Mançini në dyshim

Eric Thohir nuk lëshon terren, Mauro Icardi vlen më shumë se 60 milionë euro. Presidenti i Interit është i qartë kur bëhet fjalë për strategjinë e merkatos në dalje, pasi kapiteni i skuadrës mbetet një nga objektivat më të lakmuar të tregut të futbollistëve me Napolin që vazhdon të qëndrojë në radhën e parë për të fituar shërbimet e tij.
“Icardi është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë. Ai është kapiteni i Interit. E kemi refuzuar një ofertë prej 60 milionësh, sepse të gjithë synojmë të arrijmë shifra më të larta për të. Ne jemi një skuadër e rëndësishme dhe dëshirojmë t’i mbajmë lojtarët më të rëndësishëm. Gjatë dy sezoneve të shkuara kemi afruar 15 emra të rinj, por këtë vit do të jetë e vështirë të bëjmë të njëjtat goditje në merkato”, u shpreh Thohir.
Në vijim të intervistës, numri 1 i klubit kërkon të mos polemizojë në distancë me trajnerin Mançini, i cili nuk e ka përtypur faktin që drejtuesit po tregohen shumë të ngathët në lëvizjet e merkatos.
“Roli i trajnerit në një skuadër është vendimtar. Ne kemi marrëdhënie të mira, por ndonjëherë ka edhe fërkime. Duhet të punojmë të gjithë sëbashku për të sjellë emra të rinj, pasi tifozët dëshirojnë përherë lojtarë të klasit botëror. Po punojmë sëbashku, ndërsa skuadra duhet të përqendrohet për t’u bërë sa më shumë dhurata”, tha presidenti i Interit.
Në fund, Thohir zbulon edhe ëndrrën e tij. Një blerje që Interi momentalisht e ka të pamundur. “Një lojtar që ëndërroj ta shikoj te Interi në të ardhmen është një lojtar për skuadrën jo për mua. Lojtari që ëndërroj është Mesi, një emër që çdo klub do të dëshironte ta kishte në organikë”, përfundoi Thohir.
Dashuria mes Interit dhe Mançinit ka kohë që ka mbaruar dhe tani në kampin zikaltër janë duke menduar rrugën më të mirë për të arritur te divorci. Në fakt, ajo që duhet të kuptohet është se prishja e kontratës së njëanshme mes palëve e dëmton rëndë financiarisht skudrën zikaltër.
Nëse Thohir mendon ta shkarkojë trajnerin nga Jesi, së bashku me gjithë stafin e tij, Interi është i detyruar që në 12 muajt e ardhshëm të paguajë 14 milionë euro.
Një shumë e konsiderueshme për financat e zikaltërve, që janë ende me llampë të kuqe në “fair play”-n financiar, duke konsideruar edhe koston që duhet të paguhet për trajnerin e ri dhe stafin e tij. Emri që sponsorizohet më shumë nga Moratti është ai i brazilianit Leonardo, ndërkohë që të fortë janë edhe zërat për mundësinë e De Boer, i cili është ende i lirë.

Exit mobile version