Skënderbeu dhe Hamzatë e PD-së!

Nga Ermal Peçi

Gjatë ditës së sotme në fakt pritej që politika të rikujtonte figurën e heroit tonë kombëtar. Sot mbushen plot 556 vite nga vdekja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, i cili vdiq më 17 janar të 1468-ës, në Lezhë.

Në fakt figura e Skënderbeut nuk është vetëm një figurë kombëtare, por një figurë botërore. Skënderbeu falë aftësive të tij strategjike dhe vizionit të tij politik ka përmasa më shumë se kombëtare. Disa prej shteteve evropiane në qendrat e tyre kanë sheshe me emrin e Gjergj Kastriot Skënderbeu, jo vetëm kryeqyteti ynë Tirana dhe Prishtina në Kosovë, Shkupi në Maqedoni, por edhe vendet si Zyrihu në Zvicër, Parisi në Francë, Roma në Itali, Çikago në SHBA për të mos u harruar që armët e Skëndërbeut janë sot në Vjenë. Por kjo ditë, e cila duhet t’i shërbejë si rikujtesë shoqërisë shqiptare për figurën dhe emrin e tij, klasa politike nuk u kujtua në asnjë moment e as media. Vëmendja iu kushtua Hamzave të PD-së.
Sulltan Berisha nga “Rruga e Shpresës” i kishte dërguar fermanin me udhëzime se si të rrëzonin regjimin dhe mos të ndalonin para askujt.

Me fermanin në zemër dhe në mendje u hodhën për të sulmuar këdo në emër të Sali Berishës, por jo të demokratëve. Ata që nuk kishin lënë gjë pa thënë kundrejt njëri-tjetri, nga akuzat në lidhje me krimin tek vila e Flamur Nokës në Lalëz, u bënë bashkë për të sulmuar dy gra. Dy gra, Flutra Açkën dhe Merita Bakiun të cilat u treguan trimëresha, jo vetëm që nuk ju lëvizi qerpiku i syrit, por as u intimiduan nga gjuha shantazhuese dhe linçuese e Bardhit, i cili po bën gjithçka që Sulltani t’ja falë akuzat për Gërdecin dhe Kompleksin Partizani.

Gjuha edhe simbolika e trupit janë mjetet e nënshtrimit që të dy sot po mundohen të përçojnë, mesazhe besimi pro Sulltanit dhe kundër demokratëve, të cilët kanë sakrifikuar për atë parti.
Neveria që u krijua ditën e sotme në opinionin publik kishte të bënte edhe me thelbin e politikës dhe ndarjen e Partisë Demokratike. Dy njerëz që ulërisnin para dy zonjave që jo vetëm nuk është etike, por edhe në zakonin, traditën apo odën e burrave sjellja ndaj zonjave është vetëm respekti e mirësjellja.

Konica në një vepër të tij ka folur që Shqipëria nuk ka vetëm burra trima, por edhe trimëresha, por që shumë pak e flasim. Gra trimëresha panë sot qytetarët, gra, të cilat në asnjë moment nuk u frikësuan, nuk humbën logjikën por u sollën me shumë fisnikëri e dinjitet. Dinjitet dhe fisnikëri që e ka kultivuar intelekti i tyre, profesionalizmi, karakteri dhe fakti që nuk janë peng të askujt dhe nuk shantazhohen. Pra kjo është edhe fabula e Sulltanit, i cili nuk pranon dot demokratë dhe zonja, të cilat nuk shantazhohen dhe mendojnë se e djathta vazhdon edhe pa atë. Prandaj ai edhe sot në ditën që politika shqiptare duhet të kujtonte Skënderbeun, Sulltani dërgoi Hamzatë e tij për të intimiduar dhe sulmuar ata që nuk mendojnë si ai dhe për të shitur fabulën se janë ata, të vetmit që luftojnë regjimin dhe janë kundër Ramës, por shqiptarët po e kuptojnë se e vërteta është komplet ndryshe, prandaj edhe po i braktisin në çdo aksion opozitar që pas 14 majit. Shqiptarët po kuptojnë se Berisha dhe Hamzatë e PD-së po i shërbejnë Ramës dhe oligarkëve të tyre, por jo qytetarëve edhe demokratëve./dritare.net

Exit mobile version