Milan huazon sulmuesin Deulofeu

Tashmë nuk ka më pikëpyetje, Milani bën goditjen e parë të madhe në dritaren e merkatos dimërore. Kuqezinjtë mbyllën me sukses bisedimet me Evertonin për huazimin e sulmuesit të krahut, Gerard Deulofeu. Pas shumë javëve bisedime, klubi nga Liverpooli iu dorëzua vullnetit të lojtarit që kërkonte me çdo kusht zbarkimin në Milano. Formula e huazimit është caktuar deri në datën 30 qershor dhe Milani nuk është i detyruar të blejë kartonin e spanjollit në rast se ai do të dështojë gjatë pjesës së dytë të sezonit.
Milani i dha sinjalet e para që në datën 30 dhjetor dhe ishte administratori i Deleguar, Adriano Galliani që ushtroi presion për transferimin e lojtarit në Milanello për t’i dhënë më shumë alternativa në sulm trajnerit, Vincenzo Montella. Deulofeu mund të luajë si në të djathtë ashtu edhe në të majtë të sulmit. Sipas mediave italiane, me shumë mundësi Deulofeu do të rikthehet në “Goodison Park” në fund të sezonit dhe huazimi aktual do t’i kushtojë Milanit vetëm 500 mijë euro. Gjithsesi, nëse lojtari arrin të bindë drejtuesit, atëherë palët do të ulen në tryezë për të diskutuar edhe detajet e blerjes së kartonit të tij nga klubi italian.

Exit mobile version