Mario Gotze shumë pranë rikuperimit

Mario Gotze i rikthehet stërvitjes. Seanca e parë stërvitore për Borussia Dortumund ka nisur me një surprizë të këndshme. Në fushat stërvitore është paraqitur dhe sulmuesi 25-vjeçar, i cili për një kohë të gjatë nuk ka mundur dot të luajë për shkak të problemeve shëndetësore. Në muajin mars të këtij viti, Gotze u këshillua nga ana e mjekëve të qëndronte pushim në një afat kohor të pacaktuar.
Sulmuesi udhëtoi drejt SHBA, për një trajtim më të specializuar, ku njëkohësisht ka shfrytëzuar edhe disa ditë për të pushuar, tashmë ai ndihet në formën e tij më të mirë fizike, me problemet shëndetësore që i ka lënë pas. Vetë Gotze përmes një postimi në Instagram është shprehur i lumtur për fazën e rikuperimit që po shkon drejt fundit dhe shumë shpejt do të mund të jetë në dispozicion të skuadrës.
Përsa i përket Borussia Dortumund, faza përgatitore parashikon dhe zhvillimin e disa takimeve miqësore, ku do të testohen dhe blerjet e reja siç janë Omer Toprak dhe Dan-Axel Zagadou. Mahmoud Dohud dhe Maxmillian Philipp ndodhen me pushime për shkak se kanë qenë të angazhuar me Kampionatin Europian U-21, me kombëtaren gjermane, ku arritën të shpalleshin kampionë. Janë rikthyer pranë gjirit të klubit Pierre Emerick Aubameyang, Ousamen Dembele dhe Christian Pulisic.
Sezoni i ri i Bundesligës do t’i gjejë shkallët e stadiumit “Signal Iduna Park” plot e përplot. Tifozët e verdhezinjve janë shpallur edhe si mbështetësit më besnikë. 99.88 për qind e tyre kanë rinovuar abonimet për të qenë të pranishëm në çdo sfidë të Borussia Dortmund, në sezonin e ri të Bundesligës. Në fakt në Gjermani fjala besnikëri është një lloj parulle për të gjitha tifozërit e klubeve të ndryshme. 16 nga 18 impiante në total që ka Gjermania, fundjava i gjen shkallët e stadiumeve të mbushura.

Exit mobile version