Maduro sfidon Elon Musk në ndeshje, miliarderi pranon: Nëse fiton do të të dërgoj në Mars falas!

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, në mënyrë të çuditshme i ka shpallur luftë Elon Musk dhe e ka sfiduar atë në një ndeshje mundjeje pasi pretendoi se CEO i Tesla dhe SpaceX qëndron pas spekulimeve të përhapura se zgjedhjet e kësaj fundjave ishin të manipuluara.

Në një fjalim të gjatë të transmetuar dje në televizionin shtetëror, Maduro sulmoi manjatin e teknologjisë, duke pretenduar se platforma e tij e mediave sociale X po fabrikonte pretendime se zgjedhjet ishin vjedhur dhe duke e etiketuar atë një “armik të madh” të Venezuelës dhe një “përfaqësim të fashizmit” dhe “të djathtës ekstreme”. 

“Mediat sociale krijojnë një realitet virtual dhe kush e kontrollon realitetin virtual? Armiku ynë i ri, i famshmi Elon Musk”, deklaroi Maduro, 61 vjeç. “Ai do të donte të pushtonte Venezuelën me raketat dhe ushtritë e tij”.

‘A doni të ndeshemi? Le ta bëjmë. Elon Musk, jam gati. Unë nuk kam frikë nga ju, Elon Musk. Ejani të luftojmë ku të doni”, përfundoi Maduro.

 

 

Musk, 53 vjeç, u përgjigj pas disa orësh përmes rrjetit të tij social X.

Në një postim ku shfaqej artikulli në të cilin Maduro sfidonte Musk në një “ndeshje”, ky i fundit u përgjigj duke shkruar thjesht “pranoj”.

Duke vijuar me postimet në X, Musk u shpreh se nëse ai do të fitojë ndaj Maduros ky i fundit duhet të japë dorëheqjen nga të qenit “diktator” i Venezuelës. Në rast të kundërt ai u shpreh se do t’i siguronte Maduros një fluturim falas në planetin Mars.

Musk ka publikuar një sërë postimesh në X duke pretenduar se kandidati i opozitës, Edmundo Gonzalez, fitoi zgjedhjet me një shumicë dërrmuese.

Ai ndau gjithashtu një postim nga liderja e opozitës Maria Corina Machado, së bashku me një poster të kërkuar të Maduros nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së lidhur me akuzat për narko-terrorizëm.

Exit mobile version