm 8 herë si zëvendësues me 20 minuta të luajtura në total.
Në aventurën e tij të re me Lyonin, Depay do të mbajë të veshur fanellën me numrin 9. Sipas mediave angleze, në rast se klubi i Lyonit do të pranojë ta blejë përfundimisht në qershor, por edhe në rast të kualifikimit në Champions League, atëherë do të hyjë menjëherë në fuqi klauzola e bonueseve që do të përfitojë klubi anglez. Në prononcimin e parë si lojtar i Lyonit, sulmuesi holandez e pranoi se nuk arriti të tregonte klasin e tij në Manchester, por do të kërkojë ta bëjë një gjë të tillë në Ligue 1 me fanellën e Olimpikut të Lyonit.