Madhështia e fëmijës dhe mbinjeriu nietzschean (Meditim mbi një poezi të poetit Ezra Pound)

109816264 4086383604767068 6676412606235842501 n

Nga Yzedin Hima

Duke lexuar këtë tekst poetik të poetit shquar Ezra Pound krijova imazhe, të cilat mendova t’i ndaj edhe me lexues të tjerë të poezisë së këtij poeti, që kritika e përcakton si një nga poetët më të shquar që shkruajnë në gjuhën angleze. Po sjell tekstin e poezisë me titull “Reflektim”:

Reflektim

E di se çfarë tha Nietzsche është e vërtetë,
Për më tepër
Unë pashë fytyrën e një fëmije të vogël në rrugë,
Dhe ajo ishte shumë e bukur.
Ezra Pound

Në leximin e parë të këtij teksti stepesh disi dhe të duket si një lojë e thjeshtë fjalësh. Ke lexuar diçka nga Nietzche dhe vargu i parë të sjell imazhin e atij burri me mjekër të bardhë që quhet Ezra Pound, një nga poetët më të shquar të gjuhës angleze, i cili vendos dorën në zemër për dakordësi me filozofin e shquar të shekullit XIX Fridrih Nietzche:

E di se çfarë tha Nietzsche është e vërtetë

Poeti nuk na sjell asnjë fakt se çfarë tha konkretisht Nietzche dhe çfarë di ky se është e vërtetë në ato që tha Nietzche. Bie në sy koha e kryer e thjeshtë që përdor poeti: E di se çfarë tha Nietzsche…Nuk përdor kohën e tashme: E di se çfarë thotë Nietzsche, kohë që përdoret rëndom për thëniet e filozofëve apo shkrimtarëve të shquar, të cilët edhe pse kanë ikur nga kjo jetë, ende flasin e flasin me kohën e tashme nëpërmjet veprës së tyre.

Mendoj se Ezra Pound përdor kohën e kryer e thjeshtë në përfocim të idesë së tij se ajo thënia e Nietzsche -s është e thënë dhe e bërë. Nuk mund të diskutohet, ndonëse nga teoritë filozofike të Nietzsche-s kanë lindur mjaft polemika e diskutime gjatë kohërave. Për arsyen e mosvënies në diskutim të teorive të Nietzsche-s nga Ezra Poundi na vjen në ndihmë vetë frymëzimi Nietzsche-an i poetit.

Teoria nietzscheane e mbinjeriut u keqinterpretua për interesa politike nga ekstremi i djathtë dhe nga ekstremi i majtë. Nazistet mbështetën teorinë e tyre të rracës superiore pikërisht duke keqinterpretuar filozofinë nietzscheane të mbinjeriut, ndërsa komunizmi predikoi krijimin e njeriut të ri monstër, kavie ideologjike. Të dy keqinterpretimet kishin në bazë urrejtjen, jo dashurinë për njeriun, nazistët urrejtjen rracore, ndërsa komunistët urrejtjen klasore. Në fakt, të dy këto interpretime nuk kanë të bëjnë me mbinjeriun e ri nietzsche-an. Ezra Poundi u frymëzua nga këto deformimie politike të ekstremit të djathtë, ide që e ndikuan këtë poet të madh në qendrimin tejet të gabuar gjatë Luftës së II Botërore.

Pikërisht pas imazhit që sjell dakordësinë nietzsche-ne të Ezra Poundit, imazh i krijuar nga botkuptimi i tij filozofik, shfaqet poeti Pound, si një reflektim, i cili kalon nga idetë e tij filozofike te një tjetër imazh, tashmë ky imazh vjen si lexim i botës me mendje dhe zemër, pra vështrim poetik i saj. Të dy imazhet takohen, nuk ndahen nga njeri tjetri. Për këtë takim përdoret vargu i shkurtër:

Për më tepër

Në vijim teksti na sjell imazhin e një rruge dhe fytyrën e një fëmije te kjo rrugë. Me ç’duket rruga është bosh, përveç një fëmije që shëtit rastësisht në të, një fëmije çfarëdo, ose pikërisht fytyra e këtij vogëlushi bie më në sy. Rruga nuk përcaktohet si një një shëtitore e madhe, apo një rrugicë e vogël. Imazhi poetik sjell një rrugë, jo rrugicë, një rrugë që bëhej e bukur, pikërisht se aty qendronte apo ecte një fëmijë me fytyrë shumë të bukur:

Unë pashë fytyrën e një fëmije të vogël në rrugë

Poeti na sjell imazhin e fytyrës, jo trupit të fëmijës, aty ku paqyrohet një botë e tërë pafajësie e dlirësie. Rruga bëhet e bukur pikërisht nga një fëmijë i vogël, nga fytyra e tij. Autori përdor fjalën shumë e bukur, (beautiful) për fytyrën e fëmijës, fjalë që e përcakton bukurinë si thellësi, bukuri të dukjes dhe substancës.
Leximi i dytë i tekstit na sjell imazhet e dy botëve.

Pamja e parë është ajo çka ka sjellë Nietzsche: Bota e “Übermensch” ose “mbinjeriut”. Ky koncept ka ndryshuar ndër vite dhe ka pasur interpretime të ndryshme, por në esencë, Nietzsche e shikon mbinjeriun si një individ që është në gjendje të përcaktojë vlerat e tij dhe të krijojë një sens të ri të kuptimit dhe virtytit jashtë strukturave tradicionale. Nietzsche e shikon jetën dhe historinë si një betejë të vazhdueshme për fuqi dhe dominim.

Ai kundërshtoi idenë e barazisë së natyrshme dhe besonte se ka një hierarki të natyrshme, ku disa individë janë më të aftë sesa të tjerët. Teoria e mbinjeriut në filozofinë e Friedrich Nietzsche-s është një nga konceptet më të rëndësishme dhe më të njohura të tij. Nietzsche ka shpallur idenë e “Übermensch” ose “mbinjeriut” si një reagim ndaj moralitetit tradicional dhe vlerave të pranuara të shoqërisë së tij. Ai ka përdorur termat “Übermensch” ose “mbinjeriu” për të përshkruar një individ të fuqishëm dhe të lirë, i cili është në gjendje të krijojë dhe të vendosë vlera sipas dëshirave dhe fuqisë së tij.

Mbinjeriu është në gjendje të shpallë vlera të reja dhe të mos jetojë nën vlerat e miratuara nga shoqëria. Nietzsche e shihte shoqërinë e tij si një masë që ndiqte vlera të përcaktuara dhe që ishte nën influencën e moralitetit tradicional. Mbinjeriu do të ishte një shembull kundër kësaj mase, duke mos pranuar kufizimet dhe vlerat e saj.

Një nga aspektet kryesore të mbinjeriut sipas Nietzsche-s është liria dhe aftësia për krijimtari. Nietzsche besonte se shoqëria ka nevojë për mbinjeriun për të ndryshuar dhe përshtatur vlerat sipas kohës dhe kushteve të reja.
Megjithëse koncepti i mbinjeriut ka ndikuar shumë intelektualë dhe shkrimtarë pas Nietzsche-s, interpretimi dhe kuptimi i tij vazhdon të jetë i diskutueshëm. Disa kritikë kanë argumentuar se kjo teori mund të interpretohet si një formë e ngritjes së një elite të pushtetshme, ndërsa të tjerë kanë parë në të një shprehje të lirisë dhe krijimtarisë njerëzore. Megjithatë, është pa dyshim se koncepti i mbinjeriut ka pasur një ndikim të madh në filozofinë dhe kulturën moderne.

Ky imazh i Friedrich Nietzsche-s për Njeriun dhe Botën fshihet pas vargut të Ezra Poundit:
E di se çfarë tha Nietzsche është e vërtetë

Pamja e dytë: Është vështrimi poetik i botës nga Ezra Poundi, pavarësisht nga teoria e mbinjeriut të Nietzsche-s, me të cilën poeti nuk bie në kundërshtim, por ndërton një botë paralele me të, një realitet artistik mjaft dinjitoz, ku bota e parë, ajo e mbinjeriut duhet të të habitet e tronditet për nga thjeshtësia dhe njëherësh nga madhështia, që duhet të tronditet për nga vërtetësia (bukuria) e saj:

Unë pashë fytyrën e një fëmije të vogël në rrugë
Dhe ajo ishte shumë e bukur.

Fytyra e fëmijës së vogël në rrugë pranëvihet me mbinjeriun nietzsche-an pa asnjë kompleks inferioriteti. Poeti i shquar Ezra Pound i kujton lexuesit se njerëzimi ka nevojë për Prometeun, Jezusin, Ajnshtajnin, Bonapartin, Hegelin, Nietzsche, Bill Gates-in, Steve Jobs-in, për mbinjeriun, po aq sa ka nevojë edhe për njeriun, për fytyrën e një fëmije që e bën të bukur mjedisin ku gjendet pikërisht me hapat e vegjël, që në analizë të fundit janë e përditshmja njerëzore, ajo që përsëritet gjatë kohrave dhe që dritëson çdo çast e ditë të jetës së miliarda njerëzve të zakonshëm.

Te poetët e shquar sikurse Ezra Pound, çdo lexues gjen kuptimet e tij në shenjat e tekstit, që i dallon sipas formimit dhe shijeve të krijuara. Tekste të tillë kanë aq kuptime sa kanë edhe lexues dhe lexime. Ky qe leximi im për poezinë e “Reflektim”të Ezra Poundit, të tjerë lexues mund të dallojnë të tjera mesazhe artistike e kuptimore, mjafton që kuptimet e tyre të gjejnë përputhje te shenjat e tekstit.

Exit mobile version