Skandali, motra e Mrikës përfaqësuesja e OPDAT për Reformën në Drejtësi

Nga Habjon Hasani

Ambasada e SHBA-ve shpërndau një deklaratë për mediat, ku dukshëm vinte theksin në mungesën e “fleksibilitetit” nga ana e opozitës në dakordësimin e disa pikave nevralgjike që lidheshin me ekuilibrin e forcës në institucionet e reja të drejtësisë.
Kjo deklaratë e ambasadës s’do mend që nuk e ka lumturuar PD-në e, me siguri, në lojën e negociatave dhe të kulisës, PD-ja ka pasur “gjynahet e veta”.
Por duket pak e çuditshme që në deklaratën finale të ambasadës, nuancat ishin bardhë e zi, aq sa dikush që do të lexonte vetëm këtë deklaratë mbi reformën, do t’i dukej sikur njëra palë (opozita) i kishte vënë shkelmin reformës, ndërsa pala tjetër ishte “përvëluar” për një çikë reformë.
Ajo çfarë ka ndodhur në të vërtetë, nuk mund të ketë qenë dhe nuk është kaq bardhë e zi. Zor se mund të ketë engjëj dhe djaj kjo histori.
Opozita arriti një fitore drastike dhe të rëndësishme disa muaj më parë kur Komisioni i Venecias rrëzoi projektin fillestar të Edi Ramës. Ai ishte projekti për të cilin Ramës “i qante syri”.
Projekti fillestar ishte një organizim i qartë, pa ekuivok për të asgjësuar komplet sistemin aktual dhe për t’i zëvendësuar ekzistuesit nëpërmjet një metodologjie që kontrollohej nga një njeri, nga Edi Rama.
Ishte një përpjekje e qartë për të kapur sistemin për fyti e, për çudi, shumica e mediave e paraqisnin Ramën asokohe si kryereformator, si të vetmin aktor politik që “i qante xhani” për një çikë drejtësi.
As LSI-ja nuk i besonte projektit fillestar të Ramës dhe për këtë arsye ajo çoi në Venecia variantin e saj me korrektime.
Venecia konfirmoi dyshimet dhe qëndrimin e opozitës dhe Edi Rama kuptoi se ishin mbyllur “zyrtarisht” shtigjet që ai të bënte një reformë sipas tekave personale.
Venecia ishte e para që goditi dhe shkërrmoqi “legjendën urbane” dhe mediatike të një Edi Rame që do na bënte “dhuratë” drejtësinë që aq shumë e kishim ëndërruar të gjithë.
Deri në verdiktin e Venecias, Fatmir Xhafaj nuk e kishte problem madje dhe të deklaronte se ai vetë nuk kishte bërë ndonjë punë kushedi, sepse draftin ia kishte iniciuar dhe përgatitur fondacioni “Soros”.
Rilindësi Xhafaj i bënte zyrtarisht këto deklarata, në prezencë të ambasadorit amerikan, por dukej sikur askujt nuk i bënin përshtypje këto detaje.
Kreu i Komisionit të Reformës pranonte publikisht se i kishte lënë dorë të lirë një fondacioni privat t’i bënte këto punë, por të gjithë dukeshin të qetë dhe në prag lumturimi.
Pas Venecias erdhën komunikimet dhe negociatat për kolaudimin e qëndrimit në detaje.
Negociata, të cilat sot janë shpallur zyrtarisht si të dështuara, ndërsa demokratët i janë kundërpërgjigjur deklaratës së ambasadës duke ekspozuar përmbajtje të disa e-mail-eve që mbështesin pretendimet e saj për vullnet konstant.
Këto e-mail-e janë rakordime dhe komunikime mes ekspertëve të PD-së dhe ekspertëve të OPDAT-it. Ky i fundit është një organ teknik i kontrolluar nga SHBA dhe i specializuar në çështje të jurisprudencës dhe sigurisë.
Këmbimi i këtyre e-mail-eve ka një detaj interesant. Sepse personi i kontaktit dhe koordinatore në OPDAT është as më shumë e as më pak se sa znj. Alba Kodheli Ibrahimi.
Ajo është motra biologjike e ministres rilindëse Mimi Kodheli, por është njëkohësisht dhe bashkëshortja e juristit Gent Ibrahimi. Ky i fundit ishte dhe kryeteknicieni i hartimit të drafteve zyrtare.
Njeriu që ka bërë komunikimet dhe ka mbajtur kontaktet dhe rakordimet me PD-në është minimalisht në një konflikt të thellë dhe arbitrar interesi, e minimalisht duhej të kishte refuzuar të mbante këtë rol, sikundër dhe PD-ja duket se është treguar krejt e pavëmendshme duke ia besuar marrëdhënien dhe rakordimet me partnerët amerikanë një personi që është “biologjikisht kundër PD-së”.
Por konflikti i interesit të koordinatores Kodheli-Brahimi, duket se i ka shpëtuar dhe ambasadorit Lu, pavarësisht se ai zakonisht shfaqet si i kujdesshëm për t’u baraslarguar nga palët.
Ndaj dhe pas gallatës së Fatmir Xhafës me fondacionin “Soros”, erdhi dhe gallata e radhës me koordinatoren që ishte në pozicion të pavarur (si e OPDAT), por që është në pozita të forta ndërvarësie me Rilindjen, si krushkë e Rilindjes, si motër, por edhe si nuse.
Duket si ato krushqitë që Rilindja i ka shumë qejf kur vjen puna për sistemin e drejtësisë. Se “rastësia” e donte që dhe i vetmi gjyqtar që votoi kundër heqjes së mandatit të Koço Kokëdhimës, të na ishte as më shumë e as më pak se sa kunati i Fatmir Xhafës.
Për të mos folur pastaj për paradokset dhe gallatën e krushqive politike. Sepse jo më larg se dje Edi Rama e quajti “killer me pagesë” gjyqtarin Arjan Aliaj, por harroi se kryetari i KLD-së që e riktheu Aliajn në detyrë e ka emrin Bamir Topi.
Sot z. Topi është krushk politik i Kryeministrit Rama, madje është i vetmi President Republike, që ndërsa ishte në detyrë nisi të themelonte parti politike. Askush nuk ka guxuar ta bëjë para tij këtë gjë.
Por nëse deri më sot ishim mësuar disi me krushqitë biologjike dhe politike në sistemin e drejtësisë, rasti i Alba Kodheli Ibrahimit, tregoi se krushqitë mund të kenë arritur nivele të reja, të paeksploruara më parë.

Exit mobile version