Ish-Kryeministri Sali Berisha ka reaguar ditën e djeshme në lidhje me ngjarjen e paprecedent të futjes në mënyrë të jashtëligjshme dhe fshehtazi në punimet 3-javore të Kuvendit të Shqipërisë të draftit të Reformës në Drejtësi, pa u diskutuar në Byronë e Parlamentit. Në një postim në Facebook, Berisha thekson se falsifikimi i kalendarit të punimeve të Parlamentit tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë me Parlamentin Edi Rama dhe të gjithë personat me precedentë penalë që ai ka futur në Parlament. “Parlamenti i vrasësve, trafikantëve, hajnave, përdhunuesve, më së fundi falsifikon kalendarin e tij! Të dashur miq, në një akt banditesk të pashembullt në historinë 25-vjeçare të Parlamentit pluralist shqiptar, por ndofta dhe në historinë parlamentare botërore, Parlamenti i vrasësve, përdhunuesve, trafikantëve, kusarëve të shtetit falsifikoi dje me urdhër të Edvin Kristaq Ramës kalendarin e punimeve të tij. Kështu, ‘madam Lokomotiva’ futi në kalendar, me urdhër të neobllokmenit Edi Rama, pa diskutuar në Byronë e Parlamentit, ligjin për ndryshimet kushtetuese sikur gjoja kjo ishte miratuar me konsensus. Ndërkohë që në materialin e shpërndarë Byrosë para mbledhjes nuk thuhej asnjë fjalë për këtë ligj. Ky është një krim i shëmtuar që tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë me Parlamentin vrasësit, kusarët e shtetit, trafikantët dhe përdhunuesit dhe pengmarrësit në Parlament. Ky është një akt që tregon fytyrën e vërtetë të Edvin Kristaq Ramës, i cili duhet të marrë përgjigjen e merituar!”, shprehet Berisha.