Maqedoni: Kërkohet të përforcohet roli mbikëqyrës i Parlamentit

“Parlamentit të Maqedonisë përfundimisht t’i kthehet roli mbikëqyrës ndaj institucioneve shtetërore”, është theksuar në një konferencë të organizuar nga Instituti për demokraci “Societas Civilis” në Shkup, me temën “Përforcimi i rolit të Kuvendit midis reformave dhe vullnetit politik”. “Nga përbërja e re parlamentare presim që në formë thelbësore ky institucion të marrë rolin mbikëqyrës ndaj institucioneve si dhe të angazhohet në ngritjen e transparencës”, ka theksuar Marko Troshanovski, kryetar i këtij instituti. “Për këtë janë të nevojshme ndryshime në Rregulloren dhe në ligjet, por para së gjithash duhet që trupat rregullator të punojnë me përgjegjësi dhe efikasitet dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që pas disa ftesave nuk paraqiten në punë”, ka shtuar Troshanovski. Përderisa kryetari Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi është zotuar për përforcim të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit, si institucion ligjvënës mbi punën e pushtetit ekzekutiv, gjegjësisht Qeverisë. “Përforcimi i këtij funksioni të pushtetit ligjvënës, përmes mekanizmave adekuat dhe praktikave evropiane, do të kontribuojë në ngritjen e nivelit të përgjegjësisë nga ana e pushtetit ekzekutiv”, ka theksuar para organizatave joqeveritare kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Ndërkohë, deputeti i partisë shqiptare në opozitë nga Lëvizja Besa, Afrim Gashi, ka thënë se Parlamenti duhet të jetë institucion ku për të gjitha çështjet do të duhet të diskutohet hapur dhe jo në takime të mbyllura, siç ishte takimi i përfaqësuesve të partive politike shqiptare të përfaqësuara në Parlament, për ligjin që ka të bëjë me avancimin e gjuhës shqipe. “Në funksion të rëndësisë së punës së Parlamentit si institucion ligjvënës, është dhe rikthimi i debatit cilësor dhe qenësor në këtë institucion. Ne si parti kemi marrë një ftesë për të diskutuar për deklaratën politike në një hotel, dhe ne u përgjigjëm se nuk është mirë të takohemi nëpër hotele, sepse takimet e tilla lënë pas shumë dyshime se ne vërtetë kemi dëshirë për të kontribuar për zgjidhjen e këtij problemi (avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoni)”, u shpreh Gashi. Përderisa deputeti i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Hari Llokvenec ka theksuar nevojën e ndihmës së ekspertëve si dhe rritjen e financave për realizim të reformave, përfshi këtu dhe ndihmën e sektorit civil për mbikëqyrjen e punës së Qeverisë.

Exit mobile version