Holandezet, gratë më të lumtura në botë

Si shumë gra të tjera holandeze, Marie-Luiz van Haren e konsideron veten të lirë. “Çdo grua në Holandë mund të bëjë çfarë të dojë me jetën e saj”, thotë Van Haren, 52-vjeçarja e cila jeton pak minuta jashtë Roterdamit dhe shkon në punë me biçikletë ose tren. Ajo punon vetëm tre ditë në javë në një akademi policie, ku shërben si këshilltare e studentëve. Ka punuar me kohë të pjesshme përgjatë gjithë karrierës, ashtu si pothuajse të gjitha mikeshat e saj, të martuara apo jo, me apo pa fëmijë. Përjashtim bëjnë vetëm ato gra, të cilat punojnë pak më shumë për shkak se kanë mundësi të vogla financiare. Van Haren, e cila është martuar vitin e kaluar dhe nuk ka fëmijë, thotë se punon pak në mënyrë që të ketë më shumë kohë për të bërë gjërat që dëshiron, për të jetuar siç dëshiron. “Për të qenë mendërisht dhe fizikisht e shëndetshme dhe e lumtur”, thotë ajo.
Shumë gra në Holandë duket se ndajnë të njëjtin qëndrim. Ato vlerësojnë më shumë pavarësinë sesa suksesin në punë. Në vitin 2001, pothuajse 60 për qind e grave holandeze punonin me kohë të pjesshme, krahasuar me 20 për qind të grave kanadeze. Sot, ky numër është akoma më i madh, rreth 75 për qind. Shumë gra si Van Haren, e konsiderojnë këtë fakt një progres të madh, provë të një lirie të jashtëzakonshme personale dhe angazhimi kundrejt një jete të balancuar.
Por, ka edhe nga ato që e konsiderojnë një sinjal alarmues, pasi gratë nuk kërkojnë më barazi në vendin e punës. Shkrimtarja dhe ekonomistja, Hellen Mis, për shembull, argumenton se steriotipi i gruas holandeze është bërë e vetëkënaqur. “Në Universitetin e Amsterdamit, universiteti më modern i vendit, një student 22-vjeçar më tha: “Ç’ju duhet juve, nëse gruaja ime do të qëndrojë në shtëpi dhe të bëjë biskota?’ Të gjitha studentet femra ishin dakord me të. U shokova!”.
Mis drejton një organizatë të quajtur “Femrat me pushtet”, e cila përpiqet t’i nxisë femrat holandeze drejt rrugëve më ambicioze të karrierës. Slogani i organizatës është: “Poshtë feminizmi i punës part-time!”, duke e konsideruar kështu punën me kohë të pjesshme si një faktor madhor që rrit çdo ditë hendekun e diferencës së pagës mes meshkujve dhe femrave. Por, në fund të fundit është edhe çështje principesh. “Mendoj se gratë e shkolluara kanë një obligim moral për të kërkuar pozicione të larta drejtuese për t’u bërë shembull me zgjedhjet e tyre në jetë”, thotë Mis. “Kur gruaja qëndron në shtëpi ose punon pak, nuk mund të ketë një pozicion drejtues, duke u dhënë shembullin e keq vajzave dhe mbesave të tyre”.
Por, gratë në Holandë as nuk ua vënë veshin këtyre debateve. Kur u pyetën nëse do të donin të punonin disa orë më shumë, vetëm pesë për qind e tyre thanë po, krahasuar me 25 për qind të grave franceze. Dhe ndërkohë që përtej kufirit, mediat britanike janë duke trumbetuar ringjalljen e feminizmit, në Holandë, gratë si Van Haren deklarojnë hapur se nuk ekziston më nevoja për të mbrojtur feminizmin. “Kur u rrita, kuptova që feminizmi nuk ishte më i nevojshëm”, thotë ajo. “Është diçka që i përket së shkuarës, atëherë kur gratë nuk kishin të drejtën e votës”.
Marrëdhënia mes zgjedhjeve personale të jetës dhe statusit socio-ekonomik të grave, ka qenë në mikroskop në Holandë që kur u publikua libri “Gratë holandeze nuk bien në depresion” në vitin 2008. Ellen de Bruin, e cila e shkroi librin e saj pas modelit të suksesit të madh të Meriell Xhuliano me titull “Gratë franceze nuk shëndoshen”, filloi ta identifikonte steriotipin e femrës holandeze si një grua të bukur, natyrale, pa ndonjë stil të veçantë, që shkon me biçikletë për të bërë pazar, shpenzon shumë kohë me fëmijët dhe bashkëshortin, frekuenton kurse arti në mes të javës, kalon pasdite të gjata, duke pirë kafe me shoqet.
Gruaja holandeze parapëlqen të punojë pak, fiton më pak se i shoqi, por nuk i bëhet vonë, pasi është ai që i paguan faturat. Libri vazhdon duke theksuar se gratë në Holandë qëndrojnë shumë poshtë në listën e femrave të suksesshme të vendeve perëndimore, si dhe në përfaqësimin e pozicioneve drejtuese apo qeveritare, por renditen të parat në listën e femrave më të lumtura për shkak të mirëqenies së tyre. Në fakt, pothuajse të gjithë holandezët duken të kënaqur me këtë status kuo. Në vitin 2009, Holanda u rendit e para në botë si vendi me mirëqenien më të lartë.
Me të drejtë, pretendimi se ekziston një lidhje mes rolit relativisht të dobët të femrave dhe lumturisë së tyre, i nervozon tej mase njerëzit si Hellen Mis. Por të tjerë e shikojnë këtë lidhje në një tjetër mënyrë, duke thënë se gratë holandeze kanë thyer rrethin vicioz të ndjenjës së fajit që i ka futur në grackë femrat perëndimore.
Sara Sends, e gazetës “UK Indipendent” shkruan: “Ndoshta gratë holandeze janë të lumtura për shkak se nuk ndihen në faj kur nuk arrijnë perfeksionin. Sot ne ndihemi të dyzuara mes modelit amerikan dhe atë mesdhetar të të qenurit grua. Nga njëra anë jemi feministe të betuara dhe kërkojmë barazi në pritshmëri dhe rezultate me meshkujt. Por, në anën tjetër, duam të jemi edhe nëna, amvisa model që i përkushtohen shtëpisë dhe fëmijëve.
Femrat holandeze nuk aspirojnë aspak për poste drejtuese dhe nuk kërkojnë të inkurajojnë vlerat e modelit të biznesit të botës në ditët e sotme. Duket si një lëvizje e heshtur rezistence. Ndoshta kjo do të kthehet në një frymë të re feminizmi. Ndoshta femrat do të arrijnë një ditë të kuptojnë se jeta nuk është vetëm përvetësimi i pasurisë materiale, pushtetit dhe statusit social. Shumë gra holandeze që njoh preferojnë të jenë të shëndetshme, të lumtura dhe të relaksuara”.
48-vjeçarja Eline Duterloo është dakord me këtë këndvështrim. “Mendoj se femrat këtu thjesht nuk kërkojnë të ndihen 100 për qind të plotësuara në punë. Ato vlerësojnë disa role që i konsiderojnë shumë herë më të rëndësishme si: të jesh një mikeshë, vajzë, nënë, motër dhe bashkëshorte më e mirë. Kjo është arsyeja përse ato nuk janë shumë ambicioze në punë dhe nuk kërkojnë të arrijnë majën e karrierës, thellë brenda tyre nuk i intereson aspak suksesi në këtë aspekt të jetës”, thotë ajo.
Duterloo ka një bashkëshort, i cili punon me kohë të plotë, tri vajza në moshën 21, 19 dhe 16-vjeçare.
Ellen de Bruin thotë se të gjithë kanë një opinion të vetin për mënyrën se si jetojnë gratë holandeze. Disa thonë që është frymëzuese, të tjerë demode. Por, në fakt duket se këto gra kanë arritur të gjejnë një balancë ideale mes punës dhe jetës. Më e rëndëshmja është që gratë në Holandë janë të lira të zgjedhin atë që duan për jetën e tyre.
Megjithatë, strukturat sociale padyshim luajnë një rol tepër të rëndësishëm në zgjedhjet e tyre. Programet tepër bujare sociale bëjnë të mundur që një familje me dy prindër të ketë një jetë komode vetëm me një rrogë të plotë. Nga ana tjetër ekziston edhe një lloj konservatorizmi social në Holandë. Kopshtet dhe çerdhet janë shumë të shtrenjta, dyqanet mbyllen në orën 6 pasdite në fundjavë dhe e kanë pushim të dielën, gjë që e bën të vështirë jetën për një grua që punon me kohë të plotë.
Është e vështirë të thuash se njerëzit që zgjedhin të bëjnë jetën që duan dhe synojnë lumturinë në vend të karrierës, janë njerëz të paplotësuar. Feminizmi gjatë historisë ka marrë ngjyrime nga më të ndryshmet dhe kohët e fundit duket se femrat, jo meshkujt, janë ato që gjykojnë më shumë njëra-tjetrën. Lumturia mund të përkufizohet si mungesa e problemeve, por kjo nuk do të thotë se femrat që punojnë më pak kanë më pak probleme. Në fund të fundit, lumturia është të jetosh jetën që do dhe të duash jetën që ke. Duket se këtë zgjidhje kanë gjetur femrat holandeze për të arritur lumturinë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version