Mandatet e LSI për qeveri mirëbesimi

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta deklaroi mbrëmë se Kryesia e partisë që ai drejton ka vendosur të mbështesë me mandatet e saj në Parlament krijimin e qeverisë së mirëbesimit. Në një deklaratë për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së LSI, Meta tha se situata politike në vend është tejet konfliktuale dhe theksoi se përshkallëzimi i krizës mund të çojë në një situatë të vështirë.
“Realizim të plotë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit. Zbatimi i reformës zgjedhore, kusht ende i papërmbushur. Duke vlerësuar sa më lart, LSI për këtë qëllim vendos të verë në dispozicion të zgjidhjes politike në vend, të gjitha mandatet e deputetëve, ministrave dhe posteve të saj”, tha Meta.
Kreu i Kuvendit Ilir Meta, përgjatë fjalës së tij përmendi një “qeveri të besimit”, për të cilën sqaroi se jo domosdoshmërisht mund të jetë qeveri teknike, duke shtuar se edhe qeveria aktuale mjafton që të krijohet besimi tek policia dhe institucionet e tjera për garancinë e zgjedhjeve.
Ai ka qenë relativisht i qartë në komunikimin e tij me gazetarët. Meta tha se, zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë, duke deklaruar se LSI vë në dispozicion mandatet të gjitha, edhe si ministra edhe si deputetë dhe në çdo post në funksion të një zgjidhje.
Ai  tha se LSI është e hapur për koalicion me PS-në, por nga ana tjetër nuk do të bëhet pjesë e zgjedhjeve farsë.
“LSI është e hapur të afirmojë për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS-në. Por, nëse lidershipi i PS nuk do të tregojë përgjegjshmëri për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe garantimin e kushteve LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe as një farse elektorale të mundshme. LSI ka qenë e qartë se mes të djathtës dhe së majtës zgjedh të majtën. Midis farsës elektorale dhe demokracisë, zgjedh demokracinë. Mes kaosit dhe stabilitetit, zgjedh stabilitetin”, deklaroi Meta.
Ai i bëri apel kreut të qeverisë dhe kreut të opozitës që të lënë mënjanë qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale, dhe të vijojnë me procesin e dialogut”, tha Meta.
“Besojmë dhe shpresojmë në angazhimin e gjithë aktorëve të tjerë, në veçanti të kryeministrit Rama dhe kryetarit të opozitës, Basha për të gjetur një zgjidhje që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve demokratike, të hedhë një hap përpara dhe t’i japë hov të gjitha reformave”, tha Meta.
“LSI pasi analizoi situatën politike në vend, vlerëson se situata në politikë është tejet e tensionuar, reforma zgjedhore dhe reforma në drejtësi janë bllokuar, dhe konstatojnë një rënie të theksuar të besimit të qytetarëve te politika. Politika konfliktuale po dominon situatën në vend. Dialogu është i domosdoshëm. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura dhe pasoja të paverifikueshme. Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale. Vlerësojnë përpjekjen e Idrizit për dialog dhe zgjidhje të krizës. Vendi në këtë kohë ka nevojë për një zgjidhje. Duhet të garantohet mos përfshirja e administratës në fushatë. Çdo përpjekje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve nuk do të pranohet”, tha Meta.

Meta: Përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjen e ka qeveria

“Përgjegjësinë kryesore për të gjetur zgjidhje e ka qeveria, dhe nuk duhet të vendoset opozita në ato kushte ku nuk ka çfarë të humbasë. Zgjedhjet nuk janë pronë as e opozitës as e pozitës, por e gjithë qytetarëve shqiptarëve, larg çdo presioni jo-demokratik”, tha Meta

-Çfarë doni të thoni me vënien e mandateve të LSI-së në dispozicion të një zgjidhjeje?
Ne vemi në dispozicion mandatet tona, nëse PD mendon se këto mandate janë të mjaftueshme që ajo të ketë një rol më ndikues në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve, ne do ja jepnim këto mandate PD, nuk i bashkojmë me opozitën, por kështu mund t’i japim një lloj qetësie.

-Qeveria e besimit në zgjedhje përfshin apo përjashton Ramën?
E përfshin zotin Rama, por duhet që dhe opozita të ketë besimin për zgjedhjet.

-Darka me Ramën
Darka ishte informale, shkëmbejmë mendime vazhdimisht, keni kaq kohë që na çmendët se çfarë mendojmë ne me zgjedhjet.

-Nëse Rama e Basha nuk tërhiqen?
Meta: Nuk dua të paragjykoj, besoj se të gjithë e duan këtë vend, të gjithë e duan demokracinë, pavarësisht interesave të ndryshme.
Luan Rama: Nëse përfaqësuesit e opozitës mendojnë se me këtë reformë tonën kanë një mundësi rikthimi në institucione, ne jemi gati të lëmë mandatet tona. Konflikt politik që vazhdon në mënyrë absurde.
Meta: Ne i vëmë këto mandate në dispozicion dhe ky është një akt shumë i sinqertë për të dhënë mesazhin se çdokush duhet të lërë diçka për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë për demokraci, që ta mbyllim njëherë e mirë çështjen e zgjedhjeve të kontestueshme.
Shpresojmë që të gjithë ta lexojnë në mënyrë realiste dhe të përgjegjshme dhe secili të reflektojë për të arritur qëllimin e përbashkët që vendi ynë meriton të çelë negociatat me BE-në.
Ne jemi këtu në emër të LSI-së, keni kaq kohë që na prisni dhe të japim përgjigje. Përgjigjet tona të qarta dhe për krizën dhe çështjen e koalicioneve.

Exit mobile version