Mafia ka shumicën në Parlament duhet rrëzuar

Mafia në Parlament për të parën herë në histori ka shumicën dhe ka votuar kundër kërkesës së Prokurorisë që kërkonte arrestimin e Tahirit për lidhjet me organizatën kriminale të Habilajve, duke rrëzuar edhe hetimet e Antimafias italiane. Me 75 vota kundër Prokurorisë nuk lejohet arrestimi i Tahirit. Kreu i shumicës mafioze në Parlament e ka shpallur kështu veten nga sot edhe kryeprokuror edhe kryegjykatës që nuk lejon që krimit të organizuar t’i arrestohen gjeneralët që kanë vepruar me urdhrat e tij. Ashtu siç pritej, Rama ia doli dje me fuqinë e votës të mbrojë veten dhe lidhjet e tij me krimin, duke shpëtuar nyjen kryesore lidhëse të tij me bandat, Saimir Tahirin duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Tahirit dhe vënien e tij para drejtësisë.
Që me publikimin e dosjes italiane, Rama ndoqi një skenar të mirëfilltë duke bashkëpunuar me Tahirin për shpëtimin e këtij të fundit e për rrjedhojë veten e tij. Me qëllim nxjerrjen e Saimir Tahirit të pastër, Rama dhunoi ligjet dhe Kushtetutën e vendit teksa qëllimisht zvarriti përmes veglës së tij në krye të Kuvendit, Gramoz Ruçit vendimin e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të Tahirit, teksa i dha kohë ish-ministrit të tij të Brendshëm që të pastronte me shpejtësi të gjitha provat e mundshme që lidhnin si Ramën dhe Tahirin me bandën e Habilajve dhe bandat e tjera kriminale në vend. Si Saimir Tahiri ashtu edhe Rama u shfaqën të tensionuar dje në Parlament, teksa në Grupin parlamentar socialist ishte shpërndarë me ultimatum urdhri për rrëzimin e kërkesës së Prokurorisë, çka do t’i hapte rrugë arrestimit të Tahirit dhe vënies së tij para drejtësisë. Mburoja fanatike që Rama ngriti ndaj Tahirit në fakt ishte krejt për të shpëtuar lëkurën e tij, sepse ai i trembej futjes së Tahirit në burg dhe vijimit të hetimeve që do të çonin në emrin e Ramës si lidhja kryesore e bandave të krimit dhe drogës në vend. Sali Berisha kërkoi fjalën nga vendi, direkt pasi Enkelejd Alibeaj lexoi një raport të gjatë me argumente se pse Parlamenti duhet t’i hiqte imunitetin Saimir Tahirit dhe të autorizonte Prokurorinë për arrestimin e tij. Berisha nga vendi u shpreh: “Njeriu që ka shitur dëshmitaren e mbrojtur është Edvin Kristaq Habili, i cili pasi mori foton nga Bledi (Çuçi) Habili shkoi me vrap në zyrën e Fatmir Xhafës. Aty tradhtuan sekretin më të madh shtetëror”. Berisha e cilësoi seancën e djeshme si ditën e turpit kombëtar të Parlamentit. Në një prononcim për median jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi: “Parlamenti sot është i pushtuar fund e krye nga Habilajt. Një bandë që ka trafikuar me makinën e ministrit të Brendshëm dhe mjete të tjera 30 tonë drogë në Itali ka nënshtruar totalisht dhe shndërruar në narkomazhorancë Ramën e deputetët e PS. Nuk ka në historinë e këtij Parlamenti ditë më të turpshme. Kjo është dita e turpit kombëtar të këtij Parlamenti”. Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi i djeshëm për mosarrestimin e deputetit Saimir Tahiri ishte një test moral, për Tahirin, Ramën dhe deputetët. “Kush humbi dhe kush fitoi? Nga votimi ka fituar përkohësisht Saimir Tahiri. Po në fakt kjo seancë e sotme nuk kishte të bënte nëse do të fitonte apo jo një kufomë politike siç është Saimir Tahiri. Sot kjo seancë është një test që s’ka të bëjë me heqjen e imunitetit, është një test minimalisht i trefishtë. Ishte një test moral për deputetin Tahiri, për flamurtarin e tij, fytyrë vrerosur të moralit, të transparencës me publikun, të luftës ndaj krimit kishte mundësinë ta bënte sot, e humbi përfundimisht dhe bashkë me të karrierën politikë dhe bashkë me të edhe 4-5 vjet eksperiencë politike që pati në këtë Parlament. Mbi të gjitha ishte test moral për Ramën, i cili që kur e mori nën sqetull Tahirin, vuri moralin e politikës së vet në test. A do ta kalonte apo jo? Pyetja që duhet të ngrenë të gjithë shqiptarët sot është kush fitoi dhe kush humbi? E sigurt që humbi Rama. Ishte test moral për secilin nga deputetët, ishte test moral për ne dhe për ju. Sot ju të gjithë që ishit kundër heqjes së imunitetit keni vendosur njollën më të errët të karrierës tuaj politike”, tha Alibeaj. Deputetët e opozitës në Parlament bënë thirrje për revolucion popullor me qëllim rrëzimin e kësaj qeverie.

Exit mobile version