Makthi i Guardiolës

“Është padyshim lojtari më i mirë në botë”, kishte thënë Guardiola në vigjilje të Barcelona-Manchester City, por me siguri shpresonte që Messi të mos ta demonstronte diçka të tillë pikërisht kundër tij. Ndodhi ndryshe, pasi argjentinasi vendosi që ajo duhej të ishte mbrëmja e tij, duke “shkatërruar” rikthimin e Guardiolës në “Camp Nou”, duke marrë titujt e parë të gazetave dhe duke lënë në hije trajnerin që ndërtoi rreth tij një skuadër fantastike te Barcelona.
Guardiola është përballur me Messi-n tre herë si kundërshtar, gjithmonë në Champions, është mundur dy herë, si dhe ka arritur një fitore që nuk i bëri punë, në gjysmëfinalen e kthimit të 2015, me Bajernin që fitoi 3-2 në Mynih, pasi ishte mundur 3-0 në Barcelonë. Vlen të theksohet se argjentinasi i ka shënuar plot 5 gola mësuesit të tij, dygolësh në gjysmëfinalen e parë të 2015 dhe tregolësh në përballjen e fundit, ku nuk i la shpëtim Barcelonës. Guardiola ka luajtur 4 herë në Spanjë si kundërshtar në stolat e Bajernit dhe Sitit, ka pësuar 4 humbje e madje skuadrat e tij nuk kanë shënuar asnjë gol në fushat e Barcelonës, Realit të Madridit dhe Atletikos.
Në krahun tjetër, Luis Enrique i gëzohet tregolëshit të numrit 10 të Barcelonës, ndërsa shtypi spanjoll kishte tituj vetëm për Messi-n. “Messi bën atë që do”, shkruante “Marca”, ndërsa për “El Mundo Deportivo”, “Messi është taktika më e mirë që ekziston”.
Pep Guardiola është paraqitur i zhgënjyer para gazetarëve dhe si elementin që vulosi fatin e takimit ka cilësuar kartonin e kuq të portierit Klaudio Bravo. “Të luash ndaj Barcelonës në transfertë është gjithnjë e vështirë. Gjithsesi, më vjen keq që përfundoi me këtë rezultat, pasi takimi ishte i hapur deri në momentin që Klaudio Bravo doli me karton të kuq. Aty pësuam një goditje psikologjike dhe gjithashtu e patëm thuajse të pamundur që të reagonim si duhet. Nëse Barça bën diferencën kur je me numër të barabartë lojtarësh, imagjinojeni kur ke edhe një më pak”, tha Pep pas ndeshjes. I pyetur nëse kjo ka qenë humbja më e hidhur në karrierën e tij, ai u përgjigj: “Jo, nuk është kjo. Humbja më e hidhur ka qenë ajo ndaj Real Madridit 3-0, kur isha trajner i Bajernit. E lidh me mënyrën se si e pësuam dhe momentin që po kalonim”.
Ndërsa më tej, ai foli edhe për paraqitjen e Lionel Messi-t: “Nuk më befasoi aspak. Ai ka bërë edhe herë të tjera ndeshje të tilla, duke shënuar tripletë. Shumicën unë e kam ndjekur në fushë, si trajner i tij”. “Serxhio është në formë të mirë fizike dhe ka qenë vendim i imi për të mos e aktivizuar. Bëra të tjera zgjidhje taktike, që mendoj se funksionuan”, tha Guardiola.
Luis Enrique tha se, stili i tij i lojës, në pamje të parë, më pëlqen. Kanë efikasitet dhe ka arritur të nxjerrë maksimumin e lojtarëve që ka në dispozicion. Ishte kënaqësi ta ritakoja.

Exit mobile version