Shpallet rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, si ndahen mandatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se, procesi i zgjedhjeve kaloi qetë dhe u zhvillua në frymën demokratike. Në bazë të rezultatit përfundimtar, kryetarja Daka ka konfirmuar se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 39 ulëse në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 ulëse, kurse në vendin e tretë është koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën me 29 ulëse. Nga komunitetet pakicë, prin Lista Serbe, e cila ka fituar 9 ulëse, kurse Partia e Pavarur Libera ka marrë një ulëse. Po ashtu, edhe komuniteteve joserbe u janë ndarë 10 ulëset e garantuara.
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët në zgjedhje dolën mbi 747 mijë votues apo 41.30 për qind e pjesëmarrjes. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 50 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit është përcaktuar përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse. Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas mbajtjes së seancës së parë në të cilën bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës mund të propozojnë Kryetarin e Kuvendit, thotë Krasniqi. Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë, thotë Krasniqi.
“Pas konstituimit të Kuvendit, radha i vjen zgjedhjes së Qeverisë. Presidenti duhet që herën e parë t’ia jap të drejtën koalicionit PAN, si koalicioni i parë që të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili kandidat paraqet përbërjen e Qeverisë para deputetëve dhe deputetët duhet të votojnë me të paktën 50 plus 1 për qind (61 vota të deputetëve) në mënyrë që Qeveria të quhet e zgjedhur”, tha Krasniqi. Zgjedhja e Qeverisë mund të kalojë edhe në rrethin e dytë, nëse në përpjekjen e parë dështohet të sigurohet përkrahja në Kuvend.
Albert Krasniqi thotë se hera e dytë, mbetet në diskrecionin e Presidentit që të vendos se kujt do t’ia jap mandatin. “Hera e dytë është në diskrecion të Presidentit, pasi që nuk kufizohet t’ia jap mandatin partisë së dytë apo të tretë, por varësisht atij subjekti politik, i cili ia dëshmon Presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për ta zgjedhur Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme”, tha Krasniqi. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Exit mobile version